Vizita studimore e përfaqësuesve të KLSH-së pranë Autoritetit Kombëtar Italian Kundër Korrupsionit (ANAC)


Në vijim të bashkëpunimit 2-vjeçar që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka me Autoritetin Kombëtar Italian Kundër Korrupsionit (ANAC), si dhe, me mbështetjen e prezencës së OSBE-së në Tiranë,  u zhvillua në Romë, në datat 11-12 dhjetor 2023, një vizitë studimore e zyrtarëve të KLSH-së pranë këtij Autoriteti. Delegacioni i KLSH-së u prit nga Kryetari i Bordit të ANAC Dr. Paolo Giacomazzo dhe Sekretari i Përgjithshëm i ANAC, z. Filippo Romano.

Përfaqësuesit e KLSH–së u njohën më nga afër me institucionin e ANAC, si dhe aplikimin nga afër të përdorimit të platformave të të dhënave të hapura, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen e përdorimit të fondeve publike apo eksplorimin e mjeteve novatore në auditim.


                                     


Me interes të veçantë ishte edhe vizita e organizuar në mjediset e një prej autoriteteve kontraktore më të mëdha në Itali në sektorin e infrastrukturës, ANAS s.a, subjekt i auditimit dhe monitorimit nga ANAC, ku dhe u diskutua mbi menaxhimin dhe auditimin e kontratave koncesionare, instrumentet e tyre të transparencës dhe bashkëpunimin ndërinstitucional me ANAC.

Nga trajnimet me disa module të organizuara në Tiranë, në vizitën e shkëmbimit në Itali, ky bashkëpunim ofroi mundësinë për të rritur kapacitetet profesionale duke shkëmbyer sërish praktikat më të mira dypalëshe.

Në vizitën studimore, KLSH u përfaqësua nga z. Qeram Cibaku Drejtor i Departamentit të Auditimit të Institucioneve Qendrore, z. Ryisim Xhaja, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Shoqërive Publike dhe Investimeve të Huaja,  Kryeaudituesit  z. Alush Zaçe, z. Klajdi Tefik dhe z. Jonild Hoxhaj, si dhe Audituesi i Lartë, z. Blerin Shkurti, të cilët kanë ndjekur rregullisht sesionet e trajnimeve të organizuara në Tiranë nga OSBE me ekspertët e ANAC mbi prokurimet publike dhe koncesionet, si dhe përfshirjen në auditim dhe mbikëqyrjen e përdorimit të fondeve publike. Gjatë vizitës studimore përfaqësuesit e KLSH-së patën gjithashtu mundësinë të diskutonin me zyrtarët e ANAC për çështje me interes të përbashkët dhe vijueshmërinë e bashkëpunimit.