Përmes një interesi në rritje, KLSH përmbyll muajin e hapur për qytetarët me leksionin e zj.Darcie Nielsen
15.12.2017
Në vijim të aktiviteteve të muajit të hapur në KLSH, në datën 5 dhjetor, në sallën e Akademisë së Shkencave u mbajt një leksion nga Prof. Dr. Hysen Çela. Ky leksion nisi me prezantimin e Profesor Hysen Çelës nga Drejtoresha e Përgjithshme e KLSH-së, znj. Manjola Naço. Në fjalën e saj zonja Naço vlerësoi kontributin dhe bashkëpunimin që Prof.Dr. Hysen Çela ka pasur me KLSH, si profesionist dhe si Kryetar i Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar përgjatë viteve.
Në fjalën e tij Profesor Çela u shpreh se qëllimi i auditimit ka qenë dhe mbetet besueshmëria e raportimit financiar dhe garantimi i transparencës. Të dyja këto aspekte janë të domosdoshme për përmirësimin e administrimit. Raportimi financiar cilësor e i besueshëm kërkon një bashkërendim efektiv midis standardeve teknike cilësore dhe profesionistëve të aftë e të përgatitur, të cilët i zbatojnë këto standarde në praktike.
Gjatë fjalës së tij, Profesor Çela beri dhe një prezantim të shkurtër të librit të tij me titull “Auditimi i pasqyrave financiare”. Ai u shpreh se sot për raportimin sa më të saktë të pasqyrave financiare në ndihmë të audituesve duhet një guidë e mirëfilltë.
Sfidat kryesore me të cilat përballemi dhe do të vazhdojmë të përballemi kur auditojmë pasqyra financiare janë të trefishta. Pasqyrat financiare të konsoliduara do të zgjerojnë fushëveprimin e punës së KLSH-së në mënyrë të konsiderueshme, duke kërkuar nga ne përsosjen e metodologjive në vlerësimin e riskut dhe të materialitetit, por dhe përgatitjen e audituesve për t’u përballur me këtë lloj të ri auditimi.
Opinioni i auditimit do të mbulojë pasqyrat financiare të konsoliduara të qeverisë, duke përfshirë të gjitha njësitë ekonomike të kontrolluara nga qeveria, të tilla si agjencitë dhe ndërmarrjet shtetërore (të referuara nga IPSAS si ente të biznesit qeverisës), në këtë rast KLSH nuk mund ta shikojë misionin e saj të shkëputur nga ekspertët kontabël të autorizuar, të cilët certifikojnë pasqyrat e enteve publike dhe subjektet e tjera të kontrolluara nga shteti.
Në datën 6 dhjetor, në sallën e Akademisë së Shkencave, KLSH organizoi një aktivitet, në të cilin u prezantua dhe u diskutua Rregullorja e Re e Institucionit.
Një përmbledhje e Rregullores së Re u prezantua nga Sekretari i Përgjithshëm, zj.Luljeta Nano. Audituesit e ndoqën me shumë interes dhe pati shumë pyetje dhe diskutime, në mënyrë që të ndryshohen disa gjëra që auditimi si proces të funksionojë më mirë.
Përfaqësuesit e Departamentit të Metodologjisë mbajtën proces-verbal lidhur me diskutimet dhe sugjerimet e audituesve, të cilët do të diskutohen nga Grupi i Punës dhe do të shihet mundësia rast pas rasti për ti përfshirë këto sugjerime ne Rregulloren e Re të KLSH-së.
Leksioni i zj.Darcie Nielsen për audituesit e KLSH-së
Muaji i Hapur u përmbyll me leksionin e znj.Darcie Nielsen, e cila në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit midis Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe USAID për projektin “Transparenca në Sistemin Shëndetësor në Shqipëri”, zhvilloi një leksion me audituesit e KLSH-së në ambientet e Akademisë së Shkencave.
Zonja Nielsen e nisi fjalën e saj me një shprehje nga politikania e shquar amerikane e shekullit XX, Margaret Chase Smith, “Shërbimi ndaj publikut duhet të jetë më shumë sesa të bësh një punë me ndershmëri dhe eficiencë. Duhet të jetë një përkushtim i plotë ndaj njerëzve dhe kombit”.
Në prezantimin e leksionit, zj.Nielsen, u shpreh se sistemi shëndetësor në Shqipëri është identifikuar si një “zonë e kuqe”. Barometri i Korrupsionit për Shqipërinë 2013, botuar nga Transparency International tregon se 80% e qytetarëve mendojnë se sistemi shëndetësor është i korruptuar. Në këtë kuadër, znj.Nielsen theksoi se projekti i USAID-it synon të krijojë një mjedis më të përgjegjshëm në sistemin shëndetësor duke angazhuar përfituesit dhe kontrollet e rregullta nga institucionet përkatëse (institucionet monitoruese). “Projekti do të punojë për të forcuar kapacitetet e tre institucioneve mbikëqyrëse:
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), dhe Avokati i Popullit. Projekti do të japë grante për organizatat e shoqërisë civile dhe medias për të ndërgjegjësuar pubikun dhe ndërmarrë fushata për përmirësimin e llogaridhënies në institucionet shëndetësore”.
Në forcimin e kapacitete të Kontrollit të Lartë të Shtetit, një fokus i veçantë do t’i jepet përmirësimit të auditimeve të performancës, përmes vlerësimit të nevojave të audituesve të performancës, organizimit të seminareve për sektorin shëndetësor si dhe kryerjen e 1-2 auditimeve të përbashkëve KLSH-USAID në institucionet shëndetësore.
Pjesë integrale e Planit të Asistencës teknike për KLSH-në do të jetë edhe rritja e transparencës nëpërmjet menaxhimit të informacionit. “Rol të rëndësishëm do t’i kushtohet zbatimit të formatit elektronik për të menaxhuar më mirë ankesat e qytetarëve, përdorimit të flamujve të kyq në vlerësimin e riskut të KLSH-së dhe përdorimit të të dhënave të hapura për raportet e auditimit të performancës në faqen e internetit të KLSH-së”, u shpreh znj.Nielsen.
Forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional, përmes tryezave të rrumbullakëve dhe vendosja e dialogut në nivel teknik dhe lidhja ose rinovimi i Marrëveshjeve të Bashkëpunimit me ILDKPKI-në dhe Avokatin e Popullit do të jetë një tjetër objektiv i programit të USAID. Po ashtu, ofrimi i asistencës teknike për raportim më efektiv në parlament dhe hartimi i udhëzuesve për bashkëpunimin me shoqërinë civile me Departamentin e Auditimit të Performancës do të jenë fushat kryesore që do të mbulohen nga Projekti.
Në vazhdën e leksionin të saj, znj.Darcie Nielsen bëri një prezantim të Zyrës së Auditimit të shtetit të Washingtonit. Personeli prej 350 punonjësish i Zyrës kontrollon informacionin financiar dhe përputhshmërinë me ligjet e shtetit, federale dhe vendore në të gjitha pjesët e qeverive vendore përfshirë shkollat, gjithë agjencitë shtetërore dhe institucionet e arsimit të lartë.
Znj.Darcie Nielsen e përfundoi leksionin duke i njohur audituesit edhe me karrierën e saj personale, e cila ishte shumë interesante, veçanërisht për audituesit e rinj.
Në mbyllje të muajit të hapur KLSH e arriti qëllimin e saj dhe vërtetoi që është një institucion i përkushtuar ndaj parimit të transparencës, e cila është jetësore në ndërtimin e besimit tek qytetarët dhe besojmë që institucioni realizoi gjithashtu nëpërmjet aktiviteteve të Muajit të Hapur një politikë komunikimi më të efektshme, duke i bërë rezultatet e auditimeve më të prekshme.
Kryetari i KLSH-së ka theksuar në përfundim të muajit të hapur që : “ Muaji i Hapur na shërbeu për të qenë më të hapur dhe komunikues me njëri-tjetrin. Sidomos në nivel të komunikimit dhe të shkëmbimit të eksperiencave mes departamenteve të auditimit. Muaji i Hapur inkurajoi shkëmbimin e eksperiencave edhe mes audituesve me përvojë, me ata të rinj, në bashkëbisedime dhe konsultime të plota mes tyre.
Ky Muaj i Hapur ishte një dritare komunikimi intensive, takimesh dhe aktivitetesh, por në realitet, i gjithë institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit është prej gjashtë vitesh tashmë tërësisht i hapur me qytetarin, në kërkim të kontaktit dhe mendimit të tij, për realizimin sa më të plotë të misionit kushtetues të ruajtjes dhe mbikëqyrjes së përdorimit me ekonomi, efektivitet dhe efiçiencë të parave të taksapaguesit shqiptar”.
KLSH do të ndjekë praktikën e Muajit të transparencës edhe në vitet e ardhshme.