Kryekontrollori i SHBA-ve takon Kryetarin e KLSH
06.12.2018
Sot më 6 dhjetor 2018, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z.Bujar Leskaj takoi në Washington D.C. në zyrën e tij Kontrollorin e Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Gene L. Dodaro, personaliteti më i rëndësishëm i auditimit suprem publik në botë. Z. Leskaj vlerësoi riaktivizimin e bashkëpunimit mes të dyja institucioneve të auditimit të lartë që nga viti 2012 dhe e informoi Kryekontrollorin amerikan për 10 risitë kryesore të zhvillimit të KLSH gjatë viteve 2012-2018, të tilla si ligji i ri integral i institucionit i vitit 2014, në përputhje me standardet e INTOSAI-t, përqëndrimi tek auditimi i performancës, 300 kallzime penale në 7 vjet, ose një kallzim në javë, ose dy herë më shumë se periudha 2004-2011, investimi tek auditimet e teknologjisë së informacionit, konferencat shkencore të KLSH, muaji i hapur me qytetarët, kolana “Botimet e KLSH-së”, shkrimet e audituesve të institucionit në shtypin e përditshëm, etj.
Takim pune i z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së me z.Gene Dodaro, Kontrollor i Përgjithshëm i GAO’s. SHBA, Washington D.C, 6 dhjetor 2018.
Zoti Leskaj theksoi se standardet e auditimit të Zyrës së Llogaridhënies Qeveritare(GAO), institucionit suprem të auditimit të SHBA-ve, si reflektimi më i saktë i standardeve ndërkombëtare ISSAI, institucioni i KLSH i kishte gjithnjë parasysh. Për këtë, Kryetari Leskaj i tregoi Kryekontrollorit amerikan Dodaro edhe përkthimet në shqip të përmbledhjes së standardeve amerikane, të quajtur “Yellow Book(Libri i Verdhë)”, të botuar si libër nga KLSH në vitin 2016, si dhe botimin e fundit të vitit 2018, përkthimin e përmbledhjes “Green Book(Libri Jeshil)” të GAO-s për standardet e auditimit të brendshëm në qeverinë federale amerikane.
Kryetari i KLSH e informoi kolegun amerikan edhe për zbatimin nga KLSH të përvojës amerikane në fushën e integritetit, nëpërmjet Kodit të Kryetarit të KLSH, ku përfshihet vendimi i titullarit për mos-rikandidim, si dhe projektin, i cili do të zbatohet në muajt e parë të vitit 2019, për botimin e protokolleve të GAO-s në raportet e saj me Kongresin Amerikan, si dhe të përvojës amerikane në ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve të institucionit të auditimit suprem publik.
Z. Leskaj u shpreh se kjo vizitë e tij ndërkombëtare, edhe pse e fundit në detyrë, ishte domethënëse, përsa i përket të ardhmes së zhvillimit profesional të audituesve të KLSH dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar të institucionit.
Në fjalën e tij, z. Dodaro vlerësoi punën impresionuese të Kryetarit të KLSH në reformimin e institucionit dhe në drejtim të zbatimit të standardeve ISSAI, si dhe falenderoi për botimin në shqip të standardeve të GAO-s, të përfshira në përmbledhjet “Yellow Book” dhe “Green Book”.
Kryekontrollori i SHBA-ve theksoi punën e mirë të KLSH në drejtim të fitimit të dijeve në auditim, nëpërmjet botimeve të standardeve të fushës dhe shkëmbimit të eksperiencës me institucionet supreme të auditimit partnere.
Në takim ishte i pranishëm edhe Drejtori i Planifikimit Strategjik në GAO, z. Blockwood, i cili, nga ana e tij cilësoi të suksesshëm bashkëpunimin e KLSH me Qendrën e Ekselencës në Auditim të GAO-s, të konkretizuar me ardhjen në Tiranë të Drejtoreshës së Qendrës, zj. Janet St. Laurent dhe dhënien nga ana e saj të një leksioni për audituesit shqiptarë, si dhe të programeve disamujore të trajnimit “Fellowship” të 5 audituesve shqiptarë në zyrat e GAO-s.
Zoti Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së me z.James Blockwood, Drejtor i Planifikimit Strategjik, GAO. SHBA, Washington D.C, 6 dhjetor 2018
Z. Blockwood u shpreh se vizita të tilla të ekspertëve amerikanë për të ngritur kapacitetet e audituesve shqiptarë do të vijojnë edhe në të ardhmen. Ai cilësoi se numri i rradhës i Revistës së INTOSAI-t “INTOSAI Journal”, që botohet nga GAO, do të ketë një hapësirë të veçantë kushtuar risive të KLSH në veprimtarinë audituese.
Nga ana e tij, Kryekontrollori Dodaro i uroi z. Leskaj suksese në detyrat e tij të ardhshme dhe e inkurajoi për projektin e tij individual me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Polonisë(NIK) për shkëmbimin e eksperiencës në auditim, si dhe u shpreh i sigurtë se bazat e shëndosha të bashkëpunimit, të ngritura mes GAO-s dhe KLSH-së do të vijojnë të japin frutet e tyre edhe në të ardhmen.
Që nga viti 2015, ky është takimi i tretë zyrtar i dy drejtuesve të auditimit suprem publik të Shqipërisë dhe SHBA-ve në zyrën e drejtuesit të GAO-s në Washington, pas disa takimeve në Kongreset INCOSAI dhe në simpoziumet kryesore të INTOSA