Tiranë, më 27.10.2021
Më datë 27 tetor 2021 në ambientet e Kontrollit të Lartë të Shtetit në Tiranë u zhvillua një vizitë zyrtare e Auditueses së Përgjithshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës.
Audituesja e Përgjithshme, Znj.Vlora SPANCA dhe delegacioni i ZKAK-së u prit nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Z. Arben SHEHU, i cili falënderoi kolegët nga Kosova për vizitën e tyre. Z. Shehu shprehu vullnetin e plotë për thellim të bashkëpunimit dhe të shkëmbimit të eksperiencave mes KLSH-së dhe ZKAK-së.
Audituesja e Përgjithshme e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Znj.Vlora SPANCA falënderoi kryetarin e KLSH-së për mikpritjen dhe vlerësoi frymën pozitive të bashkëpunimit mes dy institucioneve.
Në këtë takim u bisedua për veprimtarinë audituese mes dy institucioneve homologe, për kontrollin e përdorimit të fondeve për pandeminë Covid19 dhe atë të zbatimit korrekt të buxhetit të shtetit.
Gjithashtu nga ana e palës mikpritëse u trajtua dhe tematika mbi auditimin e fondeve të akorduara për rindërtimin pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Në vijim, delegacioni kosovar bëri një vizitë në Muzeun e Bankës së Shqipërisë.