Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Z. Arben Shehu takohet me delegacionin e Agjencisë Anti-Korrupsion të Italisë (ANAC).

Tiranë, më 18 nëntor 2021

 

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Arben Shehu priti në ambientet e KLSH-së ekspertët e Agjencisë Anti-Korrupsion të Italisë (ANAC), z. Filippo Romano  dhe z. Alex di Staso. Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të nisur midis KLSH-së, OSBE-së dhe ANAC për forcimin e kapaciteteve profesionale të audituesve të KLSH-së në fushën e auditimit të procedurave të prokurimit dhe partneritetit publik-privat.

 

Z. Shehu i falënderoi ekspertët për ndarjen e eksperiencës së vyer të ANAC  me audituesit e KLSH-së në sesionet e trajnimit të zhvilluara në datat 15-17 nëntor 2021  dhe nënvizoi se KLSH është e angazhuar për një bashkëpunim cilësor me organet e drejtësisë për referimin e rasteve të shkeljeve të procedurave të prokurimit. Ai theksoi se KLSH vlerëson çdo informacion i cili trajton çështje të shpërdorimit të fondeve publike, duke veçuar raportimet e mediave për çështjet që lidhen me prokurimin publik dhe koncesionet. Z. Shehu u shpreh se KLSH vlerëson aktivitetin dhe eksperiencën e ANAC dhe ky bashkëpunim i sapo nisur midis dy institucioneve do të jetë një vlerë e shtuar për ngritjen e kapaciteteve profesionale të audituesve të KLSH-së, i cili synon të thellojë luftën pa kompromis kundër korrupsionit. 

 

Z. Romano vlerësoi aktivitetin dhe qasjen e KLSH për të qenë një institucion aktiv në referimin e fenomeneve korruptive me fondet publike tek institucionet ligjzbatuese dhe u shpreh se stafi i KLSH ka një bërthamë shumë të mirë audituesish të cilët kanë njohuri të thelluara në fushën e prokurimit publik. Z. Romano theksoi se trajnimet e tre ditëve të fundit i shërbyen shkëmbimit të eksperiencave që lidhen me ligjin për prokurimin publik, proceset dhe pikat kritike të tij, risqet e korrupsionit, modalitetet e hetimit  të aplikuara nga ANAC, dhënien dhe ekzekutimin e kontratave, dëmin ekonomik të shkaktuar nga  procedurat  e prokurimit, kostot e planifikuara dhe kosto efektive për ekzekutimin e kontratës.

Në tre ditët e trajnimit të zhvilluara në Tiranë me ekspertë të ANAC morën pjesë 50 auditues të KLSH-së. Bashkëpunimi i KLSH-së me ANAC do të vijojë me zhvillimin në fillim të vitit 2022 të sesionit trajnues,  i cili do të ketë në fokus analizën e shpeshtësisë së shkeljeve të konstatuara në procedurat e prokurimit dhe rekomandimet për autoritetet kontraktore.