Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu raportoi në Komisionin për Ekonominë dhe Financat mbi Raportin e Zbatimit të Buxhetit për vitin 2023

Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu raportoi në Komisionin për Ekonominë dhe Financat mbi Raportin e Zbatimit të Buxhetit për vitin 2023

29.10.2024

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu raportoi në Komisionin për Ekonominë dhe Financat mbi Raportin e Zbatimit të Buxhetit për vitin 2023.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, me paraqitjen në Kuvend të “Raportit për zbatimin e buxhetit 2023”, së bashku me konkluzionin përkatës, përmbush detyrimin kushtetues e ligjor, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Auditimit dhe afatin përkatës.

Kontrolli i Lartë i Shtetit vijon të konsiderojë risqe fiskale me impakt buxhetor çështjet që kanë të bëjnë me performancën e ndërmarrjeve shtetërore kryesore; shpenzimet për kontratat koncesionare dhe të partneritetit publik privat (PPP) me mbështetje buxhetore; detyrimet e prapambetura të qeverisjes së përgjithshme dhe detyrime të tjera kontigjente për çështjet gjyqësore ndërkombëtare”, u shpreh gjatë fjalës së tij kreu i KLSH-së.


Nga auditimet që i përkasin aktivitetit të vitit 2023 kanë rezultuar të ardhura buxhetore të munguara në shumën 16,935 mijë lekë; në fushën e shpenzimeve dëm ekonomik në vlerën prej 104,374 mijë lekë; si dhe përdorim pa efektivitet, efiçencë dhe ekonomicitet i fondeve publike në vlerën gjithsej 5,205,396 mijë lekë.

Z. Shehu theksoi se nëpërmjet paraqitjes në Kuvend të këtij Raporti, Kontrolli i Lartë i Shtetit, krahas zbatimit të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore, synon të nxisë transparencën, parashikueshmërinë, unitetin dhe universalitetin në menaxhimin e sistemit buxhetor e të fondeve speciale me qëllim përdorimin ekonomik, efiçent dhe efektiv të burimeve publike, në shërbim të mirëqeverisjes dhe në funksion të përmirësimit të jetesës së taksapaguesve, qytetarëve shqiptarë.

Fjala e Kryetarit të KLSH-së për Raportin e Zbatimit të Buxhetit faktik 2023