Workshopi mbi “DEA (Data Envelopment Analysis) dhe metoda të tjera të krahasimit”, zhvilluar pranë Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Çekisë, 24-25 nëntor, 2022

Në datat 24-25 nëntor, 2022 u zhvillua në mjediset e Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës së Çekisë, workshop i dytë mbi Data Envelopment Analysis (DEA), i organizuar nga EUROSAI SG2 në bashkëpunim me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Norvegjisë.

Kontrolli i Lartë i Shtetit u përfaqësua nga z. Laert Gjata, Jurist nga Departamenti Juridik, znj. Klea Saliu, audituese në Departamentin e Auditimit IT dhe znj. Blerta Hima audituese në Departamentin e Auditimit të Buxhetit të Shtetit.


Gjatë dy ditëve të zhvillimit, workshopi trajtoi tematika lidhur me përdorimin e DEA (Data Envelopment Analysis) dhe metodave të tjera të krahasimit të efikasitetit në auditimet e performancës, ku përfaqësuesit e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Norvegjisë, prezantuan eksperiencat e tyre lidhur me 'Efikasitetin dhe produktivitetin e institucioneve të arsimit të lartë në Suedi' dhe 'Efikasitetin e gjykatave të rrethit në Norvegji'. Gjatë ditës së dytë, u zhvillua gjithashtu, në formën e një seminari, prezantimi me programin R/PioneerR - i cili është një program për përdoruesit, i zhvilluar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Norvegjisë dhe zbatimi në praktikë i tij. Pjesëmarrësit u ndanë në grupe dhe aplikuan një praktikë reale të përdorimit të tij, duke interpretuar në përfundim rezultatet dhe duke zhvilluar diskutime në grup.