KLSH merr pjesë në seminarin me temë “Të kontribuosh në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në sferën e parandalimit dhe eliminimit të pasojave të fatkeqësive dhe katastrofave”
04.11.2019
Në datën 30 tetor 2019, Grupi i Punës i EUROSAI-t për Auditimin e Fondeve të Alokuara për Fatkeqësitë dhe Katastrofat, dhe SAI i Serbisë organizuan në Beograd seminarin me temë: “Të kontribuosh në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në sferën e parandalimit dhe eliminimit të pasojave të fatkeqësive dhe katastrofave”. Në të morën pjesë përfaqësues nga SAI-t e Ukrainës, Serbisë, Turqisë, Polonisë dhe Rumanisë, ndërsa KLSH u përfaqësua nga audituesit Ermira Vojka, Arminda Bushi dhe Dorel Balliu.
Ky seminar u organizua në vijimësi të takimit të V-të që u zhvillua në Tiranë në datat 24-25 prill 2019, dhe në kuadër të implementimit të objektivit strategjik nr. 3 të Grupit të Punës të EUROSAI-t për Auditimin e Fondeve të Alokuara për Fatkeqësitë dhe Katastrofat “Të kontribuosh në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm”. Seminari kishte në fokus të diskutimeve çështjet aktuale që lidhen me parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive dhe katastrofave.
Ndër prezantimet që u paraqitën dhe u diskutuan ishin prezantimi rezultateve të auditimeve të kryera nga SAI i Polonisë dhe Ukrainës por me interes u ndoq edhe prezantimi i ekspertes së jashtme znj. Olena Tkach me temë “Pasojat e ndryshimeve klimaterike-menaxhimi i riskut të fatkeqësive”. Në këtë prezantim vihej theksi tek pasojat që kanë sjellë ndryshimet klimaterike në rritjen e riskut nga fatkeqësitë dhe lidhjen që ka menaxhimi i riskut ndaj fatkeqësive në nivel lokal-kombëtar dhe global.
Seminari përfundoi me mesazhin se roli i Institucioneve Supreme të Auditimit në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive dhe katastrofave është shumë i rëndësishëm. SAI-t me anë të auditimeve të kryera ndërgjegjësojnë qeveritë që të ulin riskun e prekjes nga fatkeqësitë dhe vënë theksin që një pjesë të fondeve të alokuara të shkojnë për kërkime dhe studime shkencore që ndihmojnë parandalimin dhe ulin mundësinë për të ndodhur fatkeqësitë.