Audituesit e rinj të KLSH-së marrin pjesë në Konferencën e V Young EUROSAI (YES) organizuar në datat 12-15 shtator, në Stokholm

Më datë 12-15 shtator 2022, audituesit e rinj të KLSH-së, morën pjesë në Konferencën e V Young EUROSAI (YES), organizuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit të Suedisë (SNAO) në Stokholm.

KLSH u përfaqësua nga znj. Xhesika Xhuveli, audituese në Departamentin të Auditimit të Buxhetit të Shtetit dhe z. Orgest Levani, auditues në Departamentin e Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit.

Konferenca e V Young EUROSAI mbi “Kulturën Eksperimentale”, trajtoi në tre këndvështrime nevojën dhe domosdoshmërinë e Institucioneve Supreme të Auditimit, për t’u përshtatur me rethanat e reja në një mjedis që ndryshon me shpejtësi, për të qenë inovativ dhe të guximshëm me metoda dhe mënyra të reja pune, duke ruajtur gjithmonë besueshmërinë dhe pavarësinë. Nëpërmjet prezantimeve, workshop-ve dhe paneleve të ndryshme të diskutimit, u trajtua prespektiva e profesionit të auditimit, kulturës organizative dhe audituesit si individ.

Pyetjet, të cilat morën përgjigje nga kultura të ndryshme organizative, ishin “Si të mbështesim audituesit e rinj në SAI”, “Si t’i shfrytëzojmë mundësitë e reja të digjitalizimit krijuar gjatë pandemisë”, “Si mund të kontribuojë organizata në një kulturë eksperimentale”, “Si të përmirësohemi duke mësuar nga të tjerët” etj.

Konferenca e V Young EUROSAI u mbyll me mesazhin kryesor se “Shkëmbimi i praktikave më të mira brenda EUROSAI-t, është një mënyrë e shkëlqyer për t'u frymëzuar dhe për të frymëzuar të tjerët, duke ndihmuar njëri-tjetrin në arritjen e rezultateve të synuara.”


Pjesëmarrja në këtë konferencë, ashtu si edhe në shumë aktivitete të tjera të zhvilluara në lidhje me veprimtarinë audituese brenda dhe jashtë vendit me SAI-t homologe, i shërben forcimit të vazhdueshëm të kapaciteteve audituese të KLSH-së, me qëllim përmirësimin e standardit të  shërbimeve publike të ofruara ndaj qytetarëve.