Në kuadër të bashkëpunimit që SIGMA ka me Kontrollin e Lartë të Shtetit për
hartimin e Manualit mbi auditimin e Zbatimit të Buxhetit të Shtetit, u zhvillua
më datë 25 korrik në Tiranë, workshopi për auditimin e pasqyrave të buxhetit të
konsoliduar dhe atyre financiare të buxhetit të shtetit.
Ky bashkëpunim i cili daton prej vitit 2019 ka kaluar ndërmjet disa hapave
kryesore nëpërmjet organizimit të takimeve dhe shkëmbimit të materialeve dhe
informacioneve të nevojshme për të kuptuar më mirë kuadrin ligjor dhe
rregullativ mbi bazën e të cilit operon ky lloj auditimi dhe fushat që kanë
nevojë për përmirësim, me qëllim nxjerrjen e një produkti përfundimtar me
karakter mbi të gjitha praktik dhe të thjeshtë për t’u zbatuar edhe nga
audituesit më të rinj.
Ekspertët e SIGMA-s paraqitën disa rekomandime për përmirësimin e
raportimit të auditimeve për zbatimin e buxhetit dhe aplikimit të ISSAI-t 1600.
Drejtori i Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Shtetit në KLSH, z.
Gjovalin Preçi në cilësinë edhe të kryetarit të grupit të punës institucional
për hartimin e Manualit të auditimit të Zbatimit të Buxhetit paraqiti një
ekspoze të punës së kryer deri më tani. Midis të tjerave u cilësua se raporti i
zbatimit të buxhetit i përgatitur nga KLSH për vitin e kaluar është bazuar në
pasqyrën e buxhetit të konsoliduar dhe në rezultatet e auditimeve të kryera që
i përkasin aktivitetit të vitit financiar raportues, duke ruajtur strukturën e
këtyre treguesve. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë të mundshëm lehtësimin e
të kuptuarit të raportit për zbatimin e buxhetit për të qenë në plotësim të
detyrimeve kushtetuese dhe ligjore dhe në të njëjtën kohë të informimit të Kuvendit,
publikut dhe palëve të tjera të interesit.
Në pamundësi për të kryer një auditim të posaçëm financiar, për mungesë të
përgatitjes së pasqyrave financiare nga ana e qeverisë, opinioni i dhënë për
zbatimin e buxhetit është një formulim i bazuar në situatën aktuale, me mundësi
përmirësimi në formulim në përputhje me Standardin Ndërkombëtar të Auditimit 1600,
bazuar në shqyrtimin e Raportit të zbatimit të buxhetit të përgatitur nga MFE
dhe rezultatet e auditimeve të kryera nga KLSH.
Në përfundim të takimit u dakordësua për hapat e mëtejshëm me qëllim
hartimin në kohë të këtij Manuali praktik mbi auditimin e Zbatimit të Buxhetit
të Shtetit.