Trajnime nga institucionet nderkombetare

Auditues të KLSH-së marrin pjesë në Workshop-in “Metodologjia e Auditimit IT” zhvilluar në Beograd

Në datat 12-13 dhjetor 2017, audituesit e KLSH-së, Benard Haka dhe Rigels Guzi morën pjesë në workshopin “IT Audit Methodology” të zhvilluar në Beograd, Serbi. Ky workshop u organizua nga Institucioni Shtetëror i Auditimit të Serbisë (SAI Serbia) në bashkëpunim me UNDP (United Nation Developement Program) dhe Swiss Agency for Development and Cooperation SDC.

Në Konferencë morën pjesë përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit si SAI i Rumanisë, SAI i Bosnje Hercegovinës, SAI i Malit të Zi, SAI i Serbisë dhe SAI i Shqipërisë.

serbi1 serbi2

Tema kryesore e Workshop-it ishte “Metodologjia e Auditimit të Teknologjisë së Informacionit”, si një nga sfidat kryesore me të cilat përballen audituesit IT gjatë punës së tyre audituese.

Workshopi u hap me fjalën përshëndetëse të z. Radoslav Stretenovic, President i SAI-t të Serbisë, i cili theksoi rëndësinë e organizimit të këtyre workshop-eve si një nga mënyrat efektive për të ndarë eksperiencat më të mira ndërmjet SAI-ve, për të mësuar nga njëri-tjetri.

Në ditën e parë u prezantuan metodologjitë praktike që përdor secili SAI për zhvillimin e auditimeve të teknologjisë së informacionit, ku pothuajse të gjitha SAI-t pjesëmarrëse përdornin, Manualin e Auditimit IT, COBIT 4.1 dhe standardet ndërkombëtare të auditimit IT.

Ajo që u vu re gjatë prezantimeve ishte se, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe SAI i Rumanisë ishin të vetmet SAI-je që e zhvillojnë auditimin IT si një auditim të veçuar siç zhvillohen edhe auditimet e tjera (Përputhshmërie, Financiar, Performance).

Nga përfaqësuesit e KLSH ndër të tjera u prezantuan, manuali aktiv i auditimit të teknologjisë së informacionit, trajnimet dhe misionet me ekspertet, si rezultat i Projektit IPA. Gjithashtu u prezantua dhe përkthimi i manualit të Auditimit IT dhe Cobit 4.1 në gjuhën shqipe si një nga metodologjitë bazë ku mbështet procesi i auditimit IT në KLSH.

U prezantua edhe krijimi i linjës së parë mbështetëse të audituesve të trajnuar, (pjesë të departamenteve të tjera në KLSH), për të dhënë suportin e duhur grupeve të auditimit sipas departamentit përkatës. Një gjë e tillë u vlerësua nga pjesëmarrësit si një metodë efektive për menaxhimin e kohës audituese.

Gjatë diskutimeve të zhvilluara në workshop u vu re domosdoshmëria e ndërtimit të strategjisë mbi auditimin IT si dhe metodologjia e auditimit të teknologjisë së informacionit sipas specifikave të secilit SAI. 

Në ditën e dytë u prezantuan auditimet IT konkrete të zhvilluara, mbi problematikat e hasura, gjetjet dhe rekomandimet, gjatë auditimeve IT të ndërmarra nga eksperienca e secilit SAI. Përfaqësuesit e KLSH prezantuan një nga auditimet IT të zhvilluara nga Drejtoria e Auditimit të Teknologjisë së Informacionit, nga ku pati vëmendjen e të gjithë pjesëmarrësve duke qenë se ishte auditim i mirëfilltë IT.
 
Në përmbyllje të ditës së dytë të workshopit u diskutua rreth problematikave, përmirësimeve dhe hapave që mund të ndërmarrë secili SAI në të ardhmen për përmirësimin e procesit të auditimit IT.

Si përfundim mund të themi që procesi i Auditimit të Teknologjisë së Informacionit do të ketë gjithmonë hapësira për përmirësime për aq kohë sa Teknologjia e Informacionit të ketë zhvillim të vrullshëm.