Trajnime nga institucionet nderkombetare

KLSH merr pjesë në trajnimin mbi komunikimin në CEF, Lubjanë.

Në datat 22-24 maj 2018, në Qendrën për Ekselencë në Financë, në Lubjanë të Sllovenisë, u mbajt trajnimi “Përmirësimi i aftësive të komunikimit të folur dhe të shkruar”. Në këtë trajnim morën pjesë specialist dhe drejtues të departamenteve të komunikimit me mediat, publikun dhe marrëdhënieve me jashtë të institucioneve financiare të rajonit. Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë aktivitet nga z. Brenton Kotorri, Specialist në Drejtorinë e Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë.

trajnim lubjan1

Gjatë ditës së parë të trajnimit, Znj. Mary Gregg, eksperte e komunikimit institucional nga Administrata Tatimore e Irlandës, parashtroi për pjesëmarrësit, disa nga teknikat e të shkruarit institucional, të cilat nëse aplikohen përmirësojnë komunikimin efektiv.
 
Dita e dytë e trajnimit u fokusua tek menaxhimi i deklaratave për shtyp dhe situatave të krizave. Z. David Curtin, ekspert nga “Carr Communications” – Irlandë, trajnoi pjesëmarrësit me simulime të situatave konkrete të cilat duhen menaxhuar në përditshmërinë e punës me mediat dhe publikun.

Trajnimi u realizua më së shumti përmes interaktivitetit dhe detyrave praktike. Në ditën e tretë të trajnimit, z. Brenton Kotorri u ftua përkrah trajnuesve për të ndarë me pjesëmarrësit për rreth një orë disa këshilla praktike mbi komunikimin politik, gjuhën e trupit dhe menaxhimin e imazhit në studio televizive.

trajnim lubjan2

Pjesëmarrja e KLSH në trajnimet cilësore të CEF ka qenë e suksesshme në vazhdimësi, dhe pritet që audituesit e KLSH të vijojnë të përfaqësojnë denjësisht institucionin në këto aktivitete.