Njoftim për shtyp
Departamenti i Auditimit të Performancës në Kontrollin e Lartë të Shtetit, ushtroi një auditim me temë “Fondi Rezervë i Institutit Të Sigurimeve Shoqërore” në subjektin Instituti i Sigurimeve Shoqërore.
Kontrolli
i Lartë i Shtetit në përfundim të auditimit ka dalë në mesazhin e auditimit:
Menaxhimi i fondit rezervë, edhe pse një ndër objektivat prioritar të
ISSH-së, nuk është përmbushur me efektivitet dhe eficiensë.
Qëllimi i krijimit të këtij fondi është sigurimi i një rezerve
koherente për të përballuar përfitimet e skemës së sigurimeve shoqërore ne
raste të jashtëzakonshme. Ulja e nivelit të sigurimit të skemës së pensioneve
nëpërmjet fondit rezervë nga 3 muaj në 1 muaj jo vetëm cenon objektivin e këtij
fondi, por cënon gjithashtu edhe parimin e sigurisë juridike për qytetarët, i
cili është një parim kushtetues që shërben si bazë për funksionimin e shtetit
të së drejtës, pasi riskon të drejtat e tyre në një masë më të madhe sesa
përcaktimi ligjor i mëparshëm.
ISSH nuk ka kryer analiza të detajuara
kosto/përfitim lidhur me alternativat e mundshme të investimit të fondit
rezervë, të cilat do të mundësonin maksimizimin e përfitimeve financiare të
gjeneruara nga investimi i këtij fondi dhe investimin e tij në mënyrë efektive.
Pas maturimit të instrumenteve
financiare, bazuar në publikimet për alternativat investuese në faqen zyrtare
të Bankës së Shqipërisë në atë periudhë, ISSH ka ri investuar kryesisht në të
njëjtat mjete, dhe vlera të njëjta, me përjashtim të atyre instrumenteve
financiare që u shtohet edhe vlera për të cilën është bërë edhe rritja e normës
së fondit rezervë.
Kështu, nuk evidentohet të jetë kryer
një analizë apo përllogaritje nga ana e subjektit të audituar mbi përzgjedhjen
e vlerës së instrumentit financiar të investuar në bono thesari apo
obligacione.
Aktualisht, pas përmbushjes së
objektivit ligjor për nivelin e sigurimit nëpërmjet fondit rezervë, ISSH nuk ka
parashikuar asnjë objektiv për administrimin në vazhdim dhe investimin e këtij
fondi me qëllim rritjen e tij. Pavarësisht përpjekjeve, ISSH nuk ka menaxhuar
me efektivitet të gjitha problematikat që ndikuan sistemin e pensioneve dhe
përfituesve të skemës gjatë periudhës së pandemisë.
ISSH nuk e ka përdorur fondin rezervë
gjatë periudhës së pandemisë edhe pse doli në pah nevoja e përdorimit të këtij
fondi si pasojë e uljes së të ardhurave nga kontributet. Gjithashtu, ISSH nuk
ka përgatitur një plan masash që përcakton në mënyrë të detajuar menaxhimin e
situatave të jashtëzakonshme dhe përcaktimin e rasteve eksplicite të përdorimit
të fondit rezervë.
Për përmirësimin
e gjendjes, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rekomanduar 3 masa propozime për
ndryshime apo përmirësime në legjislacionin në fuqi dhe 8 masa organizative, me
Vendimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit nr. 50, datë 21.04.2021.