Njoftim për shtyp
Kontrolli i Lartë i Shtetit, në kuadër të përmbushjes së funksionit të tij Kushtetues, zbatimit të Udhëzimeve dhe Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit (INTOSAI), sipas Programit të Auditimit nr.19/1 date 29.01.2021, ushtroi auditimin me temë “Efektiviteti i procesit të legalizimit dhe ndikimi në administrimin e pasurisë publike”. Ky auditim u zhvillua në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, përfshirë drejtoritë vendore, me fokus në analizimin e veprimtarisë së institucioneve përkatëse dhe politikave që synojnë menaxhimin efektiv të procesit të legalizimit. Fokusi i auditimit krahas shqyrtimit në tërësi të zbatimit të politikave qeveritare ka përfshirë edhe çështjet që kanë të bëjnë me pronat publike dhe shtetërore.
Në përfundim të auditimit, grupi i auditimi ka konkluduar, ndër të tjera, në mesazhin si vijon: “Shtrirja në kohë e procesit të legalizimit, përtej afateve ligjore të parashikuara, e ka shndërruar në një proces të tejzgjatur, duke denatyruar objektivin kryesor të tij “për të rregulluar efektin e madh social të ndërtimeve informale”, dhe ka “inkurajuar” tërthorazi ndërtimet informale, dhe jo reduktuar ato. Ecuria e tij ka hasur paqëndrueshmëri ndër vite në miratimin e lejeve të legalizimit, kjo e ndikuar kryesisht nga fakti se planet rregulluese vendore të bashkive nuk kanë qenë të përditësuar me ndryshimet demografike që kanë ndodhur në një zonë të caktuar. Qasja e deritanishme legjislative dhe organizative për procesin e legalizimeve është e drejtuar kah përmirësimit por ende evidentohen problematika thelbësore. Reduktimi i kritereve për legalizim nuk ka eliminuar tërësisht aspektet burokratike ndaj shërbimit të qytetarëve, njëkohësisht vërehet se ka ulur nivelin e garancive ligjore që mbrojnë pronën publike (veçanërisht zonat bregdetare)”.
Me vendimin nr.71 datë 21.06.2021 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar raporti përfundimtar ku janë rekomanduar 6 masa për përmirësim ligjor, kryesisht me fokus mbrojtjen e zonave bregdetare nga ndërtimet informale dhe mbrojtjen e pasurive shtetërore si dhe 23 masa organizative, ndër të tjera, për unifikimin e hartave mes ish-ALUIZNI-t dhe ish-ZRPP.
Për më hollësisht, mbi sa më lartë trajtuar, konsultoni materialin në linkun e mëposhtëm: