Faleminderit INTOSAI, Shkrim i Kryetarit të KLSH-së z.Bujar Leskaj dedikuar Kongresit të XXIII-të të INCOSAI-t
04.10.2019
Faleminderit INTOSAI!
Nga Bujar Leskaj
Më 24 shtator 2019, institucioni më i lartë i auditimit publik të Kosovës, Zyra Kombëtare e Auditimit(ZKA) u pranua anëtare me të drejta të plota e INTOSAI-t, organizatës botërore të institucioneve supreme të auditimit. Një sukses i merituar për zyrën më të re të auditimit publik në botë, me vetëm 15 vjet jetë. Bordi Drejtues i INTOSAI-t e miratoi këtë anëtarësim me shumicë votash.
Pavarësisht nga progresi i spikatur i ZKA-së në drejtim të dijeve në auditim, trajnimeve të shumta dhe projekteve që ajo ka zhvilluar me SAI-t partnere, integrimi i plotë i saj në gjirin e organizatës INTOSAI nuk ishte i lehtë. Anëtarësim i plotë i Kosovës në komunitetin e INTOSAI-t nuk do të mund të ishte realizuar, nëse nuk do të kishte qenë mbështetja e vendosur dhe përcaktuese e Zyrës së Llogaridhënies Qeveritare të SHBA-ve (GAO) dhe e Kryekontrollorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Gene L. Dodaro. Z. Dodaro, personaliteti numër një i INTOSAI-t u angazhua personalisht në Bordin Drejtues të INTOSAI-t, ku luan një rol lider në përafrimet strategjike të organizatës. Z. Dodaro, mik i madh i shqiptareve dhe i KLSH-së, është frymëzuesi dhe drejtuesi i procesit të përgatitjes dhe zbatimit të Planeve Strategjike të Zhvillimit të INTOSAI-t 2006-2010, 2011-2016 dhe 2017-2022. Ishte bindja e tij e palëkundur në vlerat dhe domosdoshmërinë e integrimit të ZKA-së si anëtar me të drejta të plota në INTOSAI. Ky kontribut ishte përcaktues në suksesin e SAI-t kosovar. Bordi Drejtues i INTOSAI-t e miratoi këtë anëtarësim me shumicë votash. Duhet theksuar se vendimi i Bordit për anëtarësimin e SAI-t kosovar ishte shprehje e një emancipimi të fortë të INTOSAI-t, e cila me 194 vende anëtare është organizata profesionale më e madhe nën ombrellën e OKB-së.
Një kontribut të veçantë dha Sekretariati i Përgjithshëm i INTOSAI-t.
Ndërkohë, SAI-t kosovar i erdhën në krah shumë partnerë të fuqishëm të tjerë. Një rol ndihmues me shumë vlera dha Zyra e Auditimit Shtetëror të Polonisë (NIK), njëherazi dhe partner i KLSH-së në këto vite. Ne kemi zbatuar një projekt binjakëzimi të Bashkimit Evropian me NIK-un polak, ndërsa ZKA e Kosovës ka një marrëveshje premtuese bashkëpunimi me polakët. Mbi këto baza dhe mbi eksperiencën e grumbulluar, besimi dhe vlerësimi i palës polake ndaj ZKA është i veçantë. Në Moskë, kontributi i Zv. Presidentit të NIK, z. Wojciech Kutyla (ish-drejtues i Projektit të Binjakëzimit IPA 2013 për KLSH-në (në vitet 2016-2018), në mbështetje të anëtarësimit të plotë të ZKA, u tregua shumë i vlefshëm. Argumentet e tij ishin me peshë dhe në kohën e duhur. Një përkrahje të vyer dha edhe SAI i Suedisë, ndër SAI-t më të zhvilluar dhe aktivë në komunitetin e INTOSAI-t, me të cilin Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës e lidh një periudhë e gjatë bashkëpunimi të suksesshëm 2011-2019, si dhe SAI i Kroacisë, me President z. Ivan Klesiç. Ndër vite, SAI-n e Kosovës e kanë mbështetur miqtë e Kosovës dhe të KLSH-së, si ish-Presidentët e NIK-ut polak Jacez Jezierski dhe Krzysztof Kwiatkowski, ish-Presidenti i Gjykatës së Auditimit të Sllovenisë dhe Eurodeputet Dr. Igos Sholtes, ish-Presidenti i Gjykatës Turke të Llogarive Prof. Dr. Rejai Akyel, Kryetari në detyrë i SAI-t të Maqedonisë së Veriut Naser Ademi, Drejtori i Planifikimit Strategjik në GAO, James Blockwood dhe shumë personalitete të tjerë.
Suksesi i SAI-t kosovar nuk është i rastësishëm. Ai është ngjizur përgjatë viteve të vështira të krijimit dhe rritjes së tij. Kjo arritje erdhi dhe si rezultat i punës me vlerë të trupës audituese të ZKA-së, të udhëhequr nga Audituesi i Përgjithshëm, z. Besnik Osmani, në drejtim te reformimit të thellë të institucionit, njohjes së standardeve ndërkombëtare të fushës ISSAI-ve dhe aplikimit të tyre në praktikë, sidomos në auditimet financiare dhe të performancës. Një reformim i filluar nga një personalitet i auditimit suprem publik ndërkombëtar, z. Lars Lage Olofsson, ish Këshilltar i Lartë i SIGMA-s (programi “Mbështetje për përmirësim në qeverisje dhe menaxhim”, i financuar nga BE dhe OECD), i cili e drejtoi Zyrën në Kosovë që nga viti 2009 i themelimit të saj dhe deri në vitin 2015.
Zoti Olofsson ka ndihmuar me dijet e tij dhe kontribuar në thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit KLSH-ZKA. Atij i dedikohet raporti i zgjeruar i bashkëpunimit që ZKA ka me një partner shumë të vlefshëm dhe të zhvilluar, Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë.
Anëtarësimi me të drejta të plota i Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, i cili bëhet efektiv në 1 janar 2020, përbën pa dyshim jo vetëm suksesin më të madh në historinë e auditimit të jashtëm publik të Shtetit të Kosovës, por edhe një arritje në fushatën e madhe të njohjes së institucioneve të Kosovës nga partnerët ndërkombëtarë. Ne si KLSH jemi krenarë për suksesin e sivëllait tonë në auditim, për të cilin jemi përpjekur të kontribuojmë modestisht. Marrëveshja me Zyrën e Auditimit të Kosovës ishte marrëveshja e parë ndërkombëtare që kam lidhur në shkurt të vitit 2012. Për mua personalisht ngelet marrëveshja më e veçantë dhe emocionuese.
Këto shtatë vite e gjysëm kanë parë organizimin (nga të dyja institucionet tona) të dhjetëra seminareve, konferencave, tryezave dhe takimeve të përbashkëta të punës. Gjithçka është siguruar mbi bazat e një vullneti të fortë dhe të sinqertë bashkëpunues nga të dyja palët. Me SAI-n e Kosovës, audituesit tanë kanë shkëmbyer eksperiencat në auditim. Kemi kryer auditime të përbashkëta të performancës, me nismën tonë ose në kuadrin e nismave të grupeve të punës të EUROSAI-t. Kemi botuar libra së bashku, zhvilluar analiza të përbashkëta pune, si dhe shkëmbyer manuale dhe udhëzues të ndryshëm në shqip për standardet ndërkombëtare të auditimit suprem ISSAI.
Me këtë rast, në emër të audituesve shqiptarë, dua të falënderoj garantët e integrimit të SAI-t të Kosovës në familjen e institucioneve të auditimit suprem të botës, INTOSAI-t. Në radhë të parë, Zyrën e Llogaridhënies Qeveritare (GAO) dhe drejtuesin e saj, Kontrollorin e Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Gene L. Dodaro, Sekretaren e Përgjithshme të INTOSAI-t Margit Kraker, Gjykatën Evropiane të Audituesve, NIK-un polak, SAI-n e Kroacisë dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë. Ju faleminderit dhe gjithmonë mirënjohës!
Këta garantë përbëjnë edhe një garanci për zhvillimin e qëndrueshëm të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës në të ardhmen, drejt shndërrimit në një SAI modern evropian. Rrugëtimi ynë me ZKA-në është i përbashkët. Ndajmë të njëjtat misione, vlera dhe synime për të ardhmen e institucioneve tona në familjen e SAI-ve të Bashkimit Evropian, në përpjekje të vazhdueshme për t’í ofruar qytetarëve tanë vlerë të shtuar në administrimin me efektivitet, eficiencë dhe ekonomicitet të parave të tyre si taksapagues.
Ne do të vazhdojmë me auditime të përbashkëta në shumë fusha, pasi dy-tre projekte të iniciuara kanë ecur mirë.
Ky anëtarësim merr një vlerë të veçantë dhe përbën shembull reformimi dhe lobimi për institucionet e tjera të Shtetit kosovar, në përpjekjet e tyre për integrimin evropian të Kosovës, në një kohë kur për fat të keq, institucionet serbe lobojnë fort kundër.
Faleminderit INTOSAI dhe Dodaro!
Shënim : Botuar në gazetën “ Sot”, më 5 tetor 2019.