Trajnime nga institucionet nderkombetare

KLSH merr pjesë në takimin e IV të Task Forcës së EUROSAI mbi Auditimin e Bashkive

Në datën 19 nëntor,  u zhvillua takimi i IV i Task Forcës së Institucioneve Supreme të Auditimit të Europës (EUROSAI-TFMA) mbi Auditimin e Bashkive. E programuar fillimisht për t’u organizuar në Mal të Zi, për shkak të kushteve të pandemisë së COVID 2019, ky forum u zhvendos në platformat elektronike të komunikimit përmes një takimi virtual. Takimi mblodhi rreth vetes 60 pjesëmarrës nga 28 vende të Europës ndërsa Kontrolli i Lartë i Shtetit, në cilësinë e anëtarit të TFMA, u përfaqësua nga audituesi z.Redi Ametllari.

Task Forca e Institucioneve Supreme të Auditimit të Europës (EUROSAI)  konsiderohet si një nga takimet më të rëndësishëm në plejadën e aktiviteteve të zhvilluara nën siglën e EUROSAI-t dhe përfaqëson një nga forumet kryesore të EUROSAI-t në shkëmbimin e eksperiencave në lëmin e auditimit të bashkive.

ahmetllari

Takimi u çel me fjalën përshëndetëse të z. Mindaugas Macijauskas, Auditues i Përgjithshëm i SAI-t të Republikës së Lituanisë i cili theksoi se takimet e TFMA-së janë shndërruar në një traditë të pasur të bashkëpunimit mes SAI-ve të Europës. Më tej, gjatë fjalës së tij, z. Macijauskas vlerësoi kontributin e secilit SAI në punimet dhe studimet e kryera nga Task Forca mbi Auditimin e Bashkive,  të cilat sipas tij do të shërbejnë për të nxitur transparencën dhe llogaridhënien në një sferë të rëndësishme audituese, sikurse është auditimi i bashkive.

Në fokus të takimit ishin temat mbi analizimin krahasimor mes sistemeve të ndryshime të pushteti lokal në shtetet e Europës, mbikëqyrjen financiare të bashkive dhe kapacitetet buxhetore të pushtetit lokal për të ofruar shërbime cilësore për qytetarët.

Nën moderimin e znj.Jura Ivonaityte, nga SAI i Lituanisë, u prezantuan raportet mbi aktivitetet e TFMA-së, ku Kontrolli i Lartë i Shtetit kontribuoi në të gjitha aktivitetet dhe studimet si mëposhtë:

- Aktiviteti 1.7.3: Mbledhja dhe sistemi i informacionit rreth praktikë së përzgjedhjes së kampionit të auditimit;
- Aktiviteti 1.9.2.  Përditësimi i bazës së të dhënave mbi buxhetet e bashkive;
- Aktiviteti 1.9.3: Publikimi i të dhënave audituese mbi “Kompanitë me kapital shtetëror (vendor)”;
- Aktiviteti 2.2-2.3 “Analizimi i sistemeve të auditimit të jashtëm.

Në përmbyllje të aktivitetit, anëtarët e TFMA-së miratuan në mënyrë unanime Vizionin e Task Forcës për periudhën 2021-2023 si dhe u diskutua në parim mbi idenë e zhvillimit të auditimeve paralele dhe të përbashkëta në fushën e çështjeve që kanë të bëjnë me pushtetin local.