KLSH merr pjesë në Seminarin “Integriteti Ndërkombëtar Anti-korrupsion” organizuar nga SAO i Hungarisë
Në datat 5-9 Mars, Zyra Shtetërore e Auditimit të Hungarisë organizoi në Szarvas të Hungarisë Seminarin e Integritetit Ndërkombëtar Anti-korrupsion. Në këtë seminar morën pjesë më shumë se dyzet ekspertë të SAI- ve nga 25 vende të Evropës Juglindore, Azisë, Afrikës si dhe Amerikës Jugore e Qëndrore. Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë aktivitet nga Znj. Elira Elezi dhe Znj. Safete Pojani, Juriste në Departamentin Juridik.
Ky ishte seminari i pestë i organizuar nga SAO Hungarisë që prej vitit 2014, vit i cili shënoi fillimin e kësaj iniciative kombëtare mbi integritetin. Qëllimi kryesor i këtij seminari, ishte mbështetja në luftën kundër korrupsionit të institucioneve supreme të auditimit në vendet në zhvillim, promovimi i kulturës administrative të bazuar në integritet si dhe rritja e transparencës në aparatin shtetëror.
Gjatë seminarit, pjesëmarrësit u njohën kryesisht me metodologjinë e anketimit mbi integritetin dhe gjithashtu praktikuan nëpërmjet punës në grup, elementët më të rëndësishëm të implementimit të një anketimi të suksesshëm si: identifikimi i risqeve të korrupsionit në sferën publike, vlerësimin e kontrolleve të ndryshme të cilat mbrojnë nga korrupsioni, plotësimin e pyetësorëve të cilat janë bazat e anketimit si dhe vlerësimin dhe përdorimin e rezultateve të arritura.
SAI Hungarez ka arritur që ta shtrijë këtë “model anketimi” në të gjithë sektorin publik të Hungarisë, duke e konsideruar atë si pjesë të misionit të tij në luftën kundër korrupsionit. Auditimi i integritetit të sektorit publik nga ana e SAI-it Hungarez përshtatet më së miri dhe me strategjinë e këtij institucioni në të cilën integriteti, transparenca, përgjegjshmëria në lidhje me fondet publike, si dhe roli i tyre në luftën kundër korrupsionit kanë një rëndësi të veçantë.
Në ditën e parë të seminarit, Presidenti i SAO Z. László Domokos, theksoi se etika dhe integriteti në nivelet drejtuese dhe lidership është një nga mjetet më të rëndësishme të vendosjes së integritetit organizativ. Ndërmjet prezantuesve në Konferencën e hapjes ishte edhe Kryetarja e Zyrës Kombëtare të Gjyqësorit Znj. Tünde Handó, Drejtori i Përgjithshëm i Iniciativës për Zhvillim (IDI) në Organizatën Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit, si dhe Zëvendës Auditori i Përgjithshëm i Zyrës së Auditimit të Shtetit të Vietnamit, Kryetar i ASOSAI (Organizata Aziatike e Institucioneve Supreme të Auditimit) për periudhën 2018-2021. Në këtë konferencë mori pjesë gjithashtu një delegacion i përbërë nga shtatë zyrtarë ekzekutivë të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Vietnamit, si dhe dy ekspertë të Zyrës Presidenciale të INTOSAI-t në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në vazhdim, Presidenti László Domokos prezantoi aktivitetet dhe rolin e SAO në luftën kundër korrupsionit duke përmendur se një numër prej 3.346 institucionesh buxhetore dhe qeverishë lokale të Hungarisë morën pjesë në Anketimin Vjetor të Integritetit të SAO-s në vitin 2017, një përqindje kjo që përkthehet në rreth 60% të punësimit total të sektorit publik hungarez. Kryetari i SAO-s njoftoi gjithashtu se SAO do të ofronte kursimet e saj buxhetore të vitit 2016 (rreth 110,000 dollarë) në programin e Iniciativës për Zhvillim të INTOSAI (IDI), që synonte trajnimin e liderëve të rinj të SAI-t.
Gjatë ditëve të tjera të zhvillimit të seminarit, pjesëmarrësit ndoqën leksione dhe prezantime nga përfaqësues të SAO-s Hungarez. Lektorët folën në lidhje me auditimin e integritetit në sektorin publik si dhe rolin e tij në luftën kundër korrupsionit.
Gjatë seminarit pjesëmarrësit u angazhuan në grupe pune të veçanta, për tu familjarizuar më tepër me bazat teorike, metodologjinë, rezultatet më të fundit dhe eksperiencat e anketimit të integritetit, për të shkëmbyer me njëri tjetrin përvojat në SAI-et e tyre respektive. Gjithashtu ata folën për rolin e SAI-eve në promovimin e qeverisjes së mirë, luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e besimit publik. Ndërmjet një sërë synimesh të INTOSAI-it, u theksua rëndësia e shkëmbimit të njohurive dhe praktikave më të mira midis SAI-eve, duke nënvizuar që INTOSAI duhet të udhëheqë nëpërmjet shembujve konkret në luftën kundër korrupsionit.
Në këtë seminar, SAO prezantoi për herë të parë modelin Iceberg (Akullnajë), duke ilustruar përgjegjësitë e një institucioni suprem të auditimit, si dhe përgjegjësitë dhe detyrat e aktorëve legjislativë dhe ekzekutivë në krijimin e një integriteti bazuar në sistemin e Administratës Publike Hungareze.
Z. Balint Vargha, Auditues në Zyrën Shtetërore të auditimit të Hungarisë, njohu pjesëmarrësit me metodologjinë e sondazhit, duke ofruar gjithashtu një pasqyrë të aktiviteteve në "krye" të Ajsbergut. Përveç kësaj, pjesëmarrësve iu prezantua një vështrim më i thellë në lidhje me rezultatet e pyetësorit, me vlerësimin e integritetit në auditimet e SAO-s, aktivitetin e komunikimit të SAO-së dhe mjete të ndryshme inovative të komunikimit, që në mënyrë efektive kontribuojnë në përmirësimin e transparencës financiare publike, duke konsoliduar kështu kulturën administrative të integritetit në vendet e tyre. Sensibilizimi dhe rritja e ndërgjegjësimit janë faza të rëndësishme që gjenden poshtë ajsbergut. Këto faza synojnë rritjen e kapaciteteve institucionale, duke i mundësuar secilit organ publik të kujdeset për integritetin e tij.
Një prezantim të veçantë ishte edhe ai i Z. Péter Klotz PhD, profesor në Universitetin Kombëtar të Shërbimit Publik të Hungarisë, universitet i cili është përgjegjës për edukimin e nëpunësve civilë, punonjësve të zbatimit të ligjit dhe oficerëve ushtarakë. Duke njohur rëndësinë e integritetit në sektorin publik, Universiteti Kombëtar i Shërbimit Publik ka filluar të ofrojë lloje të ndryshme të trajnimeve të integritetit për nëpunësit civilë gjatë viteve të fundit. Programi kryesor është ai i trajnimit pasuniversitar të “Këshilltarit për Integritetin”, një program edukimi njëvjeçar për profesionistët e karrierës së mesme. Këshilltarët për integritetin analizojnë dhe menaxhojnë vlerësimin e riskut, duke përfshirë integritetin dhe rreziqet kundër korrupsionit. Për më tepër, ata mbështesin aktorët kyç të brendshëm në këtë proces dhe janë përgjegjës për zbatimin e planeve organizative të ndërveprimit të integritetit. Këshilltarët e integritetit nuk duhet të kenë vetëm njohuri të forta profesionale, por gjithashtu duhet të kenë edhe bashkëpunim të mirë, aftësi sociale, etikë pune dhe integritet. Për të përmbushur këto kërkesa të veçanta, tashmë zhvillohet një formë e re e edukimit të këshilltarëve e cila fokusohet jo vetëm në përmirësimin e njohurive teorike, por edhe në arritjen e vlerave, aftësive dhe kompetencave drejtuese. Prezantimi ofroi një pasqyrë në përmbajtjen dhe metodologjinë e trajnimit të integritetit të Universitetit Kombëtar të Shërbimit Publik dhe vijoi me punë në grup dhe shembuj të zbatimeve në praktikë.
Në ditën e fundit të seminarit pjesëmarrësit iu nënshtruan një testimi përmbyllës në lidhje me njohuritë e marra përgjatë leksioneve. Të gjithë pjesëmarrësit e përfunduan testin me sukses dhe në fund, drejtuesit e projektit shpërndanë çertifikatat përkatëse.