Përfaqësues të KLSH ndjekin webinarin me temë "Raportimi jo-financiar (NFR) dhe raportimi i integruar (IR) në Sektorin Publik".
Në datën 30 shtator 2020, Konfederata Evropiane e Instituteve të Auditimit të Brendshëm (ECIIA) dhe EUROSAI organizuan webinar-in me temë , "Raportimi jo-financiar (NFR) dhe raportimi i integruar (IR) në Sektorin Publik". Për Kontrollin e Lartë të Shtetit ky webinar u ndoq nga Specialiste në Sektorin e Komunkimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me Jashtë, znj. Alma Shehu.
Raportimi jo-financiar i një kompanie ose institucioni është procesi i mbledhjes dhe publikimit të të dhënave mbi politikat që ata zbatojnë në lidhje me:
- mbrojtjen e mjedisit;
- përgjegjësitë sociale dhe trajtimin e punonjësve;
- respektimin e të drejtave të njeriut;
- luftën kundër korrupsionit dhe mashtrimit financiar;
- diversitetin në institucion për sa i përket moshës, gjinisë, nivelit arsimor dhe profesional.
Raportimi jo financiar tashmë kuptohet si pjesë e pandashme e raportimit të integruar, i cili është një komunikim konciz se si strategjitë, menaxhimi dhe performanca e një institucioni çojnë në krijimin e vlerës së shtuar për një periudhë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë duke i shërbyer kështu rritjes së transparencës dhe llogaridhënies.
Në këtë webinar referuan Presidenti i ECIIA, z. Malvyn Neate, Drejtuese e Grupit të Punës së EUROSAI- ECIIA për Auditimin e Brendshëm dhe Riskun, znj. Soledad Llamas, Profesori i Universitetit të Valencias, Dr. Vicente Montesinos Julve, Profesori i Universitetit Babes- Bolyai në Rumani, znj. Adriana Tiron –Tudor dhe përfaqësuesi i SAI-t të Holandës z. Martin Dees.
Në fokus të webinarit ishte implementimi konkret i Direktivës së BE 014/95/ EU “Publikimi i informacionit jofinanciar”, e cila kërkon që kompanitë e mëdha dhe institucionet të bëjnë publike informacione të caktuara për mënyrën se si operojnë dhe menaxhojnë sfidat sociale dhe mjedisore. Kjo i ndihmon investitorët, konsumatorët, opinionin publik, politikëbërësit dhe aktorët e tjerë të interesuar të vlerësojnë performancën jo financiare të tyre dhe i inkurajon ato të zhvillojnë qasje më të përgjegjshme.
Në këtë kontekst fillimisht u prezantuan rezultatet e pyetësorit të përgatitur nga Grupi i Punës së EUROSAI- ECIIA për Auditimin e Brendshëm dhe Riskun. Kështu raportohet se SAI i Holandës, Belgjikës, Çekisë dhe Estonisë janë ndër SAI-et më me eksperiencë në hartimin e raporteve të integruara që përmbajnë informacion të detajuar jo financiar për performancën e tyre. Si bazë për këto raport shërbejnë indikatorët e përcaktuar në Iniciativën Globale për Raportim, Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm dhe Pakti i Kombeve të Bashkuara.
Në webinar u theksua se hartimi i raporteve të integruara që përfshijnë edhe të dhëna jo financiare nga Institucionet Supreme të Auditimit ka një sërë përfitimesh. Këto raporte ndikojnë qenësisht në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës, i shërbejnë forcimit të marrëdhënieve me parlamentin dhe palët e tjera të interesit, si dhe përmirësojnë e zgjerojnë format e komunikimit të brendshëm dhe të jashtëm. Sfidat me të cilat ndeshen institucionet për hartimin e raporteve të integruara lidhen kryesisht me kërkesat e ndryshme për institucione të ndryshme për raportimin jo financiar, përcaktimin e materialitetit, dixhitalizimin, mungesën e standardeve të unifikuara, burimet e limituara financiare dhe mungesën e sigurisë së arsyeshme për këtë lloj raportimi.