Tiranë, më 10 nëntor 2021
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në kuadër të angazhimit
në luftën pa kompromis kundër korrupsionit, ka konstatuar gjatë veprimtarisë së
tij audituese shkelje të cilat përbëjnë konsumim të elementeve të veprës penale
nga nëntë funksionarë të Bashkisë Tropojë.
Nga auditimi “Financiar dhe i Përputhshmërisë” i ushtruar në Bashkinë Tropojë, KLSH ka konstatuar:
- Shkelje të barazisë në tendera, nga anëtarë të Komisionit të Vlerësimit
të Ofertave, për procedurën e prokurimit me objekt: “Shkolla Asim Vokshi-
palestër dhe terrene sportive dhe sistemime të jashtme në gjimnazin “Asim Vokshi”.
Në lidhje me këto shkelje, Kontrolli i
Lartë i Shtetit ka kallëzuar në SPAK tre funksionarë të Bashkisë Tropojë,
anëtarë të KVO-së, për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në
tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, si dhe;
-Veprime apo mosveprime të gjashtë
funksionarëve të Bashkisë Tropojë, anëtarë të njësisë se prokurimit dhe
komisionit të vlerësimit të ofertave, për procedurën e prokurimit me objekt
“Rikonstruksion i pesë segmenteve rrugore fshati Gri, Bujan, Cërrnicë” të
cilat në tërësinë e tyre përmbajnë elementë të veprës penale
“Shpërdorim detyre”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal. Në lidhje me
shkeljet e konstatuara, KLSH ka depozituar në Prokurorinë pranë Gjykatës së
Shkallës së Parë Tropojë kallëzim penal për personat e sipërcituar.