Kontrolli i Lartë i Shtetit nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim

Nisur nga interesi publik për rrritjen e transparencës, angazhimit në luftën kundër korrupsionit dhe nevojën për një qasje të gjithë shoqërisë për një qeverisje të mirë dhe efektive nga ana e institucioneve publike, në datën 11 dhjetor 2023, në mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet KLSH-së, përfaqësuar nga Kryetari, z.Arben Shehu dhe Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), përfaqësuar nga Drejtori Ekzekutiv, z.Sotiraq Hroni.

                         

Në fjalën e tij, Kryetari i KLSH-së, z.Arben Shehu, theksoi angazhimin për kontrollin e institucioneve publike në funksion të sigurimit të zbatimit të ligjit. Z.Shehu vlerësoi punën e IDM-së, për kontributin në parandalimin dhe evidentimin e rasteve të korrupsionit, por dhe në analizimin e faktorëve të cilët sjellin këtë fenomen.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke evidentuar problematikat në menaxhimin e fondeve publike, bashkëpunon ngushtë për rastet e evidentuara me Prokurorinë e Përgjithshme, jo vetëm në zbatim të ligjit, por dhe në bazë të marrëveshjes mes dy institucioneve”, - u shpreh z. Shehu.

 

Z.Sotiraq Hroni, në cilësinë e Drejtorit Ekzekutiv të IDM-së shprehu falënderimet e tij për Kryetarin e KLSH-së, duke falënderuar gjithashtu edhe znj.Petra Burcher, zv/ambasadore e Suedisë në Shqipëri, për interesin e saj mbi marrëveshjen mes KLSH-së dhe IDM-së.

                                                        

Znj. Burcher uroi palët për nënshkrimin e marrëveshjes dhe nënvizoi rëndësinë e institucioneve të pavarura audituese, duke theksuar se korrupsioni në Shqipëri kërkon një luftë të vazhdueshme dhe ndërhyrja duhet të jetë thelbësore jo vetëm në qasjen ndaj tij, por dhe në kulturën dhe sjelljen e punonjësve të administratës publike.