Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu zhvillon një takim me përfaqësues të Ambasadës së Italisë në Shqipëri dhe të Guardia di Finanza

Kryetari i KLSH-së, z. Arben Shehu, zhvilloi sot një takim me z. Luigi Mattirolo, Zëvendës Ambasador i Ambasadës së Italisë në Shqipëri, z. Stefano Salmaso, Përgjegjës i  Zyrës për Tregtinë pranë Ambasadës së Italisë në Tiranë, si dhe z. Giampiero Carrieri, ekspert i Guardia di Finanza për Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi, pranë Ambasadës së Italisë në Tiranë.


Gjatë takimit, z. Shehu shprehu falenderimet për vizitën, dhe shprehu vlerësimet e tij për marrëdhëniet dypalëshe, duke e vëne theksin tek bashkëpunimi i vlefshëm, tashmë i konsoliduar, jo vetëm me Ambasadën e Italisë në Shqipëri, por edhe me institucionet ndër më të rëndësishmet në vendin fqinj, si Agjencinë anti-korrupsion dhe Guardia di Finanza.


Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Ambasadës së Italisë dhe të Guardia di Finanza, shprehën vlerësimet maksimale për punën që po zhvillon Kontrolli i Lartë i Shtetit në drejtim të bashkëpunimit me organet e drejtësisë lidhur me identifikimin e rasteve të korrupsionit, veçanërisht në fushën e prokurimeve publike, tatimeve dhe doganave, si dhe shprehën angazhimin e tyre të plotë për të vijuar dhe profilizuar më tej, bashkëpunimin dypalësh.

Në takim, u ra dakort se në vijim, ndërmjet institucioneve, do të zhvillohen aktivitete të përbashkëta, me qëllim ngritjen e kapaciteteve të audituesve të KLSH-së dhe ofrimin e shembujve dhe ekspertizës më të mirë italiane, në fushat me interes të veçantë.