Njoftim mbi Auditimin e Performancës me temë “Ndotja Akustike”
21.08.2019
Kontrolli i Lartë i Shtetit në Qershor të vitit 2019 përfundoi auditimin e performancës me temë “Ndotja akustike”, i kryer pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, dhe Bashkisë Tiranë, për të cilin Kryetari i KLSH mori Vendimin nr. 31 datë 30.07.2019 në lidhje me gjetjet dhe rekomandimet e këtij auditimi.
Nisur nga impakti i madh që ka në shëndetin e njeriut, ndotja akustike, përbën një nga problemet më të mëdha sociale në qytetet kryesore të vendit tonë. Fokusi i auditimit krahas zbatimit të politikave qeveritare në mbrojtje të zhurmave në mjedis sipas standardeve kombëtare, ka qenë përshkrimi i situatës aktuale, vlerësimi i monitorimit dhe inspektimit, si dhe evidentimi i studimeve apo projekteve të realizuara nga institucionet përgjegjëse. Në këtë auditim, i cili ka mbuluar periudhën 2016–2018 është analizuar efektiviteti i institucioneve subjekt auditimi të cilat janë përgjegjëse për manaxhimin e zhurmave në mjedis dhe problematikave të dala prej tyre.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit duke mos miratuar një sërë udhëzimesh ka dështuar të plotësojë kuadrin ligjor mbi zhurmat mjedisore me akte nënligjore edhe pse kanë kaluar 12 vite që nga krijimi i ligjit kryesor të zhurmave. Bashkia Tiranë nuk ka hartuar politika të përshtatshme lidhur me manaxhimin e zhurmave mjedisore. Plani Vendor i Veprimit të zhurmave, hartëzimi i zhurmave, shpallja e zonave të qeta urbane janë disa nga detyrimet ligjore të cilat Bashkia Tiranë nuk ka arritur t’i përmbushë. Nga ana tjetër, monitorimi i zhurmave nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk është i mjaftueshëm për të prodhuar të dhëna përfaqësuese dhe të besueshme për qytetet përkatëse si pasojë e buxhetit të vogël të alokuar nga MTM, çka evidentohet edhe në mos përmbushjen e objektivave që vetë Ministria e Turizimit dhe Mjedisit vendos. Mosakreditimi i procesit të monitorimit të zhurmave ndikon gjithashtu në besueshmërinë e ulët të të dhënave. Mungesa e aparaturave të matjes së zhurmave në ISHMPUT, sjell vështirësi në inspektim dhe marrjen e masave konkrete kundrejt subjekteve që lëshojnë zhurma sipër normave të lejuara.
- Këshilli Teknik për Zhurmat nuk është ngritur dhe nuk ka funksionuar asnjëherë. Ai duhet të funksionojë pranë Ministrit të MTM si një organizëm ndërinstitucional këshillimor për çështjet e zhurmës.
- Ministri i MTM, në bashkëpunim me Ministrin që mbulon rregullimin e territorit, nuk kanë miratuar udhëzimin për kërkesat dhe rregullat për reduktimin e zhurmave në mjedis që në procesin e hartimit të planeve të rregullimit të territorit.
- Ministri i MTM, në bashkëpunim me Ministrin që mbulon punët publike, nuk ka miratuar udhëzimin për rregullat teknike dhe masat e mbrojtjes nga zhurma që në fazën e projektimit dhe gjatë ndërtimit të ndërtesave.
- Ministri i MTM, në bashkëpunim me Ministrin që mbulon punët publike, nuk ka miratuar udhëzimin për kërkesat dhe rregullat e verifikimit akustik të ndërtesave, para se ato të vihen në përdorim. Projektimet për ndërtime, rikonstruksione ndërtesash për banim apo veprimtari ekonomike e shoqërore, realizohen të tilla që zhurmat në brendësi apo në afërsi të saj të jenë brenda nivelit kufi. Mungesa e Udhëzuesve nga MTM dhe Ministria përgjegjëse për punët publike në përcaktimin e kritereve teknike dhe të masave mbrojtëse ndaj zhurmave që në fazën e projektimit, ndërtimit dhe para përdorimit të ndërtesave çojnë në ekspozimin e banorëve ndaj zhurmave duke rritur efektet negative që ato (zhurmat) sjellin në shëndet.
- Bashkia Tiranë nuk ka miratuar Planin Vendor të Veprimit për zhurmat.
- Bashkia Tiranë nuk ka realizuar hartëzimin e zhurmave për qytetin e Tiranës. Hartëzimi i zhurmës është paraqitja me indikatorë e të dhënave për zhurmën, për një gjendje ekzistuese ose të parashikuar, që tregon kapërcimin e nivelit kufi, numrin e njerëzve të ndikuar në një zonë të caktuar ose numrin e banesave të ekspozuara ndaj disa vlerave të indikatorit të zhurmës në atë zonë. Hartëzimi i zhurmave realizohet dhe duhet të jetë në sinkron me Planin Vendor të Veprimit për zhurmat.
- Orari i punimeve në lejet e ndërtimit që Bashkia e Tiranës miraton, nuk është i përcaktuar. Në formularët e aplikimit dhe në lejet e ndërtimit që Bashkia Tiranë miraton nuk janë të përcaktuara oraret në të cilat duhet të kryhen punimet e ndërtimit nga subjektet që përfitojnë leje ndërtimi. Mos vendosja e orareve të caktuara se kur duhet të kryhen punimet, bën që në mjaft raste të punohet në orët e vona të natës duke sjellë shqetësim për banorët e Tiranës.
- Bashkia Tiranë nuk ka vendosur kritere për përdorimin e materialeve të izolimit akustik në lejet e ndërtimit. Materialet e izolimit akustik janë shumë të rëndësishme sa i përket reduktimit të zhurmave mjedisore në ambientet e brendshme të banimit. Duke mos vendosur kritere fikse për subjektet/kompanitë e ndërtimit mbi llojet e materialeve izolues-akustik që duhet të përdorin, nuk ndikon në përmirësimin e cilësisë së godinave sa i përket reduktimit të zhurmave.
- Bashkia Tiranë nuk ka asnjë të dhënë mbi numrin e popullsisë së ekspozuar në territorin e Bashkisë së Tiranës.
- Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) nuk ka mundur të vlerësojë nëpërmjet studimeve epidemiologjike efektet negative në shëndet të zhurmave mjedisore për sëmundje të caktuara si për shembull sëmundje kardiovaskulare, hipertension, etj.
- ISHP nuk ka asnjë metodologji/manual/udhëzim për të vlerësuar barrën mjedisore të zhurmave duke përllogaritur “YLL” (Vitet e humbura të jetës) dhe “YLD”, (Vitet e jetuara me paaftësi). Studimet epidemiologjike janë shumë të rëndësishme për të vlerësuar lidhjen shkak pasojë midis zhurmave mjedisore dhe sëmundjeve të ndryshme si ato kardiovaskulare etj. Fakti që ISHP nuk ka të dhëna mbi këto sëmundje bën të pamundur vlerësimin e efektit real që ato (zhurmat) japin në shëndetin e popullatës. Pamundësia për të realizuar studime epidemiologjike, ku të bëhet i mundur vlerësimi i barrës mjedisore të sëmundjes, përllogaritjeve të YLL dhe YLD lidhet edhe me performancën jo të mirë të shërbimit parësor shëndetësor si dhe me ngarkesën që sektori i Fizikës Sanitare në ISHP ka në trajtimin e ankesave lidhur me zhurmat por edhe me kryerjen e matjeve për subjektet që aplikojnë per leje mjedisi.
- Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) ka kryer monitorimin e zhurmave në kundërshtim me Ligjin nr. 9774, datë 12.7.2007 “Për vlerësimin dhe administrimin e zhurmës në mjedis”, neni 7 dhe VKM nr. 1189 datë 18.11.2009, “Për rregullat dhe procedurat për hartimin dhe zbatimin e Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit”, Aneksi 1, pika 3, gërma “ë”.
- Frekuenca ose numri i monitorimeve të bëra nga AKM në një vit nuk përfaqëson mesataren e nivelit të zhurmave për pikat e monitorimit. Sistemi i monitorimit nuk është gjithëpërfshirës dhe prezantues për të gjetur mesataren e një qyteti të caktuar. Frekuenca ose matja në pikat e monitorimit nga AKM në vetëm 1 ose 2 ditë në vit nuk mund të nxjerrë rezultate për gjendjen reale të zhurmave gjatë një viti. Për të dalë në këtë konkluzion jemi mbështetur në prakikën zviceriane të përmendur në pyetjen audituese “3.2.1” në të cilën theksohet se frekuenca e monitorimit të zhurmave duhet të jetë disa ditë në stinë
- Në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit (PKMM) dhe në Raportin e Gjendjes së Mjedisit (RGJM) për vitet 2016 dhe 2017 nuk është përshkruar metodika e përzgjedhjes së pikave të monitorimit për qytetet përkatëse.
- ISHMPUT nuk disponon aparatura matëse të nivelit të zhurmave dhe në inspektimet në terren mjaftohet vetëm me kontrollin e lejeve mjedisore të subjekteve zhurmëlëshuese.
Në Vendimin e Kryetarit të KLSH-së për auditimin e performancës “Ndotja akustike” janë dhënë 39 rekomandime për organet e qeverisjes qendrore dhe vendore të cilat synojnë reduktimin e problemeve të ngritura në këtë auditim dhe përmirësimin në tërësi të situatës aktuale lidhur me zhurmat mjedisore dhe efekteve negative që ato japin në shëndetin e popullatës.