Njoftime

Përfaqësues të SIGMA takohen me Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit

12.12.2018

Në datën 12 dhjetor 2018, Kryetari i KLSH-së, z.Bujar Leskaj priti në zyrën e tij, dy përfaqësues të SIGMA, zoti Joop Vrolijk, ekspert dhe z. Alastair Swarbrick, Këshilltar i Lartë i SIGMA, të cilët vizituan KLSH-në me rastin e përfundimit të mandatit 7-vjeçar të Kryetarit të KLSH-së.

alastar1

Kryetari i KLSH-së u shpreh shumë i kënaqur dhe falënderoi përfaqësuesit e SIGMA për bashkëpunimin e suksesshëm dhe për mbështetjen që i kanë dhënë KLSH, gjatë këtyre shtatë viteve. KLSH duhet të vijojë bashkëpunimin në të ardhmen me SIGMA, si një nga institucionet më të mira dhe që ka dhënë produkte konkrete për KLSH-në.

Bashkëpunimi i SIGMA ka qenë shumë i hapur me KLSH dhe ekspertët e SIGMA e kanë dhënë mbështetjen e tyre me shumë gjenerozitet dhe dashamirësi, veçanërisht z.Joop Vrolijk.

Unë jam shumë mirënjohës-vijoi z.Leskaj- se SIGMA dhe z.Vrolijk personalisht, së bashku me DG Budget në Bruksel, i kanë dhënë institucionit një ndihmë të jashtëzakonshme për miratimin e Ligjit të Ri të KLSH-se, i cili falë kësaj mbështetje u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë, në përputhje të plotë me Standartet e INTOSAI-t.

Zoti Leskaj përmendi gjithashtu aktivitetet që janë organizuar në bashkëpunim me SIGMA, duke veçuar workshopin që u zhvillua në qershor të vitit 2018, lidhur me marrëdhëniet mes KLSH-së dhe Parlamentit, veçanërisht në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të KLSH-së. Në vijim edhe të konkluzioneve të këtij aktiviteti, KLSH ka propozuar nënshkrimin e një Memorandumi mirëkuptimi mes KLSH-së dhe Kuvendit të Shqipërisë dhe ky i fundit ka ngritur një mekanizëm për kontrollin e Institucioneve të pavarura. Si konkluzion mund të konstatojmë me kënaqësi –përfundoi z.Leskaj- që si rezultat i përpjekjeve të përbashkëta, kemi aktualisht një marrëdhënie më të mirë dhe më të konsoliduar me Kuvendin e Shqipërisë.

Më pas e mori fjalën z. Alastair Swarbrick, i cili falënderoi z.Leskaj për hapjen e institucionit dhe vlerësoi kontributin personal të z.Leskaj për arritjen e këtij bashkëpunimi produktiv. SIGMA do të vijojë të bashkëpunojë me KLSH-në në dy fusha kryesore :

-Në implementimin e buxhetit të shtetit;

-Planifikimin e auditimeve individuale, në bazë risku.

Kryetari i KLSH-së e konfirmoi bashkëpunimin në këto dy fusha kyçe me shume interes dhe theksoi se sipas sugjerimeve të SIGMA, KLSH po rrit numrin e auditimeve financiare.

Në fund e mori fjalën, z.Joop Vrolijk, i cili ka punuar për më shumë se 10 vjet me KLSH-në dhe vlerësoi shumë ndryshimin që ka sjellë z.Leskaj në institucion, i cili e hapi institucionin dhe e modernizoi atë, duke e sjellë punën audituese në përputhje me standartet e INTOSAI-t. Zoti Vrolijk vlerësoi shumë edhe rritjen e kapaciteteve audituese në KLSH.

Në fund të takimit z. Swarbrick dhe z.Vrolijk i uruan Zotit Leskaj suksese në karrierën e tij profesionale dhe në jetën private.

Në datën 13 dhjetor, z. Alastair Swarbrick me ftesë të Kryetarit të KLSH-së, bëri një prezantim për auditueit e KLSH-së, në sallën “Lech Kaczynski”.

alastar 2

Zoti Swarbrick e filloi prezantimin e tij me një hyrje të shkurtër rreth historikut të SIGMA dhe misionit dhe partnerët e tij. Leksioni u përqendrua në këto pika:

-Historiku i SIGMA;

-Misioni i SIGMA;

-Detyrat kryesore të SIGMA;

-Cilët janë partnerët e SIGMA-s

SIGMA është një iniciativë e përbashkët e OECD dhe Bashkimit Evropian. Objektivi kryesor i saj është të forcojë themelet për përmirësimin e qeverisjes publike dhe kështu të mbështesë zhvillimin socio-ekonomik nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve të sektorit publik, përmirësimit të qeverisjes horizontale dhe përmirësimit të hartimit dhe zbatimit të reformave të administratës publike, duke përfshirë prioritizimin, renditjen dhe buxhetimin e duhur. SIGMA bashkëpunon me partnerët për forcimin e sistemeve të qeverisjes publike dhe kapaciteteve të administratës publike për 25 vjet.

Misioni i SIGMA është të punojë me vendet që negociojnë për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian (BE) për të promovuar dhe forcuar sistemet e qeverisjes publike dhe kapacitetet e njerëzve që punojnë në këto qeveri. Ata i ndihmojnë vendet në tranzicion të përmbushin aspiratat e tyre për një ekonomi të tregut të lirë, një demokraci të qëndrueshme dhe sundim të ligjit dhe t'i ndihmojnë ata të demonstrojnë gatishmërinë e tyre për t'u bashkuar me BE ose për të krijuar një marrëdhënie më të afërt me BE-në, nëpërmjet lëvizjes së lirë dhe tregtisë. SIGMA financohet nga Bashkimi Evropian dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.

Gjithashtu z. Swarbrick përmendi dhe partnerët kryesorë që bashkëpunojnë me SIGMA:

-Kryeministrinë dhe ministritë kryesore;

-Agjencitë shtetërore (p.sh shërbimi publik, prokurimi publik);

-Organet e pavarura të mbikëqyrjes (psh Institucionet Supreme të Auditimit, Avokati i Popullit, etj);

-Parlamentin.

Në fund të prezantimit, audituesit e pranishëm i adresuan disa pyetje z. Swarbrick.