Njoftime

KLSH dhe Prokuroria e Posaçme, marrëveshje bashkëpunimi në intensifikimin e luftës kundër korrupsionit

19.10.2020

Nisur nga shqetësimi i opinionit publik shqiptar për nivelin e korrupsionit në administratën publike, në vendin tonë, si dhe prioritetet e institucioneve shqiptare dhe kërkesat e vazhdueshme të organizmave të ndryshme ndërkombëtare dhe partnerëve strategjikë të Shqipërisë për forcimin e luftës kundër fenomenit të korrupsionit, Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) nënshkruam sot (19 tetor 2020) një marrëveshje bashkëpunimi.

Kryetari i KLSH, z. Arben Shehu i shoqëruar nga Drejtoresha e Kabinetit, znj. Borjana Shaka dhe përfaqësuesi i Drejtorisë Juridike, Z. Flavjo Xhuveli u pritën në takim nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, z. Arben Kraja dhe prokurori z. Klodian Braho.
Institucionet ranë dakord për realizimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë për shkëmbim të informacioneve me qëllim evidentimin e saktë të shkeljeve që përmbajnë elementë të veprave penale të cilat janë në kompetencën lëndore të Prokurorisë së Posaçme.

Gjatë fjalës së tij Kryetar i KLSH, z. Arben Shehu shprehu vullnetin institucional për zhvillimin e auditimeve të thelluara dhe profesionale si dhe përcjelljen e informacioneve të nevojshme në çdo fazë të procesit të auditimit, në lidhje me sektorë të cilët rezultojnë me risk të lartë të nivelit të korrupsionit duke ofruar dhe asistencën e nevojshme në lidhje me ligjshmërinë e procedurave.

Nga ana tjetër, kreu i Prokurorisë së Posaçme, z. Arben Kraja shprehu vullnetin për trajtimin me prioritet të materialeve kallëzuese të referuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si dhe për zhvillimin e takimeve të përbashkëta në kuadër të ndërveprimit institucional në luftën kundër korrupsionit.