KLSH nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Kolegjin Universitar “LOGOS”
19.06.2019
Në datën 19 qershor 2019, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Dr. Bujar Leskaj dhe Rektorja e Kolegjit Universitar “LOGOS”, Prof.Dr.Nikoleta Mita nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi në ambientet e këtij universiteti.
Marrëveshja vjen në kuadër të interesit të përbashkët për të bashkëpunuar në rritjen e kapaciteteve dhe njohurive profesionale të stafit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në njërën anë, si dhe në zhvillimin e kurrikulave dhe mendimit shkencore të Kolegjit Universitar “LOGOS”, në anën tjetër, përmes kontributit që ofron KLSH-ja si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar, i cili ndihmon në përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike nga Qeveria dhe entet e tjera publike nëpërmjet auditimit.
Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj theksoi se marrëveshja e bashkëpunimit mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Kolegjit Universitar “LOGOS” do të gjejë zbatim për të dyja palët dhe do të shtrihet në bashkëpunime konkrete.
KLSH gjatë viteve 2012-2019 ka qenë në proces modernizimi të institucionit dhe jemi përpjekur të fusim në auditim teknika të reja të vizualizimit të të dhënave, për të përcaktuar më mirë zonat dhe autoritetet kontraktore publike me risk më të lartë. Për ta realizuar këtë qasje, kemi bashkëpunuar me USAID dhe institucione prestigjoze të fushës.
Pikërisht kjo eksperiencë dhe zgjerimi i bashkëpunimit edhe me Kolegjin Universitar LOGOS është një nga treguesit e këtij rrugëtimi.
KLSH është tashmë i konfirmuar si institucioni me eksperiencën më të plotë përsa i përket jo vetëm auditimit të jashtëm publik, por edhe për zhvillimet metodologjike të auditimit në tërësi në zbatim të Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit, ISSAI-ve.
Transparenca e aktivitetit të KLSH-së është një nga aspektet e funksionimit te institucionit tone, bazuar në standardin e INTOSAI-t, ISSAI 12 “si institucion që udhëheq nëpërmjet shembullit”, si dhe përbën një nga objektivat e Strategjisë së Komunikimit të institucionit.
Në këtë kontekst, KLSH ka aplikuar instrumentin “Data Mining”, krahas qasjes “Big Data”, duke shfrytëzuar edhe qasjen e SAI-t të Çekisë, lidhur me menaxhimin e fluksit të informacionit elektronik qeveritar, që do të mundësojë nxjerrjen e të dhënave të ndryshme nga baza të dhënash të jashtme.
Prof.Dr.Nikoleta Mita, Rektorja e Kolegjit Universitar “LOGOS”, i cili është një Universitet i konsoliduar, me një eksperiencë tashmë 10 vjeçare, e vlerësoi shumë nënshkrimin e marrëveshjes me KLSH-në, sepse do ti shërbejë njohjes më të mirë të tregut të punës, kërkimeve shkencore të përbashkëta, realizimit të praktikave mësimore të studentëve, etj.
Prof.Dr.Nikoleta Mita shprehu interes konkret për të bashkëpunuar dhe ndarë eksperiencat e fituara nga KLSH në realizimin e gjashtë Konferencave Shkencore në shtatë vitet e fundit. Konferenca Shkencore, e organizuar çdo vit nga KLSH, do të jetë një pikëtakim i rëndësishëm për të zhvilluar bashkërisht mendimin shkencor në fusha të ndryshme të shkencave ekonomike e më gjerë.
Më tej zoti Leskaj tha se KLSH mund të bashkëpunojë edhe në mbështetje të sfidës së këtij Kolegji Universitar për zhvillimin e programit të Masterit të Inxhinierisë Financiare. Më konkretisht nëpërmjet aplikimit të instrumentit të data mining, i cili do të mundësojë nxjerrjen e të dhënave të ndryshme nga mediat online, si artikuj të përgatitur nga stafi i KLSH, apo që citojnë gjetje të auditimeve të KLSH-së. Ai bazohet në fjalë kyçe në fokus të KLSH si efektivitet, efiçiencë, ekonomicitet, dëm ekonomik, auditim, të ardhura të munguara, përmirësime ligjore, etj.
Zoti Leskaj e mbylli fjalën e tij duke nëvizuar se ”..kjo marrëveshje do të zbatohet në praktikë duke ecur paralel me filozofinë e INTOSAI-t, e cila është kthyer edhe në filozofi të institucionit ”Nga eksperienca e përbashket përfitojnë të gjithë”.