Trajnime nga institucionet nderkombetare

KLSH merr pjesë në seminarin e zhvilluar në Luksemburg, nga Instituti Europian i Administratës Publike, për praktikat Europiane të prokurimit publik

Në datat 7 - 8 nëntor 2018, u zhvillua në Luksemburg, nga Instituti Europian i Administratës Publike (EIPA), i cili ndodhet në Maastricht Hollandë,  seminari me temë “Mbi praktikat më të mira dhe auditimi i procesit të prokurimit publik të Bashkimit Europian”.
Qëllimi kryesor i EIPA - s, është ofrimi i kurseve cilësore të trajnimit, për të zhvilluar kapacitetet e profesionistëve, administratave publike kombëtare dhe rajonale që merren me çështjet e BE-së, si dhe me institucionet evropiane. EIPA ofron ekspertizë të gjatë, të kombinuar me module të mësimdhënies të bazuara në probleme dhe praktika.

Seminari u drejtua nga Rita Beuter, eksperte e lartë në Njësinë e Politikave, me titull master në administratën publike, Michael Burnett, Ekspert i Menaxhimit Publik Europian, të EIPA-s, asistent drejtor i KPMG, me titull master në administratën publike dhe Dr. Peter Braun, anëtar i grupit të prokurimit publik të Universitetit të Notingamit si dhe anëtar i bordit të rishikimit të ligjeve të prokurimit publik të Bashkimit Europian.
Në këtë seminar morën pjesë auditues të ECA (Gjykata Europiane e Audituesve) si dhe  nga shtete si Bullgaria, Maqedonia, Sllovakia. Nga Shqipëria morën pjesë audituesit e KLSH-së Aldo Kume dhe Lolita Baholli.

Në këtë seminar u trajtua objektiva në lidhje me prokurimin publik  “Europa 2020”, e cila ka të bëjë me arritjen e një sistemi inteligjent të qëndrueshëm të prokurimit, duke siguruar sa më shumë eficencë të fondeve publike, rritja e eficencës së shpenzimeve publike, lehtësimin dhe krijimin e mundësive për pjesëmarrje në procedura, përdorimi i prokurimit si një mbështetës i qëllimeve të përbashkëta sociale si dhe sigurimi i një qartësie ligjore.
Programi i trajnimit u bazua në rregullat e prokurimit publik europian sipas direktivës 2014/24/EU, nëpërmjet kombinimit të rasteve studimore si dhe zgjedhjeve të shumëfishta duke përfshirë edhe dokumentacionin përkatës rast pas rasti.

Gjatë dy ditëve të këtij takimi u zhvilluan temat mbi:
• Kuptimi i objektivave për çdo faze të prokurimit publik
• Ndryshimet, rrisqet dhe adresimi i tyre,  për çdo faze të prokurimit publik.
• Rregullat etike të prokurimit  të ECA-s dhe INTOSAI-t si dhe zbatimi i ISSAI 30 në të gjitha procedurat e prokurimit.
• Kuptimi i praktikave më të mira, bazuar në rastet ligjore të Gjykatës Europiane të Drejtësisë (CJE).

Ky trajnim u zhvillua në dy ditë, ku në ditën e parë u trajtua direktiva 2014/24/EU si dhe planifikimi dhe përgatitja e prokurimit, bazuar në rregullat europiane mbi prokurimin publik si p.sh. qëllimi dhe objektivat e kontratës, përzgjedhja e procedurës, afatet e prokurimit, përgatitja e specifikimeve teknike, marrja e informacionit për operatorët ekonomikë, përcaktimi i mënyrës së vlerësimit me pikë i tyre, etj.
Në ditën e dytë u trajtuan çështje në lidhje me finalizimin e dokumenteve të tenderit, përgjigjet e kërkesave të kandidatëve për to, hapja e procedurës, vlerësimi i ofertave si dhe zgjedhje e ofertës fituese.

Në fund të ditës së dytë u trajtuan çështje në lidhje me fazën e ekzekutimit të kontratës, në lidhje me menaxhimin e saj dhe shtesat e mundshme. Një vend të rëndësishëm kishte monitorimi i kontratës që të sigurohet performanca e saj, nëse vlera për para është realizuar, sigurimi nëse kushtet e përgjithshme dhe të veçanta të kontratës janë plotësuar, rënia dakord mbi ndërprerjen e kontratës si dhe mënyrat e modifikimit të saj pa procedurë të re prokurimi, në rastet kur është e lejueshme.

Gjatë dy ditëve të seminarit një vend të rëndësishëm zuri rroli i prokurimit si një mjet antikorrupsion.
U diskutua mbi dimensionet e korrupsionit në prokurim të cilat janë korrupsioni nga autoriteti kontraktor (që është politik dhe operacional) si dhe korrupsioni nga operatorët ekonomikë.  Një praktikë e mirë prokurimi është një tregues i fortë për nivel të ulët korrupsioni. Por prokurimi publik nuk mund të jetë i vetmi mjet dhe nuk mund të funksionojë me efektivitet pa një kuadër ligjor qeveritar të mirë, pa kod etik të prokurimit, pa një buxhet efektiv, menaxhim financiar të mirë si dhe me një auditim efektiv.

Seminari pati shumë interes, pasi çështjet e trajtuara kishin të bënin me mënyrën e auditimit, u zhvillua interaktiv, me shembuj të ndryshme për tipe kontratash të zbatuara nga vende të ndryshme të BE-së dhe me diskutime mbi to.