KLSH merr pjesë në takimin e mbajtur në Shkup në kuadër të Auditimit të Përbashkët të Performancës me temë “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale, përmes përfshirjes në tregun e punës”.

Në vijim të angazhimit që KLSH ka marrë së bashku me SAI-t e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe në bashkëpunim me UN Women Albania për të zhvilluar auditimin e përbashkët me temë, “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale, përmes përfshirjes në tregun e punës”, në datat 14-15 Dhjetor 2023, u zhvillua në Shkup takimi rajonal ku morën pjesë grupet e auditimit të secilit SAI si dhe përfaqësues të UN Women nga vendet pjesë e këtij projekti.  

Takimi u organizua nga UN Women dhe objektivi kryesor i tij ishte diskutimi ndërmjet grupeve të auditimit për rezultatet e auditimit, si dhe diskutimi i gjetjeve dhe rekomandimeve. Në këtë takim KLSH u përfaqësua nga grupi i auditimit, znj. Ermira Vojka, përgjegjëse e grupit të auditimit, znj. Arminda Bushi, dhe Jorida Zhegu anëtare.

 

Secili grup prezantoi gjetjet dhe rekomandimet e auditimit. Pas prezantimeve përkatëse, u diskutua rreth gjetjeve që SAI-t kishin të njëjta, si dhe për ato që ishin specifike për secilin vend. Diskutimet vijuan me rekomandimet që do të jepen ndaj subjekteve nën auditim, ku theksi u vendos në rëndësinë që kanë rekomandimet për përmirësimin e situatës së punësimit të grave rurale. Në këto diskutime u përfshinë edhe ekspertët e UW Women të cilët dhanë sugjerimet e tyre lidhur me rekomandimet e auditimit.

 

Në takim gjithashtu u diskutua edhe për mënyrën e prezantimit të rezultateve të auditimit, ku përfaqësuesit e SAI-t të Maqedonisë së Veriut dhe zyrës së UN Women Maqedoni e Veriut, sugjeruan që përtej kanaleve të përhershme të komunikimit të rezultateve, për këtë auditim do të përgatitet edhe një video vetëm me foto që do të ilustrojnë gjetjet e auditimit të përmbledhura në raportin e përbashkët të auditimit.

Foto: UN Women Albania


Në përfundim, grupet e auditimit dhe pjesëmarrësit u dakordësuan në parim për vijimësinë e punës deri në takimin e ardhshëm.