KLSH merr pjesë në Konferencën për Biodiversitetin dhe takimin e 17-të të Grupit të Punës së EUROSAI-t për Auditimet e Mjedisit në Luksemburg
30.10.2019
Në datat 22 - 24 tetor 2019 në Luksemburg, u zhvillua konferenca për Biodiversitetin, organizuar nga Auditori i Përgjithshëm i Estonisë, Kryetari i Grupit të Punës të EUROSAI për Auditimin e Mjedisit (WGEA) dhe Presidenti i Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA). Fokusi i kësaj Konference ishin aspekte të ndryshme të biodiversitetit dhe kryesisht shqetësimi për shkatërrimin e tij. Ky shqetësim është pasqyruar së fundmi edhe nga platforma ndër-qeveritare e politikës shkencore IPBES në raportin e saj global të vlerësimit, ku theksohet e ardhmja e zymtë e Evropës në këtë çështje. Ruajtja dhe përdorimi i biodiversitetit duhet të mirë menaxhohet në mënyrë që të parandalohet përkeqësimi i kontributeve të natyrës tek njerëzit dhe ruajtja e vlerave të saj. Konferenca e përbashkët u zhvillua me qëllim ofrimin e një mundësie për të mësuar rreth trendeve të fundit të politikave evropiane mbi biodiversitetin, si dhe mbi mundësitë dhe sfidat e auditimit për biodiversitetin.
KLSH u ërfaqësua në këtë takim nga Z. Alfred Cako, Kryeauditues dhe audituesit Znj. Eva Kasmi dhe Znj. Eneida Seraj.
Gjatë tre ditëve të zhvillimit të punimeve të konferencës, pati prezantime nga përfaqësues të SAI-ve të ndryshme, diskutime në grup, si dhe shkëmbime nga eksperiencat më të mira.
Në ditën e parë, fjalën e hapjes e mbajtën Z. Klaus-Heiner Lehne, President i Gjykatës Evropiane të Auditorëve dhe Z. Janar Holm, Kryetar i EUROSAI WGEA, Auditor i Përgjithshëm i Estonisë ku pasi shprehën falenderimet e tyre, vunë theksin mbi problematikat kryesore dhe ndikimet negative në biodiversitet. Nga diskutimet e ditës së parë rëndësia u vu në statusin dhe kërcënimet kryesore për biodiversitetin, politikat, rezultatet dhe strategjitë përkatëse në Bashkimin Evropian, si dhe përmirësimi i situatës në Evropë në tërësi.
Në ditën e dytë u zhvilluan prezantime nga SAI të ndryshëm pjesëmarrës në konferencë ku shërbyen si shkëmbim eksperiencash mbi auditime të ndryshme të kyera rreth çështjes. Përfaqësuesit e KLSH-së sollën si praktikë të mirë auditimin e performancës mbi Zonat e Mbrojtura Detare, auditim ky paralel i kryer gjatë vitit 2018 midis SAI-ve Qipro, Maltë, Greqi, Portugali dhe Spanjë. Gjatë këtij prezantimi pjesëmarrësit u njohën me situatën e përgjithshme dhe mangësitë për sa i përket menaxhimit të zonave të mbrojtura në Shqipëri, si dhe sfidat që hasen në mirë menaxhimin e tyre. Gjatë prezantimeve, SAI-t pjesëmarrëse, zhvilluan bisedime në formën e pyetjeve edhe mbi përfitimet e tyre nga këto auditime bashkëpunuese.
Në ditën e tretë dhe të fundit, diskutimet u fokusuan mbi menaxhimin e mbetjeve, ndryshimet klimaterike, si dhe mbi principin “Ndotësi paguan”. Gjithashtu, u zhvilluan edhe punime në grup në formën e brainstorming mbi masat e nevojshme për zbatimin e Strategjisë së EUROSAI WGEA 2020-2023.