KLSH nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me ILDKPKI
29.10.2018
Në datën 26 tetor 2018, në mjediset e KLSH u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit midis Kontrollit të Lartë të Shtetit përfaqësuar nga Kryetari, Z. Bujar Leskaj dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, përfaqësuar nga z. Shkëlqim Ganaj.
Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje, z. Leskaj u shpreh se synimi i nënshkrimit të saj është thellimi i mëtejshëm i një bashkëpunimi shumëvjeçar i cili i ka shërbyer rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike dhe drejtuesve të tyre dhe luftës pa kompromis kundër korrupsionit. Marrëveshja zyrtarizon përfshirjen e inspektorëve të ILDKPKI në grupet e auditimit të KLSH dhe sinergjizimin e programeve trajnuese për tema me interes të përbashkët. Ekspertiza e inspektorëve të ILDKPKI do të jetë një vlerë e shtuar për punën e grupeve të auditimit, të cilët përveçse kanë identifikuar dhe vazhdojnë të identifikojnë raste të përdorimit të parave publike për të identifikuar konfliktet e interesit, në të cilat janë përfshirë zyrtare të lartë përgjegjës për menaxhimin e parave te taksapaguesve shqiptarë. Z. Leskaj shprehu vlerësimin e tij më të lartë për veprimtarinë e ILDKPKI duke theksuar se ky institucion në 3 vitet e fundit ka intensifikuar luftën kundër korrupsionit të zyrtareve të lartë.
Z. Ganaj duke falënderuar z. Leskaj dhe institucionin e KLSH për bashkëpunimin e frytshëm midis dy institucioneve vlerësoi qasjen pa kompromis për të evidentuar çdo rast të shpërdorimit të fondeve publike. Ai theksoi se ndryshimi rrënjësor që ka pësuar institucioni i KLSH gjatë viteve të fundit është i dukshëm dhe publiku tashmë e percepton atë si një institucion serioz që punon për përmbushjen e misionit të tij kushtetues.
Marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar midis dy institucioneve është plotësim i marrëveshjes së nënshkruar në vitin 2012. Kjo marrëveshje nënshkruhet edhe në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të Progres Raportit të KE-së, për të cilat KLSH ka hartuar një plan veprimi për zbatimin e tyre, në të cilin një prej pikave i referohet edhe rekomandimit që lidhet me bashkëpunimin me ILDKPKI, lidhur me kryerjen e trajnimeve të përbashkëta të të dy institucioneve, referuar çështjeve që lidhen me konfliktin e interesave gjatë procedurave të prokurimit. Nënshkrimi i marrëveshjes bëhet edhe në kuadër të Muajit të hapur që po organizon KLSH në periudhën 25 tetor-14 dhjetor