Njoftime

Përfaqësuesit e Kontrollit të Lartë të Shtetit marrin pjesë në takimin shpjegues të organizuar nga Komisioni Evropian për Kapitullin 32, “Kontrolli Financiar”

17.12.2018

Proceset e integrimit në Bashkimin Evropian kanë mbritur në momentin e listimit e të shpjegimit të gjithë kuadrit ligjor dhe rregullativ të BE-së, të cilat duhet të jenë pjesë funksionale e sistemeve dhe institucioneve të Shqipërisë.

Në këtë kontekst në datën 5 Dhjetor 2018, në Bruksel, u organizua nga Komisioni Evropian, DG NEAR takimi shpjegues në lidhje me Kapitullin 32, i cili konsiston në:

-Kontrollin financiar të brendshëm publik, në gjithë komponentët e tij, me fokus në kuadrin ligjor dhe standardet e pranuara në nivel ndërkombëtar, i cili përbëhet nga COSO-Kontrolli i brendshëm dhe kuadri i integruar; Udhëzimi i INTOSAI-t për Qeverisjen e mirë; dhe Auditi i Brendshëm.

-Auditimi i Jashtëm Publik, me fokus në pavarësinë institucionale, funksionale dhe financiare të Kontrollit të Lartë të Shtetit, cilësia dhe impakti i aktivitetit auditues në zbatim të standardeve ndërkombëtare të INTOSAI-t.

-Mbrojtja e financave të Bashkimit Evropian, me fokus në eficiencën e funksionimit të Inspektimit Financiar në Shqipëri.

-Mbrojtja e Euros nga spekulimi/falsifikimi (vepër jo penale), me fokus veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë në këtë aspekt.

  foto bruksel

Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë tryezë nga Drejtor i Përgjithshëm, znj. Lindita Milo dhe Kryeauditues znj. Valbona Gaxha. Prezantimi i aspekteve kryesore të standardeve që duhet të jenë pjesë e realitetit Shqiptar si dhe në zbatim nga KLSH, si auditues i jashtëm publik, u referuan nga Z. Raymond Hill, përfaqësues i Komisionit Evropian, DG Budget.

Z.Hill, nënvizoi se kohët e fundit kishte bërë një takim në Zyrat e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe kishte konstatuar “zhvillime sinjifikative”, ndryshime thellësisht cilësore dhe në zbatim të standardeve ndërkombëtare të INTOSAI-t. Qartësisht u shpreh mbi pritshmëritë e Komisionit Evropian nga Shqipëria në lidhje me auditimin e jashtëm publik, të cilat lidhen me: Kuadrin kushtetues dhe ligjor: i cili duhet të garantojë plotësisht pavarësinë reale funksionale, organizative dhe financiare të KLSH-së; zhvillimet institucionale në linjë me planin e Zhvillimit Strategjik; Punën audituese në përmbushje të standardeve të INTOSAI-t; dhe kapacitete të mjaftueshme administrative.

Në fjalën e përfaqësuesve të KLSH, u vlerësua detajimi i aspekteve kyçe të funksionimit të KLSH-së, të cilat lidhen me trinomin Pavarësi, cilësi pune dhe impakt real për një qeverisje më të mirë dhe me eficiencë të parasë publike. Në analizë të pritshmërisë, u informuan Përfaqësuesit e Komisionit Evropian se KLSH, bazuar në vlerësimin e pavarësisë funksionale dhe financiare nga procesi i Peer review nga homologët austriakë ka adresuar në Parlamentin Shqiptar disa amendime të ligjit bazë të KLSH-së.

Gjithashtu u theksua se aktiviteti vjetor i KLSH-së bazohet në Strategjinë e Zhvillimit 2018-2022, i cili është hartuar në të njëjtën linjë me zhvillimet strategjike të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t. Për më tepër kjo strategji dhe Plani i Veprimit është vlerësuar dhe ka marrë komente nga SIGMA. Fundi i vitit 2018 do të mundësojë krahasimin e treguesve të vitit të parë të zbatimit të kësaj strategjia në mënyrë konkrete për objektivat e përcaktuara, ku u cilësua rritja e numrit të auditimeve financiare në zbatim të standardeve apo rritja e numrit të Auditimeve të Perfomancës , etj.

Në adresimin e përmirësimit të cilësisë së punës audituese, pavarësisht se KLSH ka ndërtuar sistemin e kontrollit dhe të sigurimit të cilësisë, ka në vëmendje faktin se përmirësimi real i cilësisë së punës është i lidhur ngushtësisht me cilësinë në çdo moment të çdo audituesi të veçantë. Ky proces nuk mund të realizohet në mënyrë të menjëhershme pasi auditimi është një praktike pune e lidhur ngushtësisht me mentalitetin e punës ndër vite. Prandaj, përmirësimi i cilësisë në zbatim të plotë të standardeve të nivelit të 4-t kërkon jo vetëm trajnime intensive por edhe ballafaqime serioze dhe konkrete nga njësite publike të audituara me synimin e kuptimit dhe identifikimit të problematikave për një mirë qeverisje si në nivelin qendror ashtu edhe vendor. KLSH e konsideron cilësinë e punës audituese të lidhur edhe me nivelin e impaktit të gjetjeve dhe rekomandimeve të adresuara njësive publike për të rritur përgjegjshmërinë dhe eficiencën e përdorimit të fondeve buxhetore.

Në lidhje me dy aspektet e mësipërme në përgjigje të pyetjes së bërë nga KLSH për instrumentet dhe praktikat më të mira që do të mund të rekomandoheshin për të përmirësuar impaktin e punës audituese të saj, Z. Hill theksoi domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë me Njësinë e Harmonizimit pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e cila duhet të luajë rolin e udhëheqjes metodike të gjithë njësive publike për realizimin e kontrollit të brendshëm financiar publik dhe auditimin e brendshëm, pasi eficienca e gjithë sistemit varet nga cilësia e funksionimit të kësaj njësie dhe bashkëpunimit me KLSH-në për të qenë në të njëjtin front për të ndaluar abuzimin dhe keqmenaxhimin e parasë publike