Në datat 29-30 nëntor, në zyrat e Institucionit Suprem të Auditimit të Polonisë (NIK), në Varshavë, u mbajt takimi i radhës i Grupit të Punës të EUROSAI-t për Auditimet e Mjedisit. Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të Gjykatës Evropiane të Audituesve, Komisionit Evropian, Agjencisë Evropiane të Mjedisit, Grupi i Punës së INTOSAI-t për Auditimin e Mjedisit, si dhe përfaqësues të Institucioneve Supreme të Auditimit të shteteve evropiane.
Nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në takimin e zhvilluar, morën pjesë znj.
Megi Kurushi, audituese pranë Departamentit të Auditimit të Performancës dhe znj.
Shqipe Hoxhaj, audituese pranë Departamentit të Auditimit të Aseteve dhe
Mjedisit.
Fokusi i këtij takimi, ishte mbrojtja e mjedisit në kohë të trazuara,
auditimi i fondeve të angazhuara për t’ju përgjigjur ndryshimeve klimatike, si
dhe rekomandimet e lëna për përmirësim. Takimi u organizua me prezantime të
auditimeve, apo aktiviteteve të ndërmarra nga pjesëmarrësit, me fokus tematikën
e takimit, si dhe pyetje e përgjigje mbi çështjet e ngritura.
Disa prej temave dhe çështjeve kryesore të diskutuara në këtë takim ishin:
Transparenca e asistencës për ndryshimet klimatike, duke siguruar që financimi
për programet e ndryshimeve klimatike të përdoret sipas qëllimit; Ruajtja dhe
rritja e sipërfaqeve të gjelbra në qytete; Politika e ndryshimeve klimatike në
Gjermani: Qëllime ambicioze, Zbatuar dobët; Reduktimi i emetimeve të karbonit
nëpërmjet Fondit Kombëtar të Ngrohjes dhe vlerë për para; Ndotësit të paguajnë
dhe të hiqen gradualisht subvencionet e dëmshme për mjedisin; Përgatitja për
implementimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm; etj. Përfaqësuesit e
KLSH-së, morën pjesë aktive në këto diskutime.
Në përfundim, përfaqësuesit e NIK-ut, paraqitën rezultatet e auditimit të
përbashkët të 12 Institucioneve Supreme të Auditimit, mbi Menaxhimin e Mbetjeve
Plastike në Evropë, pjesë e të cilit ishte edhe raporti i KLSH-së mbi
Menaxhimin e Mbetjeve Plastike në Shqipëri. Raport i Përbashkët mbi Menaxhimin
e Mbetjeve Plastike në Evropë.
Nga takimi u arrit në përfundim se, të gjitha vendet janë ndikuar dhe
pritet të ndikohen nga ndryshimet klimatike në vitet në vijim. Auditimet e
institucioneve supreme të auditimit luajnë një rol të rëndësishëm në
përmirësimin e standardeve për mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e efektivitetit
të politikave të qeverive.