Njoftime

KLSH merr pjesë në edicionin e XXII-të të Panairit të Librit

19.11.2019

Në datat 13-17 nëntor 2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në edicionin e XXIItë të Panairit të Librit, në Tiranë, duke shënuar kështu për të shtatin vit radhazi një pjesëmarrje dinjitoze, duke u paraqitur me 109 botime përkundrejt 17 botimeve të vitit 2013, kur mori pjesë për herë të parë në këtë panair.

Fjalën e hapjes e mbajti zj. Luljeta Nano, Sekretare e Përgjithshme e KLSH-së, e cila vlerësoi botimet e KLSH-së në vite dhe rëndësinë që ato kanë në drejtim të rritjes së transparencës së veprimtarisë së institucionit.

Më pas e mori fjalën zj.Irena Islami, Drejtore e Drejtorisë së Komunikimit, Botimit dhe Marrëdhënieve me jashtë. Zonja Islami theksoi që mbështetur në Strategjinë e Zhvillimit të institucionit për vitet 2018-2022 dhe në Strategjinë e Komunikimit të KLSH-se 2017-2019, ne jemi mbledhur sot në këtë sallë për të promovuar botimet e KLSH-së në vite dhe veçanërisht ato të vitit 2019.
 
Në panairin e këtij viti, KLSH po paraqitet me 109 tituj, ndër të cilët :
• 22 numra të Revistës Shkencore “Auditimi  Publik” në gjuhën shqipe dhe angleze;
• 7 analiza vjetore të punës së KLSH-së;
• 8 botime që i dedikohen Performances së institucionit në shqip dhe në anglisht;
• 12 volume të shkrimeve të përmbledhura të audituesve në shtypin e përditshëm;
• 6 volume që lidhen me Konferencat Shkencore vjetore të KLSH-së;
• Tituj te tjerë që pasqyrojnë auditimet e KLSH-së në vitet 2012-2018, strategjitë e KLSH-së, historikun e INTOSAI-t, rregulloret e KLSH-së, etj

Jo pa qëllim në fillim kemi renditur 22 numra të Revistës Shkencore “Auditimi  Publik”, e cila vijon “të qëndrojë me dinjitet”, megjithë përpjekjet e mëdha që nevojiten për realizimin e saj. 

Në këtë Revistë kanë kontribuar me shkrimet e tyre personalitete të fushës së Ekonomisë nga vendi si dhe personalitete të njohura dhe me eksperiencë nga Institucionet Supreme të Auditimit (SAI) nga vende të rajonit e më gjerë, duke i dhënë “Auditimit Publik” një vlerë të shtuar dhe një përmasë rajonale, duke kontribuar në mbledhjen e mendimit të përparuar të profesionistëve të fushës së auditimit.  

Në kolanën e botimeve të KLSH-së bëjnë pjesë 12 botime krejt të veçanta (një enciklopedi), “Audituesit e KLSH-së në median e shkruar”, referuar shkrimeve të audituesve të KLSH-së në periudhën 2013- gusht 2019. Artikujt, analizat dhe editorialet e audituesve të KLSH-së përbëjnë pa dyshim një vlerë të shtuar në median shqiptare, duke rritur transparencën e veprimtarisë së institucionit.

Kolana e botimeve të KLSH është shtuar  me 8 tituj në 2019 : 

• Performanca e aktivitetit të KLSH-së për vitin 2018 në shqip dhe në anglisht;
• Dy numra te Revistës Kërkimore-Shkencore, “Auditimi Publik”;
• Audituesit e KLSH-së në shtypin e përditshëm;
• Dokumente të Kryetarit, 2016-2018;
• Manuali i Auditimit të Prokurimeve Publike;
• Rregullorja e procedurave të Auditimit të KLSH-së &Rregullorja e Sistemit të Menaxhimit të proceseve;

Kolana e botimeve të KLSH-së do të plotësohet deri në fund të këtij viti edhe me 2 botime të tjera, duke e çuar në 111 numrin e botimeve të realizuara në tetë vjet (revista nr.23 dhe  botimi për Konferencën Young ALSAI).

Zonja Islami bëri një përmbledhje të shkurtër të çdo botimi të vitit 2019, duke u ndaluar në :

Manuali i Auditimit të Prokurimeve Publike

Duke theksuar rolin e rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm që auditimi i jashtëm publik ka në mbrojtjen e interesave të Shtetit në fushën e prokurimeve, KLSH u mbështet nga Banka Botërore nëpërmjet Projektit “Rritja e Performancës së Prokurimit” i cili kishte si Objektiv: forcimin dhe zhvillimin e monitorimit të pajtueshmërisë dhe rritjen e transparencës në procedurat e prokurimit publik  si dhe rritjen e kapaciteteve të KLSH-së për të audituar prokurimin e kontratave publike dhe kontratat e financuara nga donatorët në Shqipëri.

Si produkti më i rëndësishëm ishte hartimi i “Manualit të Auditimit të Prokurimit Publik”, i përgatitur nga një Ekspert i Bankës Botërore ne fushën e prokurimeve publike, i cili është përshtatur nga KLSH sipas kërkesave të institucionit.

Së bashku me botimin e KLSH “ Direktiva e BE-së mbi Prokurimin Publik dhe Kontratat Koncesionare”, Manuali i Auditimit të Prokurimit Publik formojnë një paketë të plotë udhëzuesish me instruksione dhe dokumente të dobishëm për audituesit e KLSH në realizimin e misionit të tyre në kqyrjen dhe vlerësimin e rregullshmërisë dhe perfomancës së sistemit të prokurimit publik në Shqipëri, si dhe mënyrës së përdorimit të fondeve publike.
Revista Shkencore, numri 21 (gusht-dhjetor 2018) dhe Revista Shkencore, numri 22 (janar-prill 2019)

Tre numra të Revistës Kërkimore-Shkencore të KLSH-së i shtohen çdo vit kolanës së botimeve të Institucionit, duke filluar  që nga viti 2012. Ketë vit janë përfunduar dy numra (21 dhe 22) në të cilët kanë kontribuar me shkrimet e tyre Dr.Bujar Leskaj, Kryetar i KLSH-së,Prof.Dr.Skënder Osmani, auditues dhe drejtues të Zyrës së Auditimit të Qeverisë së SHBA dhe të Gjykatës Evropiane të Audituesve, pedagogë, profesorë, Profesionistë të fushës, etj.

Rregullorja e procedurave të Auditimit të KLSH-së

KLSH i udhëhequr nga praktikat më të mira profesionale ndërkombëtare, i angazhuar për t’u zhvilluar dhe ecur përpara, zhvillon dhe përditëson bazën metodologjike, rregullatore dhe udhëzuese dhe për këtë arsye ka si pjesë të kolanës së saj të vitit 2019 botimet :

-Rregullorja e Procedurave të Auditimit; dhe
-Rregullorja e Sistemit të Menaxhimit të Proceseve(RevZone).

Ligji i ri organik zgjeroi dimensionet audituese duke përvijuar horizonte të reja. Në funksion të këtij zhvillimi u kristalizua e plotë metodologjia audituese në të gjithë nivelet e saj.

Zoti Fatos Çoçoli, u përqëndrua në botimin, Dokumente të Kryetarit, 2016-2018 dhe theksoi që ky botim vjen në vijim të botimit “4 vjet Auditimi i Jashtëm Publik” (2012-2015) dhe i referohet aktivitetit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për periudhën tre vjeçare 2016-2018. Në të njëjtën linjë me këto dy botime, KLSH ka botuar edhe librin “Dokumente të Këshillit Kontrollues 1925-1939”.
Libri ka shtatë kapituj, në të cilët përfshihen Raportimet e Kryetarit të KLSH-së në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave dhe Kuvendin e Shqipërisë; Artikuj të botuar në shtypin e përditshëm; Shkrime në Revistën Kërkimore-Shkencore “Auditimi Publik”; Diskutime në Analizat Vjetore të KLSH-së; Prezantime dhe kumtesa në Konferenca Shkencore, etj.

Zonja Luljeta Nano, Sekretare e përgjithshme e KLSH-së diskutoi rreth dy botimeve : Performanca e aktivitetit të KLSH-së për vitin 2018 në shqip dhe Performanca e aktivitetit të KLSH-së për vitin 2018 në anglisht;

KLSH ka përfshirë në kolanën e botimeve të tij që prej vitit 2013 botimin e Performancës së aktivitetit të veprimtarisë së tij në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze (një botim i përbashkët) dhe është hera e katërt në vitin 2019 që ky libër botohet veçmas në gjuhën angleze, për t’ju përgjigjur interesit në rritje për këtë botim nga partnerët ndërkombëtarë, duke filluar nga institucionet supreme të auditimit me të cilët ne kemi një bashkëpunim shumë të ngushtë, si edhe me të gjitha përfaqësitë e huaja diplomatike të akredituara në Tiranë, organizmat dhe shoqatat e huaja që punojnë në Shqipëri, veçanërisht në fushën e mirë-administrimit të fondeve dhe luftës kundër korrupsionit.

Rregullorja e Sistemit të Menaxhimit të proceseve;
Përfshirja në këtë botim e  Rregullores së Sistemit të Menaxhimit të Proceseve i referohet faktit që përdorimi i teknologjinë së informacionit është i domosdoshëm për rritjen e efektivitetit, efiçencës dhe transparencës së procesit të auditimit.

Zoti Aldo Kita, Përgjegjës i Sektorit të IT bëri një pasqyrë të këtij botimi.
Implementimi i sistemit të informacionit për menaxhimin e proceseve në Kontrollin e Lartë të Shtetit do të optimizojë procesin e auditimit duke respektuar parimet mbi të cilat ai mbështetet.

panairi

Rregullorja e Sistemit të Menaxhimit të Proceseve paraqet një pasqyrim të plotë të procedurave që ndiqen për menaxhimin, administrimin dhe përdorimin e sistemit të informacionit që Kontrolli i Lartë i Shtetit përdor për menaxhimin e proceseve të auditimit dhe atyre administrative.

Kjo rregullore ofron një dokumentim të plotë të udhëzimeve të nevojshme për përpunimin dhe ruajtjen e informacionit dhe proceseve që gjenerohen nëpërmjet sistemit të informacionit.

Si një dokument i rëndësishëm për mirëfunksionimin e sistemit, kjo rregullore gjithashtu përcakton parimet e përgjithshme dhe masat organizative e teknike për mbrojtjen dhe ruajtjen e sigurisë së të dhënave.

Audituesit e KLSH-së në shtypin e përditshëm (volumi XII, janar-gusht 2019);
Prezenca e audituesve të KLSH-së në median e shkruar, shkrimet e të cilëve i janë paraqitur të përmbledhura publikut në disa volume dhe konkretisht KLSH ka përfunduar volumin e XII-të të këtyre botimeve, ose ndryshe “Enciklopedinë” me 12 volume të punës së Audituesve të KLSH-së në 7 Vjet (periudha 2013-2019).

Zoti Redi Ametllari nënvizoi që botimi “Audituesit e KLSH-së në Shtypin e përditshëm” ka arritur në volumin e tij të XXII, por botimi i 12-te nuk është stacioni i fundit i saj. Zakonisht, botimeve që pasohen me volume u ndodh që të pësojnë një bjerrjeje, por ky botim ka ardhur gjithnjë e duke pasuruar dhe për këtë kanë një kontribut të gjithë audituesit, të cilët janë bashkautorët e saj.

Ndonëse mund të duket një libër i thjeshët, një antologji shkrimesh, në fakt botimi në vetvete, përbën një reformë të rëndësishme institucionale për transparencën. E gjitha puna jonë është e lidhur me procesin e të shkruarit, nga fillimi deri në fund dhe fale punës sonë në KLSH, na ofrohet një mundësi për t’u ofruar qytetarëve drejtpërdrejt përmes gazetës, problem dhe shkaqet që fshihen pas shifrave dhe vargut të ligjeve dhe VKM-ve
Audituesit në shtypin e përgjithshëm-vijoi z.Ametllari- ka edhe një rol tjetër, të cilën një pjesë e mirë prej nesh mund ta zbulojnë më vonë. Ai do të shërbejë si një mozaik kujtimesh, ku secili prej nesh, mund t’i kthehet më vonë, qoftë për të kujtuar kohën në KLSH apo qoftë edhe për pse jo për një libër me kujtime apo punim shkencor.

Në fund takimin e mbylli zj.Islami, e cila theksoi që sfida e KLSH-së ishte 100 tituj në fund të vitit 2018. Me numrin e botimeve që kemi realizuar deri tani si institucion, mund te themi që nuk kemi më përpara nesh një sfidë por një realitet.

Kolana e botimeve të KLSH-së me 111 titujt e saj deri në fund të vitit 2019 ka certikuar faktin që institucioni po sfidon veten  sepse nuk ka asnjë institucion tjetër shtetëror që ti ketë dhënë kaq rëndësi librit dhe forcimit të kapaciteteve të stafit të tij.

Pas përfundimit të promovimit të kolanës së botimeve të KLSH-së, audituesit vizituan panairin e librit dhe stendën e KLSH-së.