Qeveria e Polonisë (Ministri i Jashtëm) Dekoron me Medaljen e Nderit “Bene Merito” Kryetarin e KLSH-së, Z. Bujar Leskaj
11.10.2019
Në datën 10 tetor në një ceremoni në mjediset e Ambasadës së Polonisë në Shqipëri, Ambasadori polak z. Karol Bachura i dorëzoi z. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit medaljen “Bene Merito”, me nr. Vendimi 69, dt. 12.08.2019 (Fletorja Zyrtare nr.189, pozicioni 1469), akorduar nga Ministri i Jashtëm i Polonisë Jacek Czaputowicz.
Duke lexuar vendimin përkatës të Ministrit të Jashtëm Polak, për motivimin e vlerësimit të lartë, Ambasadori Bachura theksoi se “Zoti Bujar Leskaj është një mik i shquar i Polonisë, promotor i dijes për vendin tonë në Republikën e Shqipërisë dhe mbajtës i Medaljes “Kalores i Urdhrit të Meritës të Republikës së Polonisë”(2017)”.
Më tej ambasadori polak nënvizoi se “Me iniciativën e z. Leskaj doli Albumi me titull “100 simbolet polake - 100 vende, figura dhe ngjarje të rëndësishme për Poloninë, Evropën dhe botën”. Versioni dy gjuhësh shqip-anglisht është botimi i parë kompleks në Republikën e Shqipërisë, që afron dhe ilustron historinë dhe simboliken polake. Botimi paraqet 100 vendet, ngjarjet, figurat dhe arritjet më të rëndësishme nga protagonistë polakë, që kanë ndryshuar Poloninë, Evropën dhe botën”.
Z. Bachura u shpreh se në cilësinë e Kryetarit të KLSH, z. Leskaj ka intensifikuar bashkëpunimin me Zyrën Shtetërore të Auditimit të Polonisë (NIK). Dëshmi e bashkëveprimit ka qene projekti dyvjeçar i binjakëzimit IPA 2013 me fonde të Bashkimit Evropian, realizuar nga NIK dhe institucioni i auditimit suprem të Kroacisë për zhvillimin e kapaciteteve audituese të KLSH, duke realizuar më shumë se 100 misione ekspertësh në Shqipëri dhe vizita studimore në vendet e BE-së, duke përfshirë Poloninë.
Më tej, Ambasadori polak vazhdoi, duke cilësuar se “Në tetor 2018, me rastin e 125 vjetorit të lindjes së Prof. Stanislav Zuber, zbuluesit polak të rezervave të naftës, gazit dhe shumë mineraleve në Shqipëri, i vdekur tragjikisht në burgjet komuniste në Shqipëri në vitin 1947, z. Leskaj organizoi në sallën e Akademisë së Shkencave një simpozium kombëtar për veprën e Prof. Zuber…Z. Leskaj është autor i shumë shkrimeve rreth rolit të Polonisë në arenën ndërkombëtare”.
Në fjalën e tij, z. Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH e falenderoi Ambasadorin Bachura dhe nëpërmjet tij qeverinë dhe popullin polak, për vlerësimin e dhënë. Ai u shpreh se: “ Kjo medalje është e dyta, pas asaj të Presidentit polak Duda dhe ndihem shumë i nderuar, pasi me popullin mik polak na lidhin shumë gjera: krenaria kombëtare, mikpritja, sinqeriteti, karakteri i fortë dhe integriteti. Ndihem thellësisht i vlerësuar, pasi janë me qindra studentet shqiptarë që kanë studiuar në Poloni dhe me dhjetëra prej tyre, disa prej të cilëve janë të pranishëm edhe në këtë sallë, janë personalitete të spikatura në fushat përkatëse në jetën tonë shoqërore, artistike dhe kulturore dhe ky vlerësim që m’u dha mua mendoj se u takon edhe atyre, për kontributin e dhënë. Ndihem tejet i obliguar nga ky nderim, për të bërë gjithnjë e më shumë e gjithnjë e më mirë, në promovimin e vlerave të shpirtit dhe qytetërimit polak.
Historia polake, sikurse edhe historia e kombit shqiptar, ka njohur shumë ndarje dhe drama kombëtare. Nëse mund ta perifrazoj historinë polake me mazurkën, vallen kombëtare polake, Polonia në historinë e saj ka luajtur pesë mazurka të mëdha. Në vitin 1683, polakët luajtën “mazurkën” e parë, një rol vendimtar për shpëtimin e Vjenës nga rrethimi otoman dhe me këtë, edhe për shpëtimin e të gjithë Europës. Në 1920, polakët e shpëtuan Europën nga invazioni i Rusisë bolshevike, duke e ndalur Ushtrinë e Kuqe në hyrje të Varshavës. Kjo ishte “mazurka”e dyte. Në qoftëse nuk do të kishte qenë qëndresa polake dhe Ushtria e Kuqe do të hynte në Gjermani, ku lëvizja komuniste ishte shumë e fortë, e gjithë Europa do të ishte bërë bolshevike, duke përfshirë edhe Francën. Historia e Europës dhe botës do të kishte qenë shumë më e ndryshme, nga ç’është sot.
Në vitet 1939-1945, Polonia si shtet dhe si komb, luajti ndoshta mazurkën më heroike të saj. Me qindra mijëra polake dhanë jetën në një nga qëndresat me madhështore të Luftës së Dytë Botërore, edhe pse vendi ishte i okupuar.
Në kohën e Luftës së Ftohtë, kur Polonia dukej e nënshtruar, ajo luajti mazurkën e katërt madhështore me rëndësi për fatin e Europës dhe të Botës, me Papa Gjon Palin II (ose ndryshe polaku erudit, filozof dhe poet Karol Vojtila) si lider shpirtëror, i cili përgatiti revolucionet në Europën Lindore që përmbysën “Perden e Hekurt” komuniste, si dhe me qëndresën antikomuniste të Solidarnostit, të drejtuar nga Les Valesa.
Në vitet e demokracisë, asnjë vend tjetër ish-komunist nuk ka ecur më mirë se Polonia, në të gjitha fushat, atë të ndërtimit të institucioneve demokratike, të shtetit ligjor, të modernizimit të ushtrisë, të shoqërisë civile dhe të ekonomisë. Sot Polonia është faktikisht një fuqi e madhe europiane, vendi i pestë në Evropë për potencialin ekonomik, si dhe një shtyllë e rëndësishme e NATO-s në Europën Lindore”.
Më tej z. Leskaj theksoi se “Polonia është një vend mik i Shqipërisë dhe këtë e ka treguar me prova. Për të gjitha marrëveshjet për integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike, të cilat kanë pasur nevojë për ratifikim nga parlamentet e vendeve anëtare, Polonia ka qenë gjithmonë në grupin e parë të vendeve që i ka ratifikuar”.
Ceremonia, në të cilën ndodheshin të ftuar personalitete të jetës kulturore, artistike dhe shoqërore të Shqipërisë, që kanë studiuar dhe jetuar në Poloni, shumë analistë dhe njohës të kulturës dhe artit polak dhe auditues të KLSH-së, kaloi në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore.