Muaj i hapur 2018

Muaji i hapur në KLSH çelet me leksionin “Burimet, Kategoria, Projekti, Zhvillimi”

25.10.2018

Në përmbushje të misionit të tij për informimin e publikut dhe Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me përdorimin e burimeve me ekonomicitet, efektivitet dhe efiçiencë nga pushteti qendror dhe lokal dhe nga njësi të tjera publike si dhe në zbatim të ISSAI 12 “Vlerat dhe Dobitë e SAI-ve – Sjellja e ndryshimeve në jetën e qytetarëve”  në të cilin theksohet se “SAI-et duhet të komunikojnë në mënyrë të tillë që të rrisin njohuritë e palëve të interesit, në mënyrë që ata të kuptojnë rolin dhe përgjegjësitë e SAI-t, si një auditues i pavarur i sektorit publik” dhe  “Komunikimi i SAI-ve duhet të kontribuojë në vetëdijen e palëve të interesuara për nevojën që ata kanë për transparencën dhe llogaridhënien në sektorin publik”, Kontrolli i Lartë i Shtetit çeli në datën 25 tetor 2018 muajin e hapur, në të cilin publiku i gjerë dhe palët e interesuara do të kenë mundësinë të njihen me aktivitetin e tij përgjatë një muaji, deri në datën 14 dhjetor.

Ky aktivet u lançua nga Kryetari i KLSH-së z. Leskaj, i cili theksoi se nëpërmjet aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtij muaji qytetarët dhe publiku i gjerë do të kenë mundësi të njihen me aktivitetin auditues të kryer gjatë vitit 2018, raportet e auditimit, të cilat KLSH ia ka paraqitur Kuvendit, të tilla si raporti i Performancës së KLSH dhe Raporti i Buxhetit Faktik, bashkëpunimin e KLSH me institucionet e tjera shtetërore dhe shoqërinë civile dhe  botimet e publikuara gjatë vitit 2018.

Muaji i hapur filloi me leksionin e Prof.Dr.Skënder Osmanit dhe Dr.Bujar Leskaj me temë “Burimet, Kategoria, Projekti, Zhvillimi”. Duke vlerësuar kontributin dhe veprimtarinë e z. Osmani në Fakultetin e Gjeologji-Minierave, z. Leskaj theksoi se leksionet e Prof. Osmanit për audituesit e KLSH janë vlerë e shtuar për zhvillimin e tyre profesional.

sosmani

Në leksionin e tij Prof. Osmani theksoi fillimisht rëndësinë që ka marrë në 10 vitet e fundit teoria e kategorisë matematike, e cila ka lindur qysh në vitin 1945 dhe evidentoi faktin që ky leksion do të fokusohet në kategorinë matematike, në këndvështrimin  e burimeve dhe projekteve të tyre. Në teorinë e kategorisë matematike dhe atë të menaxhimit këto tre elementë janë të përgjithshëm.

Teoria e kategorisë matematike –vijoi Prof.Skënder Osmani-ka lidhje dhe me disiplina të tjera siç janë topologjia, algjebra, etj, ndërsa menaxhimi lidhet me kërkimet operacionale, optimizmin me shumë kritere, etj. Këto dy disiplina kanë të përbashkët projektin dhe zhvillimin e tij.

Në përfundim, mund të thuhet se studimi i çdo veprimtarie njerëzore nuk është i plotë nëse nuk strukturoret në kategori dhe në modelin përkatës të optimizmit; në kuptimin më të gjerë jeta është projekt, kategori. Teoria e kategorisë matematike është me rëndësi, veçanërisht në fakultetet e matematikës, inxhinierisë, ekonomisë, shkencave politike, sociale, etj.

Parë rëndësinë dhe zhvillimin e shpejtë të teorisë së kategorive dhe përfshirjen e saj në kurikulat e disa universiteteve, shqyrtimi i aspekteve pozitive të kategorisë dhe optimizmit është një problematikë që kërkon studime si në përmbajtje, ashtu edhe në strukturë.

Teoria e kategorive ka gjithashtu një rëndësi të posaçme edhe për strategjinë kombëtare të zhvillimit të një vendi, buxhetin e shtetit, reformat kombëtare, koncesionet, prokurimet, etj.

Gjatë leksionit në të cilin, morëm pjesë auditues të departamenteve të ndryshme të auditimit u adresuan  pyetje të ndryshme dhe audituesit e KLSH-së sollën shembuj nga auditimi, duke iu referuar teorisë së kategorive.