Trajnime nga institucionet nderkombetare

KLSH merr pjesë në seminarin “mbi auditimin e energjisë dhe klimës” në Sllovaki

Në datat 27-28 Shtator, në Bratislavë, u zhvillua nga SAI i Sllovakisë, seminari mbi Energjinë dhe Klimën. Në këtë seminar morën pjesë auditues nga SAI-t e Shqipërisë, Sllovakisë, Austrisë, Bullgarisë, Biellorusisë, Çekisë, Kroacisë, Danimarkës, Estonisë, Lituanisë, Ukrainës, Letonisë, Polonisë, Rumanisë si edhe përfaqësues të Komisionit Europian, Gjykatës Europiane të Llogarive – ECA, dhe kompanive sllovake të prodhimit të energjisë. Fjalimi hapës u mbajt nga Presidenti i SAI-t të Sllovakisë z. Karol Mitrik, i cili ndër të tjera theksoi rëndësinë e energjisë mbi zhvillimin ekonomik, ndikimin e saj në klimë si dhe ruajtjen e parametrave mjedisore. Ai u shpreh se evente të tilla kontribuojnë dhe zhvillojnë edhe më tej punën e SAI-ve, pasi auditimet bashkëkohore shkojnë krah për krah me shkëmbimin e eksperiencës ndërkombëtare, ndarjen e informacioneve dhe praktikave më të mira me njëri - tjetrin, por edhe duke mësuar nga gabimet e njëri - tjetrit duke qenë se këto gabime mund të kenë pasoja të tjera në aspektin e buxheteve publike ose në përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare.

bratislav1

Seminari ishte ndarë në katër sesione kryesore dhe në çdo sesion prezantoheshin 3-4 prezantime. Të gjitha prezantimet ishin përqëndruar në rëndësinë e përdorimit të burimeve të rinovueshme të energjisë, reduktimin e gazeve serë gjatë prodhimit të energjisë, eficiencën e energjisë si dhe fokusimin në të ardhmen të Institucioneve Supreme të Auditimit mbi këto tematika. Prezantimi i parë me temë “Objektivat e Paketës Ligjore – Energji e pastër për të gjithë europianët” u mbajt nga Znj. Lidia Vasakova, e cila është njëkohësisht përfaqësuesja e Komisionit Europian në Sllovaki. Kjo paketë është në axhendën kryesore të Komisionit Europian, ku një ndër objektivat kryesore të saj është që deri në 2030, 50 % e energjisë të prodhohet nga burimet e rinovueshme. Prezantimi i dytë u mbajt nga z. Miroslav Marias i cili vinte si përfaqësues i Ministrisë së Ekonomisë së Sllovakisë. Ai bëri një përshkrim të situatës energjitike në Sllovaki mbi sfidat dhe mundësitë që ofron ky vend në prodhimin e energjisë. Sesioni i parë u mbyll me prezantimin e Ekspertit të ECA-s, z. Olivier Prigent i cili u fokusua kryesisht në auditimet dhe raportet që ECA ka zhvilluar mbi energjinë dhe klimën, eksperiencën e institucioneve përgjegjëse si dhe punën e SAI-ve europiane lidhur me këto çështje. Më tej gjatë këtij seminari u shfaqën edhe dy video  – prezantime respektivisht mbi rëndësinë e përdorimit të burimeve alternative të energjisë si dhe mbi punën audituese të zhvilluar nga SAI i Kinës mbi energjinë në vitet e fundit.

Grupi i KLSH-së, në këtë seminar u përfaqësua nga z. Bashkim Arizaj, Kryeuaditues në Drejtorinë e Auditimit të Institucioneve Qendrore, z. Aulent Guri, Kryeauditues në Departamentin e Performancës dhe z. Idlir Dervishi, Auditues në Drejtorinë e Teknologjisë së Informacionit dhe Projekteve të Huaja. Z. Aulent Guri gjatë prezantimit të tij me temë “Situata dhe sfidat e burimeve të rinovueshme në Shqipëri”, krahas njohjes së pjesëmarrësve me auditimet që KLSH ka zhvilluar këto vitet e fundit mbi energjinë dhe aspektet klimatike si ajri etj., bëri një përshkrim më të hollësishëm të problemeve kryesore që lidhen me përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë si ajo e ujit, erës, mbetjeve etj. Ajo që zgjoi interes tek të pranishmit dhe ku u diskutua edhe pas përfundimit të sesionit përkatës është shfrytëzimi i rreth 97 % i sasisë totale vjetore të ujit të lumenjve të Shqipërisë për prodhimin e energjisë. Ky kriter i cili është vendosur në Ligjin Nr. 111/2012, Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore, neni 39, pika 4, i lejon kompanitë që gjenerojnë energji nga uji të marrin rreth 97 % të sasisë totale vjetore nga lumenjtë. Duke qenë një situatë e paprecedentë z. Guri shtroi pyetjen nëse raste të tilla ekzistojnë ne vende të ndryshme europiane apo nëse ka praktika më të mira mbi përdorimin e burimeve ujore për prodhimin e energjisë. Kolegë auditues nga SAI i Austrisë sollën shembullin pozitiv të vendit të tyre, duke bërë të qartë se kompanitë që prodhojnë energji nga uji mund të marrin vetëm 30 % të sasisë totale vjetore të prurjes e cila ishte e njëjtë me rekomandimin që u bë në këtë prezantim nga z. Guri i cili ndër të tjera theksoi se sasia totale e prurjes duhet të ndahet në mënyrë të barabartë midis prurjes ekologjike, prurjes energjitike dhe prurjes për përdorim bujqësor. Në vazhdim të këtij prezantimi u prek rëndësia dhe mundësitë që Shqipëria ka për përdorimin e burimeve alternative të energjisë si për shembull energjia nga era, dielli, biomasa por dhe energjia gjeotermike.

bratislav2

Auditues nga SAI i Çekisë, Sllovakisë dhe Biellorusisë referuan gjithashtu për të ndarë eksperiencën e tyre mbi këto tematika por dhe për të ofruar bashkëpunime në fusha të ngjashme në të ardhmen. Veç energjisë, disa prezantime ishin fokusuar edhe në aspektet klimatike, ndikimin e energjisë mbi klimën si dhe në emetimet e dioksidit të karbonit nga aktivitetet industriale. Shqipëria është një nga vendet më të rrezikuara sa i përket skenarëve të ndryshimeve klimatike lidhur me rritjen e temperaturave deri në 2-3OC në 100 vitet e ardhshme, ndryshimin e reshjeve, shtimin e katastrofave natyrore etj., dhe kjo u pa edhe gjatë prezantimit nga eksperti i ECA-s z. Prigent. ECA, duke qenë një institucion europian ka bashkëpunuar ngushtë me institucione të tjera ndërkombëtare si Komisionin Europian, Agjencinë Europiane të Mjedisit - EEA, Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik - OECD, Konventën Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike – UNFCCC, të cilat janë institucionet lider mbi energjinë dhe klimën.  Prezantimet e fundit erdhën nga kompanitë e prodhimit të energjisë, të cilat kudo në botë konsiderohen si një aleat shumë i rëndësishëm në luftën për të patur energji të pastër sot e në të ardhmen. Seminari u mbyll përsëri nga Presidenti i SAI-t të Sllovakisë z. Mitrik, i cili përveç se falenderoi të gjithë pjesëmarrësit për prezantimet, diskutimet dhe eksperiencën që ndanë me njëri - tjetrin, ftoi të gjitha SAI-t pjesëmarrëse në këtë seminar për të prioritizuar çështjet e energjisë dhe klimës në axhendën e tyre audituese në të ardhmen.