KLSH merr pjesë në Simpoziumin e 26-të të organizuar nga UN/INTOSAI në Vjenë, Austri

Në datat 16-18 prill 2024, në Vjenë/Austri u mbajt simpoziumi i 26-të i UN/INTOSAI me temë “Zbatimi i OZHQ 13 mbi masat e ndërmarra për përshtatjen apo zbutjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe pasojat e saj: roli, kontributi dhe përvoja e Institucioneve Supreme të Auditimit”

Ky event i cili mbahet çdo tre vjet u organizua nga Sekretariati i Përgjithshëm i INTOSAI-t së bashku me Departamentin e Çështjeve Ekonomike dhe Sociale të Kombeve të Bashkuara (UN DESA), ku më shumë se 200 përfaqësues nga 82 Institucione Supreme të Auditimit dhe organizata partnere ndërkombëtare u mblodhën për të diskutuar mbi temën. 


                                                                                        



Gjatë tre ditëve të zhvillimit të simpoziumit pjesëmarrësit shkëmbyen përvoja mbi rolin dhe kontributin e Institucioneve Supreme të Auditimit në zhvillimin e qëndrueshëm dhe masat e marra për përshtatjen apo zbutjen ndaj ndryshimeve klimatike. Përfaqësuesit e Institucioneve Supreme të Auditimit diskutuan dhe ndanë praktikat dhe përvojat e tyre në kryerjen e auditimeve të lidhura me klimën, mundësimin e kushteve për auditimin e çështjeve klimatike dhe ndikimin që këto auditime kanë në temën në fokus.


                                                                                                                             


Në kuadër të diskutimeve në panel, përfaqësuesit nga SAI-t dhe Kombet e Bashkuara prezantuan, ndër të tjera, kornizat e ndryshme ligjore që lidhen me masat ndaj ndryshimeve klimatike, vlerësimet e planeve kombëtare të veprimit dhe strategjive klimatike, analizimin e të dhënave, mekanizmat e vlerësimit, aspektet financiare dhe buxhetore dhe faktorët kryesorë për zbatimin dhe auditimin e OZHQ-ve, si një qasje me shumë aktorë për të siguruar politika koherente.

Simpoziumi gjithashtu vendosi një fokus të veçantë në sfidat me të cilat përballen Shtetet e Vogla të Ishujve në Zhvillim (SIDS) për shkak të ndryshimeve klimatike. Meqenëse auditimet e tyre dhe mësimet e nxjerra kanë një rëndësi të veçantë, një panel i veçantë iu kushtua kësaj teme me prezantime nga SAI-t e Xhamajkës, Maldivet, St. Kitts dhe Nevis dhe St. Lucia.

Prezantimet u mbyllën me një fjalim nga një këndvështrim shkencor i znj. Åsa Persson, Drejtoreshë Kërkimore dhe Zëvendës Drejtore e Institutit të Mjedisit të Stokholmit, e cila  paraqiti rezultatet  e studimeve të realizuara ndër vite me fokus ndryshimet klimatike, si dhe theksoi masat e nevojshme që duhen patur në vëmendje nga qeveritë për të zbutur pasojat e këtyre ndryshimeve, apo për t'iu përshtatur atyre.

Në ditën e fundit të simpoziumit, pjesëmarrësit miratuan dokumentin përfundimtar të eventit –

“Konkluzionet dhe rekomandimet”  – i cili përmban mesazhet kryesore të simpoziumit nëpërmjet të cilëve synohet të ofrohen udhëzime të rëndësishme për auditimet dhe veprimet e ardhshme të lidhura me OZHQ-të dhe bashkëpunimin e SAI-ve në këtë kontekst.

Simpoziumet e OKB/INTOSAI, nëpërmjet shkëmbimit të përvojave dhe informacioneve specifike në të gjitha fushat përkatëse të auditimit të sektorit publik, ofrojnë ngritje kapacitetesh për SAI-t (Qëllimi 2 i Planit Strategjik INTOSAI) dhe kontribuojnë në zhvillimin e kërkimit dhe metodologjisë në këto fusha.

Nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në këtë takim morën pjesë auditueset Arminda Bushi dhe Redina Karapici.