Njoftime

KLSH merr pjesë në Workshopin me temë “Administrimi i mjedisit në vendet anëtare të BE-së kundrejt sistemit tregues të vlerësimit” të zhvilluar në Bruksel

01.11.2019

Në datën 22 Tetor 2019 në Bruksel, Belgjikë, u zhvillua workshopi me temë “Administrimi i mjedisit në vendet anëtare të BE-së kundrejt sistemit tregues të vlerësimit”. Workshopi organizohej nga Komisioni Europian në kuadër të Forumit të Qeverisjes dhe Përputhshmërisë Mjedisore ku EUROSAI, WGEA është observator.

Qëllimi i këtij workshopi ishte zhvillimi i mëtejshëm mbi bazën e rezultateve të projektit të qeverisjes së mjedisit, përzgjedhja dhe aplikimi i indikatorëve të përshtatshëm për transparencën, përfshirjen e publikut, aksesin në drejtësi, sigurimin e përputhshmërisë dhe efektivitetit në shtetet anëtare të BE-së, të cilat do të përdoren për monitorimin e qeverisjes së mjedisit dhe të performancës të qeverisjes të mjedisit.

Në këtë workshop morrën pjesë përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme për Mjedisin në Komisionin Europian, Bankës Botërore, Institutit për Politikat Europiane të Mjedisit (IEEP), Austrisë, Gjermanisë, SHBA, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Holandës, Beligjikës, Polonisë, Bullgarisë etj.

KLSH u përfaqësua në këtë aktivitet nga z.Luan Kuka, Auditues i Lartë dhe z.Orgest Levani, Auditues i Parë.

Workshop-i u hap me fjalën përshëndetëse të z. Joachim D’Eugenio, përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme për Mjedisin në Komisionin Europian, i cili theksoi rëndësinë e organizimit të këtij workshopi si një nga mënyrat efektive për të ndarë eksperiencat më të mira ndërmjet shteteve anëtare të BE dhe grupeve të interesit. Ai paraqiti objektivat specifike të cilat ishin:

Zhvillimi i një kuadri indikatorësh të përbashkët dhe të qëndrueshëm për qeverisjen e mjedisit

Krijimi i një sistemi informal monitorimi (p.sh data flow) i shoqëruar me publikime të shpeshta si pjesë e Revistës së Implementimit të Mjedisit (EIR)

Të sigurohet që një kuadër i tillë indikatorësh të jetë multi-funksional

Të ndihmoj monitorimin e progresit dhe demonstrimin e rezultateve të arritura nëpërmjet indikatorëve dhe të cilat mund të ndihmojnë në implementimin e fushave të ndryshme të politikave mjedisore.

Më pas, workshopi vazhdoi me prezantime të ndryshme rreth konceptit të qeverisjes së mjedisit nga të cilat, brenda 5 dimensioneve që formojnë bazën për vlerësimin e qeverisjes së mjedisit, u identifikuan 22 tema ndër të cilat përfshihej dhe një temë e ndërlikuar kontekstuale që shqyrton strukturat e qeverisjes.

Sesioni i pasdites i filloi punimet me një panel-debat lidhur me 5 dimensionet (1. transparenca, 2. përfshirja e publikut, 3. aksesi në sistemin e drejtësisë, 4. sigurimi i përputhshmërisë dhe llogaridhënia, si dhe 5. efiçenca dhe efektiviteti). Me anë të pyetjeve të parashtruara dhe përgjigjeve të dhëna nga katër grupet e formuara u formuluan avantazhet dhe disavantazhet e qeverisjes së mjedisit, vlerësimit të qeverisjes së mjedisit nga shtetet anëtare të BE-së, si dhe u bë krahasimi i informacionit të mbledhur dhe një përmbledhje esenciale e çështjeve më të rëndësishme në mënyrë që ky informacion të përdoret në nivel europian.

 P ërpjekja për të kategorizuar dhe vlerësuar performancën e Shteteve Anëtare të BE-së në pesë dimensionet ishte e dobishme si një mjet për të ilustruar dhe përmbledhur rezultatet, për të identifikuar modelet, si dhe për të identifikuar ato vende me sisteme më të përparuara në dimensione specifike. Ndër të tjera, u nxorrën në pah disa sfida kërkimore të cilat mundësuan formulimin e rekomandimeve se si korniza e vlerësimit mund të zhvillohet më tej. Gjithashtu, u vërejt se qeverisja mjedisore është një fushë dinamike, dhe përpjekjet për përmirësim janë ndërmarrë në shumë shtete anëtare, të cilat mund të çojnë në ndryshime në kategorizimin e performances së qeverisjes mjedisore. Takimi u përmbyll me konkluzione të rëndësishme për të gjithë pjesëmarrësit.

bruksel orges