KLSH merr pjesë në Programin e 131-të të Trajnimit Ndërkombëtar mbi “Auditimin në mjedis IT”
Në datat 12 shtator -7 tetor 2016 në Noida të Indisë u zhvillua Programi i 131-të i Trajnimit Ndërkomëtar mbi “Auditimin në mjedis IT”. Ky trajnim u zhvillua nga Qendra Ndërkombëtare për Sistemet e Informacionit dhe Auditimit (iCISA).
Në këtë aktivitet mernin pjesë 38 auditues nga 32 vende të botës: Afghanistani, Botsvana, Federata e Dominicës, Ekuador, Egjipt, Georgjia, Gana, India, Indonezia, Jordania, Kiribati, Malaui, Malajzia, Maldive, Mauritius, Maroku, Mianmar, Namibia, Nepali, Arabia Saudite, Seishelles, Afrika e Jugut, Sri Lanka, Sudan, Taxhikistani,Tanzania, Timor Leste, Tunizia, Turqia, Uganda, Zambia dhe Shqipëria. KLSH në këtë aktivitet u përfaqësua nga audituesja Ina Sokoli.
Kjo qendër është pjesë e strukturës së SAI-it të Indisë. SAI i Indisë ka ofruar kurse trajnimi ndërkombëtare që prej vitit 1979. Qendra Ndërkombëtare për Sistemet e Informacionit dhe Auditimit (iCISA) u themelua në mars të vitit 2002. Kjo qendër është një institucion i certifikuar me ISO 9001:2008 (QMS) dhe ISO 27001 (ISMS). iCISA ofron programe ndërkombëtare trajnimi në drejtimet e mëposhtme:
•Auditimi në mjedis IT
•Auditimi i projekteve të e-Qeverisjes
•Auditimi i performancës
•Auditimi i shoqërive publike
•Auditimi i skemave të sektorit social
•Auditimi financiar dhe përputhshmërie dhe
•Auditimi mjedisor
Fokusi i të gjitha programeve është evidentimi i zonave dhe zhvillimeve të reja në auditim duke përfshirë praktikat më të mira ndërkombëtare. Këto trajnime zhvillohen në një mjedis multikulturor që nxit shkëmbimin e ideve dhe eksperiencave.
Deri në mars të 2016, nga SAI i Indisë janë zhvilluar 129 trajnime ndërkombëtare duke përfshirë më shumë se 4000 zyrtarë nga 141 vende.
iCISA është burimi kryesor për Auditimin e IT në SAI-n e Indisë. Në këtë qendër kombinohen teknologjitë më të fundit me burimet njerëzore. Gjatë pesë viteve të fundit janë trajnuar 2,500 auditues kombëtar dhe ndërkombëtar në fushën e IT.
Ky trajnim 4 javor u fokusua në: auditimin e IT-kontrollet dhe planifikimi, analizimi i të dhënave dhe siguria në IT, udhëtim studimor dhe raste studimi mbi auditimin.
Java e parë e trajnimit “Auditimi IT – kontrollet dhe planifikimi” u fokusua mbi dhënien e një tabloje mbi SAI-in e Indisë dhe auditimin e IT në këtë institucion, prezantimin e ISSAI 5300- Udhëzues i Auditimit të IT, planifikimi për audtimin e IT, prokurimi i shërbimeve të IT dhe politikat e marrjes së burimeve nga jashtë (outsourcing), vizualizimi i të dhënave në planifikimin e auditimit të IT, COBIT 5.1 dhe kuadri ligjor për aplikacionet e teknologjisë së informacionit
Java e dytë e trajnimit “Analizimi i të dhënave dhe siguria në IT” fokusua mbi prezantimin e programit IDEA dhe SQL dhe përdorimin e tyre si CAATS, rëndësinë e tyre në punën audituese, praktikimin e programit në laboratorin e qendrës si dhe analizimi e një baze reale të dhënash. Gjithashtu gjatë kësaj jave u zhvilluan edhe vizita në një prej katër kompanive më të mëdha në botë në fushën e auditimit PWC dhe kompaninë ONGC (Korporata e gazit Natyror dhe Vajit).
Gjatë javës së tretë u zhvillua tema “Prokurimi elektronik: Integriteti i të dhënave” si dhe u zhvillua udhëtimi studimor në qytetin Bengaluru dhe Mysuru. Gjatë këtij udhëtimi u zhvilluan vizita në zyrat e SAI të Indisë në këtë qytet, Qendrën Kombëtare të përpunimit të të dhënave: Departamenti i tatimit mbi të ardhurat si dhe në qendrën e trajnimit të kompanisë Infosys.
Java e katërt e trajnimit u fokusua mbi raste studimi mbi auditimin dhe prezantime të vendeve dhe mandatit të SAI-ve nga pjesëmarrësit si dhe u zhvilluan temat “Përdorimi i analizimit të të dhënave për zbulimin e mashtrimit nëpërmjet programit Qlik View dhe Tableau”
Të gjitha seancat e trajnimin u zhvilluan nga lektor të afirmuar të Indisë, këshilltar të qeverisë, specialistë të Deloitte, PWC, IBM, anëtar të ISACA, programator sistemesh, etj.
Gjatë kësaj periudhe u zhvilluan dhe tema jashtë trajnimit të cilat ishin të fokusuara mbi njohjen e ekonomisë, kulturës dhe traditave indiane.
Dy botimet e KLSH në fushën e Auditimit të IT (COBIT 4.0 dhe Manuali i Auditimit të Teknologjisë së Informacionit) u bënë pjesë e bibliotekës ndërkombëtare të iCISA.