Njoftime

KLSH zhvillon një takim me studiuesin Uran Butka dhe shkrimtarin e studiuesin Agron Tufa për veprën e Mid'hat Frashërit

26.11.2018

Në datën 26 nëntor në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në sallën “Lech Kaczynski”, u zhvillua një takim me studiuesin Uran Butka dhe shkrimtarin e studiuesin Agron Tufa për veprën e Mid'hat Frashërit. Ky takim u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të muajit të hapur.
Në këtë aktivitet morën pjesë Kryetari i KLSH, auditues të Kontrolli të Lartë të Shtetit dhe gazetarë nga fusha e kulturës.

1frash

Aktivitetin e hapi Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj, i cili nënvizoi faktin që ishte një nder i veçantë për institucionin organizimi i këtij aktiviteti që i kushtohet veprës së Mid’had Frashërit. Z.Leskaj përmendi se vepra e zgjedhur e Mid’hat Frashërit është një kulturë e jashtëzakonshme, që i kthehet kombit shqiptar, dhe bashkë me të edhe vetë Mid’hat Frashërit. Duhet thënë se, ndonëse pinjoll i derës së madhe kombëtare të Frashërllinjve, Mid’hat Frashëri, për dekada, për shkak të bindjeve dhe veprimtarisë së tij politike, që shkonin ndesh me ato komuniste, qe përjashtuar tërësisht nga jeta jonë shoqërore e kulturore.

Zoti Leskaj iu referua dekalogut moral të Mid’hat Frashërit dhe përmendi 10 postulatet e tij.
Në fjalën e tij Historiani dhe studiuesi Uran Butka, iu referua veprës së tij “Gjeniu i Kombit” kushtuar Mid’hat Frashërit. Zoti Butka evidentoi faktin se kjo vepër është kryesisht kulturore dhe ka tre volume, në veprën e pare përfshihet publicistika e tij, në të dytin studimet historike, kulturore, politike sociale etj., në vëllimin e tretë janë krijimtaria dhe kujtimet e tij, që janë një pasuri shumë e madhe për historinë e kombit, mandej letërkëmbimi që është ndër më të jashtëzakonshmit në historinë e literaturës shqipe, përshkrimet e udhëtimeve në të gjithë botën, ditarët etj. Z.Butka shpjegoi se këto “...janë dokumente të cilat ndodhen në Arkivin e Shtetit dhe në arkivat e tjera të Londrës, të Gjenevës, të Romës e të Stambollit. Në libër lexuesit do të gjejnë për herë të parë procesverbalin e Kongresit të Manastirit”.

2frash

Z.Butka përfundoi këtë vështrim të shkurtër me disa fjalë të Mid’hat Frashërit, të cilat i kishte thënë në shkrimin homazh për bashkëpunëtorin e tij Kristo Luarasin: “Një varr nuk mbulon kurdoherë një njeri të vdekur. Shumë herë jeta e vërtetë, rrojtja shpirtërore fillon kur mbaron fryma. Ç’ka të bëjë zhdukja e trupit, në qoftë se ideja rron, kur ajo ide ngjall një mijë shpresa dhe entuziazëm? Dhe bash këto janë jetë e vërtetë”. Gati 70 vjet pasi dha frymën e fundit, Mid’hat Frashëri, me idetë e tij, me trashëgiminë shkrimore, vjen në një format të ri, të plotë dhe funksional si një dëshmi e rrojtjes së tij shpirtërore dhe si një vlerë kombëtare.

3frash

Në përfundim të fjalës së tij, z.Butka i dhuroi Kryetarit të KLSH-së, vëllimin e tretë të veprave të zgjedhura të Mid’hat Frashërit, botuar nga shtëpia botuese “Lumo Skëndo”.
Më pas e mori fjalën z.Agron Tufa, i cili theksoi që edhe pse trashëgimia memuaristike e Mid’hat Frashërit nuk paraqet një shkrim sistematik, të rregullt, sipas një vijueshmërie të pandërprerë, ajo, gjithsesi, na njeh me disa segmente të rëndësishme të ngjarjeve historike e politike të Shqipërisë në agun e saj shtetformues, sikundërse na sjell nga afër portrete personalitetesh politike e kulturore të çerek shekullit të parë të shekullit XX. Gjithashtu lloji i shkrimit memuaristik të Mid’hat Frashërit rivalizon dorë për dorë me letërsinë artistike, pa ia zbehur aspak forcën dhe rëndësinë e dëshmisë autentike. Zoti Tufa theksoi prozat memuraristike të Mid’hat Frashërit, të shkruara në vite të ndryshme, të cilat krijojnë kuadre të veçanta historike e nganjëherë psikologjike, zbulime, meditime, etj.

4frash

Në fund të këtij aktiviteti studiuesit Uran Butka dhe Agron Tufa përshëndetën kryetarin e KLSH për këtë organizim dhe audituesit e KLSH për kohën që i kushtojnë librit dhe historisë shqiptare. Zoti Butka falënderoi z.Leskaj për mbështetjen që ka dhënë në kohën që ka qenë Ministër i Kulturës për botimin luksoz të veprës së Mid’hat Frashërit.