Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, zhvilloi sot në mjediset e KLSH-së, një takim me
Presidentin e Autoritetit Kombëtar Antikorrupsion të Italisë (ANAC), z. Giuseppe Busia. Në
takim ishin gjithashtu të pranishëm edhe z. Giampiero Carrieri, ekspert i Guardia di Finanza për
Shqipërinë Kosovën dhe Malin e Zi pranë Ambasadës së Italisë në Tiranë si dhe z. Sergio Alias,
diplomat.
Z.Shehu i uroi mirëseardhjen në KLSH, z. Busia, si dhe
shprehu falenderimet dhe vlerësimet e veçanta për
prezencën dhe për të gjithë mbështetjen dhe
bashkëpunimin e suksesshëm të ngritur deri më tani,
me një institucion të rëndësishëm si ANAC.
Z. Busia në fjalën e tij falenderoi z. Shehu për pritjen
dhe shprehu gjithashtu vlerësimet e tij për marrëdhëniet
e ndërsjella.
Ai e vuri theksin tek rëndësia institucionale dhe roli
aktiv që KLSH luan, duke e vënë theksin tek sesionet e
trajnimit të organizuara ndërmjet audituesve të KLSHsë dhe ekspertëve të ANAC-së me në fokus
shkëmbimin e praktikave konkrete dhe eksperiencave
në çështjet lidhur me kontratat publike, me qëllim
parandalimin e rasteve të korrupsionit.
Z. Shehu, në vijim të diskutimit i shprehu Presidentit të ANAC-së vullnetin e plotë dhe
gatishmërinë jo vetëm për të ruajtur këtë marrëdhënie profesionale, por edhe për ta forcuar më tej
atë duke krijuar ura bashkëpunimi edhe me ekspertët e Guardia di Finanza, në kuadër të ngritjes
së ekspertizës profesionale në KLSH për auditime specifike, veçanërisht duke kombinuar
metodat IT me ato financiare, me qëllim transparencën dhe parandalimin në kohë të shkeljeve.