Njoftim për Shtyp
Departamenti i Auditimit të Institucioneve Qendrore në
Kontrollit e Lartë të Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 529/2 prot, datë 25.05.2021, të ndryshuar, auditoi
veprimtarinë e Ministrit të Shtetit për Rindërtimin (MSHR) dhe Komisionit Shtetëror
të Rindërtimit (KSHR), për periudhën 10.01.2020-30.04.2021.
Lidhur me ndjekjen dhe zbatimin e
detyrave të përcaktuara për Ministrin e Shtetit për Rindërtimin për përballimin
e situatës së krijuar nga tërmeti i nëntorit 2019, në përfundim të auditimit u
arrit në konkluzionin se, janë shfaqur mangësi në dokumentimin e veprimtarisë së
MSHR-së në drejtim të: ndjekjes dhe bashkërendimit të punës për hartimin dhe
miratimin e programeve të procesit të rindërtimit; ndjekjes së zbatimit të
përgjegjësive dhe të detyrave (të ngarkuara për njësitë e vetëqeverisjes
vendore), për trajtimin e shtetasve që kanë humbur familjarët dhe/ose kanë
mbetur të pastrehë; ushtrimit të kompetencave në lidhje me raportimin dhe
ngarkimin me detyra të strukturave të mbrojtjes civile; bashkërendimit të punës
me ministritë dhe institucionet shtetërore për sigurimin e të dhënave të
nevojshme në funksion të realizimit të programeve të procesit të rindërtimit.
Në
lidhje me ndjekjen dhe zbatimin e detyrave të përcaktuara për Ministrin e
Shtetit për Rindërtimin për përballimin e situatës së krijuar nga Covid-19, në
përfundim të auditimit u arrit në konkluzionin se, janë shfaqur mangësi në
dokumentimin e veprimtarisë së MSHR-së në drejtim të: dokumentimit të burimeve
njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore për të përballuar
situatën e krijuar nga pandemia; koordinimit, drejtimit dhe ndjekjes së
veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e
shtetërore, për hartimin e planit të përballimit të situatës ekonomike të
shkaktuar nga infeksioni COVID-19; detajimit të nevojave për përballimin e
situatës ekonomike të shkaktuar nga infeksioni COVID-19; etj.
Në përfundim të auditimit, lidhur me
veprimtarinë e Komisionit Shtetëror të Rindërtimit rezultoi se, nuk është
hartuar, miratuar dhe përcjellë për miratim në Këshillin e Ministrave (KM)
Programi i Përgjithshëm i Rindërtimit, dokument mbi të cilin do të mbështetej
procesi i rindërtimit.
Në vijim, nuk rezulton të jenë të dokumentuara monitorimet
periodike të zbatimit të programit të rindërtimit dhe detyrave të caktuara për
njësitë zbatuese, dhe as raportet e përgatitur nga KSHR për KM. Mangësi u
konstatuan edhe në drejtim të aktivitetit të kryer nga Sekretariati Teknik i
KSHR-së. Gjithashtu rezultoi se, janë pranuar, miratuar dhe
dërguar për miratim tek KM projekte, jo në respektim të procedurave të
përcaktuara për përfitimin nga grantet e rindërtimit pasi kërkesat për
realizimin e këtyre projekteve nuk janë mbështetur në akt-ekspertiza apo
projekt preventiv punimesh.
Në zbatim të Vendimit të Kryetarit nr. 155, datë
12.10.2021, me qëllim përballimin e pasojave të tërmeti të nëntorit 2019 dhe
pandemisë Covid-19, në përfundim të auditimit janë dhënë 18 masa organizative.