Mbi takimin e punës të organizuar nga NDI me Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovës dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit në Kosovë, mbi bashkëpunimin e SAI-t me Parlamentin
Në datën 31.10.2024-01.11.2024, u zhvillua në Prishtinë, takimi i punës mbi intensifikimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit midis Parlamentit dhe SAI-t, organizuar nga National Democratic Institute (NDI), ku morën pjesë përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH). Grupi i punës zhvilloi takime në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit (ZKA).
Takimi i parë i punës, u zhvillua në Kuvendin e Kosovës, ku përfaqësuesit e Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësues të KLSH-së, u pritën nga Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike znj. Hykmete Bajrami, anëtaret znj. Arta Bajralija dhe znj. Yllëza Hoti.
Nga znj. Hykmete Bajrami u vlerësua ngritja e Nën-komisionit të Auditimit në Sektorin Publik në Kuvendin e Shqipërisë dhe Drejtorisë së Marrëdhënieve me Nën-komisionin në KLSH, si dhe theksoi se, Kuvendi e sheh ZKA si një partner, pasi nëpërmjet Raporteve të Auditimit dhe Rekomandimeve të ZKA-së, Kuvendi informohet për mënyrën se si është shpenzuar paraja publike dhe si kanë reaguar subjektet e audituara për ndërmarrjen e veprimeve korrigjuese në zbatim të rekomandimeve të lëna nga ZKA.
Nga znj. Hykmete Bajrami, u theksua se: “Është shumë i rëndësishëm pasja e një bashkëpunimi efektiv me ZKA, duke respektuar pavarësinë e tij”.
Në këtë takim nga përfaqësuesit e Komisionit u parashtrua roli dhe fushëveprimi i Komisionit, mënyra e bashkërendimit të punës së Komisionit me ZKA, duke theksuar se, fokusi kryesor është rritja e nivelit të zbatimit të rekomandimeve të dhëna nga ZKA, si instrumenti kryesor që ka SAI, për mirë administrimin e fondeve publike, përmirësimin e qeverisjes dhe parandalimin e veprimtarive korruptive.
Takimi i dytë i punës, u zhvillua në Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës, ku përfaqësuesit e Kuvendit të Shqipërisë dhe përfaqësues të KLSH-së u pritën nga Auditorja e Përgjithshme znj. Vlora Spanca, Zëvendës Auditori i Përgjithshëm Bezad Halilaj, Ndihmës Auditorët e Përgjithshëm, Zukë Zuka, Emine Fazliu, Ramadan Gashi etj.
Auditorja e Përgjithshme znj. Vlora Spanca, vlerësoi ngritjen e Nën-komisionit për Auditimin e Sektorit Publik si mekanizëm mbikëqyrës në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, dhe cilësoi se: “Institucionet Supreme të Auditimit kanë për mision që t’i ofrojnë Kuvendit dhe qytetarëve informacion objektiv dhe të pavarur për shpenzimin e parasë publike, si dhe të ndihmojë Parlamentin për llogaridhënien e subjekteve që administrojnë paratë publike”.
Nga Auditorja e Përgjithshme, znj. Vlora Spanca u theksua fakti se: “Për funksionimin sa më të mirë të një Institucioni Suprem të Auditimit është jetike ruajtja e pavarësisë së tij”.
Me qëllim përfitimin nga eksperienca e ZKA, Drejtori i Përgjithshëm z. Safet Berisha, prezantoi kornizën kushtetuese dhe ligjore, ndërsa Drejtoresha për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Komunikim, Qëndresa Mulaj prezantoi bashkëpunimin e ZKA-së me Kuvendin përkatësisht Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike dhe Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.
Gjithashtu, u evidentua se për dy institucionet ZKA dhe KLSH, mbetet zbatimi i rekomandimeve, ku roli i Komisionit dhe Nën-komisionit, do të jetë i rëndësishëm në rritjen e nivelit të zbatimit të tyre.
Anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike dhe përfaqësuesit e ZKA në këto takime, duke ju përgjigjur pyetjeve të pjesëmarrësve, ndihmuan në qartësimin e rolit dhe fushëveprimit që ka Komisioni në raport me Zyrën Kombëtare të Auditimit.
KLSH, falënderon organizatorët e këtij takimi pune, të përfaqësuar znj. Ana Kovacevic, Drejtore e NDI-Albania, si dhe Komisionin për Mbikëqyrje të Financave Publike të përfaqësuar nga znj. Hykmete Bajrami si dhe ZKA të përfaqësuar nga znj. Vlora Spanca, për mikpritjen dhe përcjelljen e eksperiencës së tyre.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë si, Kryetari i Komisionit të Përhershëm për Ekonominë dhe Financat z. Eduard Shalsi; anëtarët e Nënkomisionit të Auditimit në Sektorin Publik, znj. Emilia Koliqi (Kryetare), znj. Sorina Koti dhe z. Alban Xhelili (anëtarë) si dhe Nivini Lekaj, Besi Londo dhe Dea Dragoti nga stafi i Drejtorisë së Shërbimit të Monitorimit të Institucioneve të Pavarura.
Kontrolli i Lartë
i Shtetit në këtë takim u përfaqësua nga: znj. Brunilda Zeneli, Drejtore e
Drejtorisë së Marrëdhënieve me Nënkomisionin Parlamentar dhe znj. Kristina
Pushi audituese në Drejtorinë e Marrëdhënieve me Nënkomisionin Parlamentar.
NDI si organizator, u përfaqësua nga znj. Ana Kovacevic, Drejtore NDI-Shqipëri; z. Rinor Beka, Këshilltari i Programit në NDI në Shqipëri dhe znj. Sabina Babameto, zyrtare NDI në Shqipëri.