Aktivitete të zhvilluara në KLSH me rastin e Muajit të Hapur
09.11.2017
Mbështetur në standardin ndërkombëtar të Institucioneve Supreme të Auditimit, ISSAI 12, “Vlerat dhe dobitë e Institucioneve Supreme të Auditimit- të bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve” dhe me qëllim njohjen më të plotë dhe të drejtpërdrejtë të veprimtarisë së Institucionit nga qytetarët, si edhe në kuadër të transparencës dhe njohjes së ndërsjellë të punës mes Departamenteve të auditimit në institucion, Kontrolli i Lartë i Shtetit organizon Muajin e Hapur për Qytetarët, në datat 7 Nëntor- 11 Dhjetor 2017.
Muaji i hapur u çel me takimin e zhvilluar nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj me ish Kryetarin e këtij institucioni, z. Blerim Çela dhe auditues me eksperiencë. Në takim u diskutuar evoluimi i institucionit në 25 vitet e fundit, sfidat me të cilat përballet KLSH dhe hapat konkrete që janë ndërmarrë për përballimin e këtyre sfidave.
Në datën 7 nëntor 2017, në ambientet e Akademisë së Shkencave u zhvillua aktiviteti i prezantimit të botimit të KLSH-së “Korniza e matjes së përformancës së SAI-ve”. Në prezantimin e mbajtur nga Drejtori i Përgjithshëm, znj. Lindita Milo u theksua se dokument përbën një instrument jetik, i cili nëpërmjet realizmit të procesit të vlerësimit të gjithë aspekteve të aktivitetit të institucionit më të lartë të auditimit publik, mundëson realizimin e një ekzaminimi të detajuar të nivelit të plotësimit të standardeve të krahasuar sipas një sistemi të ndërtuar nga INTOSAI. Korniza e Matjes së Performancës së SAI-ve është një platformë universale dhe mund të zbatohet në të gjitha llojet e SAI-ve, pavarësisht nga struktura e qeverisjes, mandati, konteksti kombëtar dhe niveli i zhvillimit. Korniza shërben, para së gjithash, për të kontribuar në përmirësimin e kapaciteteve të SAI-t, përmes matjes së performancës dhe identifikimit të mundësive për të forcuar dhe monitoruar performancën e SAI-t, duke forcuar llogaridhënien. rritjen e ekonomicitetit, eficiencës dhe efektivitetit në menaxhimin e burimeve të vëna në dispozicion, duke realizuar misionin e tij si një vlerë e shtuar për qytetarët shqiptarë.
Prej tre vitesh KLSH e kryen matjen e performancës së aktivitetit të tij nëpërmjet përdorimit të instrumentit të vetëvlerësimit IntoSAINT si edhe nëpërmjet kryerjes gjatë vitit 2016 të peer review nga kolegët e SAI të Austrisë. Procesi i ‘Peer Review’ i realizuar nga Gjykata Austriake e Auditimit që kishte si subjekt pavarësinë institucionale fushë konkludoi me pikëzimin maksimal.
Për ti bërë më të qartë publikut se si institucioni e KLSH e kryen procesin e matjes së performancës, kriteret e përdorura dhe përfundimet e nxjerra nga ky proces, në aktivitet ishin ftuar të merrnin pjesë edhe përfaqësues të media.
Në këtë aktivitet morën pjesë gjithashtu Drejtues të KLSH, Kryeauditues, auditues dhe ekspertë të jashtëm.
Në datën 8 nëntor 2017 u zhvillua në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit aktiviteti i “Prezantimi i buxhetit faktik për vitin 2016”. Drejtori i Përgjithshëm, znj. Manola Naço dhe Drejtori i Departamentit së Auditimit të Buxhetit të Shtetit, z. Azmi Stringa në prezantimin e buxhetit faktik të vitit 2016 theksuan se nga shqyrtimi i përdorimit të buxhetit nga qeveria KLSH, ka arritur në Opinionin e Përgjithshëm se “Zbatimi i Buxhetit të Shtetit për vitin 2016, duke nisur nga përgatitja, shqyrtimi dhe miratimi i buxhetit të vitit 2016, zbatimi, ndjekja dhe rishikimi i tij, të drejtat dhe kufizimet për huamarrjen, garancitë dhe format e tjera të rrjedhura prej tyre si dhe kontrolli, kontabiliteti, raportimi dhe auditimi i këtij buxheti, në terma procedurialë respektojnë kërkesat e ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit “Për buxhetin e shtetit të vitit 2016”, të ndryshuar, si dhe të ligjit “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin”.
Në këtë raport KLSH, në funksion të mbikëqyrjes së jashtme efektive të financave publike ka adresuar problematikat e konstatuara gjatë planifikimit, administrimit dhe raportimit të zërave të Buxhetit të vitit 2016, si dhe ka dhënë rekomandime për aspektet më kryesore të ciklit buxhetor
Rekomandimet e KLSH synojnë një sistem të integruar dhe funksional të menaxhimit financiar dhe kontrollit dhe struktura të auditimit të brendshëm më eficiente dhe në funksion mbështetës dhe këshillimor për strukturat e ngarkuara me përgjegjës si menaxheriale. Gjetjet dhe konstatimet janë rezultat i punës audituese në 106 subjekte, institucione qendrore dhe vendore, realizuar përgjatë 3 mujorit të fundit të vitit 2016 dhe 9 mujorit të vitit 2017.
Borxhi Publik për vitin 2016 rezultoi në vlerën 1,066,566 milionë (1.07 triliardë) lekë me një rritje nga niveli prej 1,043,212 milionë (1.04 triliardë) lekë i realizuar për vitin 2015. Vlera relative e borxhit publik e raportuar është 71.01% e PBB-së, por kjo mënyrë vlerësimi nuk është bazuar në vlerën më të fundit të PBB-së të raportuar në World Economic Outlook(Perspektiva ekonomike botërore), sikurse është përcaktuar në Ligjin, “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në RSH”. Bazuar në këtë metodologji stoku i borxhit në fund të vitit 2016 rezulton 72.4% e PBB-së.
KLSH vlerëson se niveli i borxhit publik (si % kundrejt PBB) nuk tenton drejt parametrave të synuar, pasi për vitin 2015 niveli i borxhit publik është rritur në nivelin 72.71% (ose më saktë 73.06%), kurse për vitin 2016 niveli i borxhit publik ka arritur në 71.01% (ose më saktë 72.4%) dhe është larg përmbushjes së synimit të vendosur në Strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020 për një nivel borxhi në fund të vitit 2017 në 65.5% të PBB-së, dhe larg objektivit prej 60% të PBB-së,që KLSH ka rekomanduar në pesë vite rresht, si nivel në të cilin duhet të luhatet Borxhi Publik. KLSH në prezantimin e buxhetit faktik theksoi se Qeveria duhet të angazhohet maksimalisht që të përmbushë objektivin e vendosur në këtë strategji për ta ulur borxhin publik nën 60% të PBB-së brenda një periudhe afatmesme.
Në prezantimin e buxhtit faktik KLSH ka raportuar mbi gjetjet dhe rekomandimet që lidhen me
-mbi programimi buxhetor afatmesëm (PBA) dhe vjetor;
-mbi treguesit e konsoliduar fiskalë të buxhetit të shtetit për vitin 2016;
-shpenzimet e përgjithshme të buxhetit të shtetit;
-raportimi financiar në sektorin publik;
-deficiti i përgjithshëm i buxhetit të shtetit;
-mbi auditimin e brendshëm publik;
-mbi menaxhimin financiar dhe kontrollin;
-mbi auditimin e fondeve të shpenzuara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Në këtë aktivitet të rëndësishëm i cili kishte në qendër prezantimin e raportit faktik të buxhetit 2016 morën pjesë gjithashtu Drejtues të KLSH, Kryeauditues, auditues dhe ekspertë të jashtëm.
v