Njoftime

Integrimi i barazisë gjinore, bashkëpunim në politikat e financave dhe të buxhetimit gjinor mes KLSH dhe “UN Women”

14.10.2020

Ditën e mërkurë, datë 14.10.2020, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit z. Arben Shehu zhvilloi një takim me Përfaqësuesin e “UN Women” në Shqipëri z. Michele Ribotta.

Nëpërmjet programit “Financim Transformues për Barazi Gjinore në Ballkanin Perëndimor”, ”UN Women” po vijon përpjekjet e financimit lidhur me barazinë gjinore në rajon, duke siguruar asistencë teknike të personalizuar dhe udhëzues për institucionet qeveritare dhe mbikëqyrëse duke përmirësuar kapacitetet dhe njohuritë e tyre institucionale.

Në këtë kuadër për prezantimin e këtij programi Përfaqësuesi i ”UN Women” në Shqipëri z. Ribotta njohu kreun e KLSH, z. Shehu me nismën rajonale në mbështetje të vendeve të Ballkanit për të bërë progres në integrimin e barazisë gjinore drejt politikë-bërjes dhe buxhetimit në nivel vendor e kombëtar.

Programi i ri është hartuar për të mbështetur Shqipërinë me objektivin e përgjithshëm për të forcuar integrimin sistematik të barazisë gjinore.

“Qasja e financimit transformues e këtij projekti do të shërbej si faktor mundësues për politikat dhe veprimet e financimit për të përshpejtuar zbatimin e angazhimeve ekzistuese kombëtare dhe ndërkombëtare”, u shpreh zoti Ribotta.

Kryetari i KLSH shprehu vullnetin për një bashkëpunim efektiv me “UN Women” Albania dhe theksoi se “KLSH do të ketë fokus të veçantë në monitorimin e efektshëm të performancës së programit buxhetor sipas treguesve financiarë dhe jofinanciarë sa i përket barazisë gjinore”.

Në takim u theksua se Programi do të shërbejë si një urë lidhëse mes politikave dhe buxheteve dhe do të përmirësojë monitorimin e buxhetit me bazë performance.

Në Program parashikohet gjithashtu asistencë për institucionin e KLSH për të zhvilluar një auditim sa më të mirë me bazë performance.

Asistenca do të ofrohet përmes trajnimeve, ekspertizës ndërkombëtare në bërjen e auditimit gjinor me bazë performance, mentorimit si dhe marrjes së praktikave më të mira nga Evropa.

Në takim kryetari i KLSH shoqërohej nga Drejtoresha e Kabinetit, znj. Borjana Shaka dhe Këshilltari për Mediat, z. Erion Habilaj. Përfaqësuesi i ”UN Women” shoqërohej nga znj. Ivona Paunevic Bisevac dhe znj. Estela Bulku.

Zonja Shaka dhe Zonja Bulku do të jenë në vijim persona kontakti në konkretizimin e një marrëveshje bashkëpunimi mes KLSH dhe “UN Women”.