KLSH merr pjesë në Programit Ndërkombëtar të Fellowship-it të organizuar nga Zyra e Auditimit të Qeverisë së SHBA-së.
26.07.2019
Për të katërtin vit me radhë auditues të KLSH-së marrin pjesë në programin ndërkombëtar të fellowship-it të organizuar nga Zyra e Auditimit të Qeverisë së SHBA (GAO) gjatë periudhës 20 mars – 12 korrik 2019. Në këtë program për vitin 2019 morën pjesë 21 pjesëmarrës nga 18 shtete të ndryshme, nga KLSH mori pjesë znj. Ermira Vojka, Audituese e Lartë në Departamentin e Auditimit të Performancës.
Burimi GAO
Pjesëmarrësit në IAFP 2019
International Auditor Fellowship Program (IAFP) që organizohet nga GAO është një program 4-mujor, i cili përfshin 640 orë trajnimi në total. Ai është i organizuar në trajnime, seminare, konferenca, e-learning si dhe studim dhe pune e pavarur për të përgatitur një dokument strategjik organizativ nga audituesit pjesëmarrës. Tashmë në vitin e 40-të të organizimit të tij, programi numëron 632 pjesëmarrës nga 107 vende të botës dhe ka për qëllim t’ju vijë në ndihmë SAI-ve në ngritjen e kapaciteteve të tyre profesionale duke iu referuar praktikave më të mira në fushën e auditimit siç janë ato të GAO-s.
Për 4 muaj auditues dhe drejtues të nivelit të mesëm dhe të lartë nga SAI-t pjesëmarrëse trajnohen në drejtime të rëndësishme të zhvillimit profesional. Pjesëmarrësit njihen dhe mësojnë se si GAO planifikon, menaxhon dhe komunikon punën e saj, njihen dhe mësojnë praktikat e auditimit të GAO-s me qëllim përmirësimin e praktikave të punës në SAI-t e tyre, mësojnë aspektet teknike dhe menaxheriale të zhvillimit të auditimit të performancës, shkëmbejnë informacion rreth praktikave të auditimit në SAI-t e tyre, përmirësojnë dhe zhvillojnë formimin e tyre profesional dhe personal duke u trajnuar në aspekte të fokusuara në aftësitë drejtuese.
Temat e trajnimit që janë përzgjedhur në këtë program janë gjithëpërfshirëse dhe mbulojnë të gjithë ciklin e auditimit të performancës në GAO, duke filluar nga planifikimi i auditimit, krijimi i grupeve të auditimit, zhvillimi i auditimit në terren (mbledhja, vlerësimi dhe analizimi i të dhënave), hartimi i raportit, sigurimi i cilësisë, komunikimi i gjetjeve dhe rekomandimeve, etj.
Përveç trajnimit të zhvilluar në GAO si pjesë e programit ishin dhe pjesëmarrja në:
Konferencën “Joint Financial Management Improvement Program (JFMIP)”. Kjo konferencë është një sipërmarrje bashkëpunuese midis Zyrës së Menaxhimit të Buxhetit, GAO-s, Departamentit të Thesarit dhe Zyrës së Menaxhimit të Personelit të cilat punojnë në bashkëpunim me njëra-tjetrën dhe me agjencitë e tjera operative për të përmirësuar praktikat dhe politikat e menaxhimit financiar. Qëllimi i përgjithshëm i JFMIP është për të përmirësuar dhe për të koordinuar praktikat dhe politikat e menaxhimit financiar në të gjithë qeverinë kështu që ato do të japin një kontribut domethënës në planifikimin dhe operimin efektiv dhe efiçent të programeve të qeverisë.
Workshopin në Bankën Botërore mbi bashkëpunimin që ajo ka me Institucionet Supreme të Auditimit, rolin e saj dhe të SAI-ve në zbatimin e Agjendës 2030 të Kombeve të Bashkuara për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Vizitë dy ditore në Zyrën e Auditimit të Shtetit të New York-ut, ku pjesëmarrësit u njohën me praktikat e auditimit të kësaj zyre lidhur me analizimin e të dhënave, si audituesit përdorin Open Data në kryerjen e auditimeve si dhe u diskutua mbi sfidat që hasin audituesit në përdorimin e teknologjive të reja në kryerjen e auditimeve.
Krahas temave që synonin njohjen e audituesve me politikat, procedurat dhe praktikat e GAO-s, mësimin e teknikave dhe aspekteve të menaxhimit të auditimit të performancës, një pjesë e rëndësishme e programit i ishte kushtuar trajnimit të pjesëmarrësve në zhvillimin apo përmirësimin e aftësive drejtuese dhe zhvillimit personal. Tema të tilla si “Njohja dhe identifikimi i paragjykimeve të pavetëdijshme, ndikimi që kanë në punën tonë dhe si mund ti zvogëlojmë ato”, “Fuqizimi dhe motivimi i punonjësve”, “Si të krijosh dhe të mbash grupe auditimi me performancë të lartë” e plot të tjera u vlerësuan nga pjesëmarrësit si shumë të vlefshme.
Përgjatë ndjekjes së programit si dhe në përfundim të tij të gjithë pjesëmarrësit patën mundësinë të takoheshin me drejtues të lartë të GAO-s: z. Gene Dodaro - Kontrollor i Përgjithshëm i GAO-s, znj. Kate Siggerud – Drejtuese Operative, z. Karl Maschino - Drejtues Administrativ the Financiar dhe z. James Christian Blockwood - Drejtor i Planifikimit Strategjik.
Gjatë këtyre takimeve të cilat ishin konceptuar si bashkëbisedime, pjesëmarrësit u njohën edhe më shumë me punën që bën GAO dhe sfidat që has në përmbushje të detyrimeve të saj kundrejt Kongresit. Z. Dodaro gjatë diskutimeve shprehu rëndësinë që i jep GAO këtij programi ku në organizimin e tij janë të angazhuar me kohë të plotë apo të pjesshme një numër shumë i madh punonjësish. Ai theksoi se është i lumtur për kontributin që GAO jep në ngritjen e kapaciteteve të audituesve të SAI-ve dhe inkurajoi pjesëmarrësit që të përfitojnë sa më shumë nga kjo mundësi e shkëlqyer.
Në takimin me z. Blockwood audituesit patën mundësinë që krahas falënderimit për përkushtimin e GAO-s në organizimin e këtij programi ti shprehin atij edhe feedback-un mbi eksperiencën e fituar gjatë katër muajve. Për sa i takon KLSH-së z. Blockwood shprehu respekt të veçantë për Kryetarin e KLSH-së z. Bujar Leskaj dhe vlerësoi punën e bërë ndër vite nga KLSH për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe audituese të stafit.
Në përfundim pjesëmarrësit dorëzuan dokumentin strategjik organizativ të përgatitur gjatë zhvillimit të programit. Ky dokument përgatitet nën mbikëqyrjen e një Udhëheqësi i cili është një punonjës i GAO-s në nivel drejtues dhe i lidhur me temën e dokumentit strategjik. Znj. Vojka përgatiti dhe dorëzoi dokumentin strategjik me temë “Rritja e Ndikimit të Auditimeve të Performancës për Çështjet e Mjedisit – Të mësojmë nga praktikat e GAO-s”.
Gjatë ceremonisë zyrtare të diplomimit të zhvilluar më 11 korrik 2019, në fjalën e tij z. Dodaro inkurajoi të diplomuarit të “vazhdojnë zhvillimin e tyre profesional dhe përfshirjen aktive jo vetëm në SAI-t e tyre por edhe më gjerë, në komunitetin INTOSAI ”. Ai vazhdoi më tej duke thënë që beson se “ është nëpërmjet këtij bashkëpunimi, si dhe mbështetjen dhe pjesëmarrjen e SAI-ve që puna e INTOSAI-t vazhdon të përparojë ”.
Burimi GAO
Auditori i Përgjithshëm i GAO-s duke iu drejtuar të diplomuarve në IAFP 2019
Në përfundim të programit të fellowship-it pjesëmarrësit u pajisën me certifikatën e kryerjes me sukses të këtij programi.
Burimi GAO