Takimi i XVIII - të i Grupit të Punës mbi Auditimin e Mjedisit
Më datat 28 – 30 shtator 2020 u zhvillua, nëpërmjet platformës elektronike Cisco, takimi vjetor i XVIII - të i Grupit të Punës mbi Auditimin e Mjedisit (WGEA), organizuar nga Institucioni Suprem i Auditimit të Polonisë, takim i cili ishte parashikuar të mbahej në Varshavë po në të njëjtën periudhë.
Tema e takimi të këtij viti ishte: “Cilësia e ajrit dhe trafiku urban: problematikat dhe zgjidhjet e mundshme për çështjet e auditimit”.
Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë takim nga z. Artur Hasanbelliu, z. Aulent Guri dhe znj. Xhuljeta Çelaj, të cilët në vitin 2017 kanë kryer auditimin e performancës me temë “Cilësia e Ajrit”. Ky auditim u realizua në kuadër të auditimit paralel ndërkombëtar – EUROSAI Cooperative Audit on Air Quality - i cili u udhëhoq nga SAI holandez në bashkëpunim me SAI-n e Polonisë, në të cilin morën pjesë rreth 16 SAI nga vende të ndryshme të Europës.
Në këtë kuadër, grupi i auditimit përgatiti një prezantim mbi gjetjet dhe rekomandimet kryesore të këtij auditimi si edhe statusin e zbatimit të këtyre rekomandimeve, i cili u prezantua nga grupi i auditimit ditën e dytë të punimeve të Grupit të Punës mbi Auditimin e Mjedisit. Konkretisht në këtë prezantim u vendos një fokus i veçantë mbi efektivitetin e politikave qeveritare për të promovuar përmirësimin e cilësisë së ajrit në vendin tonë; mbi eficiencën e tyre dhe analizën kosto përfitim; si edhe analizimin e funksionit të monitorimit dhe inspektimit të cilësisë së ajrit në vendin tonë. Gjithashtu u prezantua edhe rasti studimor i këtij auditimi, i cili analizonte situatën e guroreve në zonën e Gurit të Bardhë (Ura Vajgurore) nga këndvështrimi i monitorimit dhe inspektimit nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve respektivisht, sa i takon respektimit të kritereve të vendosura në lejet përkatëse mjedisore, duke mos anashkaluar edhe impaktin social dhe shëndetësor të operimit të këtyre aktiviteteve ekonomike në mjedis të hapur në zonat e banuara përreth tyre. Organizimi i këtij takimi parashikonte prezantime nga institucionet supreme të auditimit të vendeve të tjera të cilat kanë qenë pjesë e auditimit paralel ndërkombëtar “Cooperative Audit on Air Quality”.