Departamenti i Auditimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore zhvillon analizën vjetore për vitin 2018
18.02.2019
Në datën 4 shkurt 2019, Departamenti i Auditimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore zhvilloi analizën vjetore të punës për vitin 2018, referuar aktivitetit auditues të Departamentit për këtë periudhë.
Në analizë morën pjesë Zv/Kryetarja e KLSH-së, znj. Lindita Milo dhe Drejtori i Përgjithshëm, znj. Manjola Naço.
Në analizën e Departamentit u pasqyrua realizimi i planit të vitit 2018, gjetjet nga auditimet dhe u përcaktuan objektivat për vitin 2019. Gjithashtu, u pasqyrua se eksperienca e fituar dhe zhvillimet institucionale kanë konfirmuar se procesi i modernizimit të institucionit të auditimit të jashtëm publik kontribuon për një qeverisje efektive dhe është një vlerë e shtuar në sistemin e institucioneve publike, që udhëhiqet nga parimi “Vlerat dhe dobitë e institucioneve supreme të auditimit – të bësh diferencën në jetën e qytetarëve”, duke ofruar qasjen strategjike si faktor nxitës të ndryshimit për një menaxhimin modern institucional.
Gjatë vitit 2018 me Vendimin e Kryetarit KLSH ishin planifikuar 32 auditime, ndërsa janë realizuar dhe evaduar 39 auditime, pra 7 auditime mbi planin vjetor. Ku 12 auditime “Financiare dhe të Përputhshmërisë” (i kombinuar); 18 auditime “Mbi të ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare”; 6 auditime “Përputhshmërie; 3 auditime Tematike.
Janë rekomanduar 496 masa organizative;dhe 591 masa disiplinore dhe administrative nga të cilat 187 masa disiplinore për punonjës që janë pjesë e shërbimit civil (me status nëpunësi civil), 159 masa për punonjës për të cilët marrëdhëniet e punës rregullohen me Kodin e punës dhe 245 masa administrative, prej të cilave në 20 subjekte janë rekomanduar 141 masa administrative në kompetencë të APP e cila ndaj tyre ka vendosur gjoba në vlerën 18,790,000 lekë
Masa me dëmit ekonomik, si dhe për të ardhurat e munguara ose shpenzimet jo në përputhje me parimet e ekonomicitetit, eficiencës dhe efektivitetit janë në shumën 15,342 milion lekë, nga të cilat shuma 719,239 mijë lekë i përket dëmit ekonomik dhe shuma 14,077 milion lekë të ardhura të munguara dhe shpenzime jo në përputhje me 3-E.
Gjatë vitit 2018 në bashkëpunim me Departamentin Juridik janë përgatitur dhe dërguar në organin e prokurorisë 8 kallëzime penale, për 36 persona, 8 Indice për kallëzim penal dhe 1 vlerësim për kallëzim penal. Në listën e personave të kallëzuar penalisht përfshihen Drejtues të nivelit të lartë të njësive të vetëqeverisjes vendore (Kryetar Bashkie), drejtues të mesëm, specialist të administratës dhe ish të zgjedhur vendore (Ish-Kryetar Komunash), për konsumimin e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, neni 248 dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” neni 258, Ligji nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, me efekte financiare, të shprehura në dëm ekonomik me vlerë 166,797 mijë lekë, në dy raste (Bashkia Belsh dhe Rrogozhinë) është bërë kallëzim penal edhe për konsumimin e veprave penale të “Falsifikimi i dokumenteve”, të parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal.
Gjatë analizës u identifikuan edhe sfidat për të ardhmen të cilat konsistojnë në:
1- Të rrisim aftësinë profesionale të audituesve për të dhënë auditime sa më cilësore, profesionale dhe objektive, si dhe çdo auditues duhet të ketë një vetënxitje për ngritjen e tij profesionale.
2-Njohja me praktikat e aplikuara nga SAI-t homologe dhe shfrytëzimi i tyre gjatë auditimeve tona do të rriste cilësinë e auditimeve.
3-Llogaritja e riskut me qëllim përcaktimin e veprimeve konkrete për zbulimin dhe evidentimin e tij duke matur aftësitë zbuluese në realitetin faktik dhe shmangur auditimet në subjektet që nuk kanë rrisk dhe nuk kërkojnë ndërhyrjen tonë.
4-Të rritim shkallën e ndërgjegjësimit në përmbushje të misionit tonë si auditues të pavarur dhe profesionist në zbulime e rakordime, duke mbajtur qëndrim me tolerancën zero ndaj korrupsionit.
5-Thellimi në përdorimin me efikasitet, eficiencë të background-it profesional e teknik mes nesh, të bashkëpunojmë me njëri tjetrin të kemi besim te njëri tjetri të vlerësojmë kontributin e secilit në grup, se puna nuk bëhet vetëm.
Këto objektiva janë në një linjë me objektivat e Strategjisë së Zhvillimit të KLSH-së 2018-2022 në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe me pritshmërinë e larta të qytetarëve, në forcimin e kapaciteteve audituese dhe të metodologjisë së auditimit që është faktor kyç në nxitjen e përdorimit me efektivitet, eficencë dhe ekonomicitet të fondeve publike, për një qeverisje të mirë, nëpërmjet parandalimit dhe luftës pa kompromis kundër korrupsionit dhe abuzimeve në administrimin e pronës publike.