Më datën 23 Prill 2012, në ambientet e KLSH-së, u
nënshkruan gjashtë marrëveshje bashkëpunimi mes KLSH-së dhe disa prej
organizatave të pavarura (OJF) më të spikatura të vendit në luftën kundër
korrupsionit dhe rritjen e transparencës, përkatësisht me lëvizjen “Alternativa
Civile”, e drejtuar nga z. Mentor Kikia; me “Qendrën për Transparencë dhe
Informim të Lirë”, e drejtuar nga z. Sami Neza; me “Institutin e Studimeve Bashkëkohore”,
i drejtuar nga z. Artan Hoxha, me “Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim”,
i drejtuar nga z. Sotiraq Hroni; me “Transparency Internacional në Shqipëri”,
drejtuar nga z. Lutfi Dervishi dhe me “Lëvizjen Evropiane
Shqipëri”, drejtuar nga z. Gledis Gjipali.
Marrëveshjet lidhen nën moton e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve të
Larta të Auditimit, INTOSAI, “Experentia mutual ominibus prodest” (Eksperienca
e përbashkët u shërben të gjithëve) dhe synojnë kontribute dhe aktivitete të
përbashkëta të KLSH-së dhe shoqatave, si vrojtime, prognoza dhe studime të
përbashkëta, pjesëmarrje reciproke në seminare, simpoziume, konferenca, në
luftën kunder korrupsionit, mundësisht parandalimin e tij si dhe rritjen e
transparencës së institucioneve publike.
Për KLSH-në është e vyer eksperienca dhe ekspertiza e organizatave të shoqërisë
civile për realizimin e analizës se riskut në përzgjedhjen e auditimeve dhe
kontrolleve te tij, si dhe në hartimin e rekomandimeve dhe raporteve për
përmirësimin e performancës së institucioneve që auditon.
Marrëveshjet parashikojnë edhe mundësinë e shkrimit te projekteve të
përbashkëta, apo aplikimit te tyre pranë donatoreve te interesuar, për forcimin
real të luftës ndaj korrupsionit, luftë e cila mund te ketë sukses vetëm me
punë të përbashkët ne sistem.