Workshopi V DEA SG2 i EUROSAI-t zhvilluar pranë NIK të Polonisë

Në datat 11-12 dhjetor, 2023 në Zyrën Supreme të Auditimit të Polonisë (NIK), në Varshavë, u zhvillua workshopi V mbi Data Envelopment Analysis (DEA), i organizuar nga EUROSAI SG2 në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Norvegjisë.


                                            


Gjatë ditës së parë të workshopit u trajtuan tematika lidhur me përdorimin e DEA (Data Envelopment Analysis) dhe Stochastic Frontier Analysis (SFA), të cilat janë metoda statistikore për analizën e efikasitetit, si dhe metodave të tjera të krahasimit të efikasitetit. Workshopi u zhvillua në formatin e një Data Lab, ku pjesëmarrësit u ndanë në grupe dhe zhvilluan disa praktika duke përdorur progamin PioneeR, i cili është një program për përdoruesit, i zhvilluar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Norvegjisë, si dhe përditësuan zhvillimet e reja të softit që janë realizuar nga zhvilluesit e këtij programi. Secili grup ekzekutoi praktikat duke analizuar të dhënat nëpërmjet këtij programi dhe në përfundim secili grup interpretoi rezultatet e përfituara, si dhe u zhvilluan diskutime në grup.

Në ditën e dytë, përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Norvegjisë prezantuan eksperiencat e tyre duke përdorur DEA në auditimet, të cilat i kanë zhvilluar ndër vite. Gjithashtu u trajtuan tema në lidhje me ndryshimet në efikasitet me kalimin e kohës - koncepti i produktivitetit dhe demonstrimi i produktivitetit në programin PioneeR.

Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua në këtë workshop nga znj. Klea Saliu, audituese në Departamentin e Auditimit IT dhe znj. Amanda Hodaj, audituese në Departamentin e Auditimit të Institucioneve Qendrore.