Njoftime

KLSH nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Albanian University

07.11.2019

Në datën 7 nëntor 2019, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Dr. Bujar Leskaj dhe Rektorja e “Albanian University”, Prof.Dr.Vera Ostreni nënshkruan një Marrëveshje Bashkëpunimi në ambientet e KLSH-së, në kuadër të Muajit të Hapur që po zhvillon institucioni.
Marrëveshja vjen në kuadër të interesit të përbashkët për të bashkëpunuar në rritjen e kapaciteteve dhe njohurive profesionale të stafit të Kontrollit të Lartë të Shtetit në njërën anë, si dhe në zhvillimin e kurrikulave dhe mendimit shkencore të “Albanian University”, në anën tjetër, përmes kontributit që ofron KLSH-ja si institucioni më i lartë i kontrollit ekonomik e financiar, i cili ndihmon në përmirësimin e menaxhimit të fondeve publike nga Qeveria dhe entet e tjera publike nëpërmjet auditimit.

alban ut

Kryetari i KLSH-së, z. Bujar Leskaj theksoi se transparenca e aktivitetit të KLSH-së është një nga aspektet e funksionimit te institucionit tonë, bazuar në standardin e INTOSAI-t, ISSAI 12 “si institucion që udhëheq nëpërmjet shembullit”, si dhe përbën një nga objektivat e Strategjisë së Komunikimit të institucionit. Në këtë kuadër marrëveshja e bashkëpunimit mes Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe “Albanian University”, është në vazhdën e politikave të bashkëpunimit që KLSH ka pasur në qendër të vëmendjes gjithë këto vite  me Organizatat e Shoqërisë civile dhe me Universitetet. Ne kemi nënshkruar deri tani 31 marrëveshje të tilla dhe qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet që këto marrëveshje të jenë funksionale. Ne, në këtë drejtim, jemi mbështetur në dy kolona, së pari në moton e INTOSAI-t , “Nga Eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë”, duke qenë të bindur se përfitimi do të jetë dyplësh si për KLSH, ashtu edhe për “Albanian University”. Së dyti, ne investojmë në njerëz profesionistë dhe jemi serioz në angazhimet që marrim përsipër, me dëshirën e mirë që marrëveshjet të implementohen.
 
Prof.Dr.Vera Ostreni, Rektorja e “Albanian University”, vlerësoi shumë nënshkrimin e marrëveshjes me KLSH-në, sepse do ti shërbejë njohjes më të mirë të tregut të punës, kërkimeve shkencore të përbashkëta, realizimit të praktikave mësimore të studentëve, etj.

Prof.Dr.Vera Ostreni shprehu bindjen se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje ne po i afrohemi tendencës së Universiteteve në të gjithë botën për të bashkëpunuar me institucionet shtetërore. Ne do të propozojmë një plan pune me objektiva konkrete dhe afate kohore me qëllim implementimin e kësaj marrëveshje. Ne jemi shume të interesuar-vijoi zj.Ostreni- që të bashkëpunojmë me KLSH-në, veçanërisht në fushën ekonomike dhe Juridike.

Në nënshkrimin e kësaj marrëveshje morën pjesë përfaqësues të “Albanian University”, si dhe drejtues dhe auditues të KLSH-së.